E Diel, 1 Nëntor 2026

Teli, debutim me gol me Qarabag



Mbrojtësi i Qarabag në Azerbajxhan, shkodrani Admir Teli (25 vjeç, 1 ndeshje, 1 gol), debutoi me gol në ndeshjen e tij të parë në kampionatin azerbajxhanas. Shkodrani, i cili pjesën e parë të këtij sezoni luajti në Turqi me Hacettepe (16 ndeshje, 0 gola), realizoi në minutën e 70-të në fitoren 3-0 të Qarabag me Bakilin. Kjo ishte fitorja e tretë rresht e Qarabag, por ndeshja kundër Bakili ishte e para në fazën e dytë. Edhe në fazën e parë, Qarabag kishte ftuar 2-1 me Bakilin, madje golin e parë në atë takim e kishte shënuar ish-lojtari i Besës, shqiptari nga Maqedonia Artim Shaqiri (12 ndeshje, 3 gola me Qarabag). Qarabag ndodhet në vendin e 4-t me 27 pikë pas 14 ndeshjesh, shtatë pikë më pak se Inter Baki i vendit të parë (34 pikë). Kampionati azerbajxhanas ka 14 skuadra. Admir Teli, (ish-Vllaznia, 175 ndeshje me këtë ekip, 6 gola) mungoi në barazimin 0-0 me Maltën për shkak të pezullimit me karton të kuq (e mori kundër Portugalisë, pas goditjes me bërryl ndaj Kristiano Ronaldos), do të jetë në dispozicion të trajnerit të Kombëtares, Ari Han, për sfidën kundër Hungarisë, më 28 mars 2009.

Duro beson te fitorja me Besën

Partizani (vendi i 10-të, 19 pikë) pësoi në Peqin me Shkumbinin (1-0) humbjen e parë pas tri fitoresh rresht dhe të nëntën sezonale, por trajneri i të kuqve Shpëtim Duro pranoi se skuadra e tij luajti më mirë se kundërshtari sidomos në pjesën e dytë. “Ngjela (26 vjeç, 15 ndeshje, 4 gola këtë sezon) shpërdoroi një rast flagrant. Nëse do të kishte shënuar, rrjedha e lojës do të kishte shkuar ndryshe. Shpërdoruam edhe 2-3 raste të tjera. Na prishi punë edhe dëmtimi i Babamustës”, - tha Duro. Partizani do të presë Besën (vendi i 5-të, 29 pikë) dhe Duro synon rikthimin te fitorja. “Kundër ekipeve të mëdha luajmë më mirë”, - shtoi Duro. Në fazën e parë (java 10) Besa e Partizani nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0. Partizani ishte atëherë i fundit (7 pikë) ndërsa Besa e pesta (16 pikë).

18 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›