Veliaj në Krujë: “Ushtria e të rinjve do të sjellë ndryshimin”
Erion Veliaj dhe kandidatë të tjerë të qarkut zhvilluan disa takime me të rinjtë në qytetin e Krujës dhe në qytezën e Fushë-Krujës. Gjatë këtyre takimeve Veliaj theksoi forcën që kishte rinia në këto zgjedhje për të bërë diferencën në rezultat dhe për t’i dhënë fund njëherë e mirë tranzicionit të stërzgjatur. “Sikur ne të rinjtë e Shqipërisë, që jemi në moshën nga 18 deri në 35 vjeç, të kuptojmë se jemi një e treta e popullsisë pra rreth 1 milion, sikur ne të kuptojmë çfarë force ka muskuli ynë në këto zgjedhje, ne mund të bëjmë mrekullira. Politikanët e vjetër kanë treguar shenja të forta frike sepse kudo në Shqipëri, nga Veriu deri në Jug, të gjithë të rinjtë po grumbullojnë energji pozitive, e gjithë Shqipëria po buçet nga një ushtri e vërtetë e padukshme e të rinjve që janë gati për ndryshimin”, - tha Veliaj.
Leskaj: “Ka ardhur koha që Berisha të dalë në pension”
Kandidatja PS-së në qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj, zhvilloi një takim në fshatin Gjonçaj të Peqinit. Në takimin me banorët e këtij fshati Leskaj u shpreh se është koha për të nxjerrë në pension Sali Berishën dhe politikën e tij të vjetër. “Na mbeten më pak se 20 ditë që Sali Berishën ta nxjerrim në pension, sepse është i vetmi lider ish komunist që është akoma në pushtet nga i gjithë rajoni. Duhet të dalë në pension, jo vetëm për këtë fakt, por edhe për të gjitha zullumet që i ka bërë vendit dhe për të gjitha ato premtime që nuk i ka mbajtur. Bukën, vajin, sheqerin, karburantin, i blejmë më shtrenjtë, shërbimet i paguajmë më shtrenjtë. Kjo do të thotë se ne sot nuk jetojmë më të pasur se 4 vite më para. Përkundrazi. Kjo është një tjetër arsye e fortë për të cilën duhet t’i themi jo me votë Sali Berishës”, - tha Leskaj.
15 Qershor 2009