Popull ëndrrash…
Kostis PALAMAS
Kostis Palamas sundoi letrat greke për disa dekada rresht dhe, me veprën e tij, u bë interpret i idealeve e aspiratave të kohës, ndërgjegje poetike e Greqisë. I lindur në Patra, filloi studimet për drejtësi në Athinë, por i braktisi sepse karakteri i tyre nuk përputhej me dëshirën dhe ambicjet e tij. Gjatë kohës që ishte student, bashkëpunoi me disa gazeta, kryesisht satirike, ku botoi krijimet e para. U martua me Maria Valvin dhe patën tre fëmijë. Vëllimi i parë poetik mban titullin “Këngë të atdheut tim”. Një vit më pas u emërua sekretar i përgjithshëm i Universitetit të Athinës, një punë e lodhshme dhe e mërzitshme për të. Për herë të parë në një konkurs letrar mori pjesë në moshën 40-vjeçare dhe fitoi çmimin e parë, që do pasohej nga shumë të tjerë, si Medalja Kombëtare për Letërsinë.
Më 1934, Palamas ishte ndër kandidatët kryesore për çmimin Nobel. Ai u bë antar i Akademisë së Athinës që me krijimin e saj, ndërsa katër vjet më pas u zgjodh kryetar. Vdiq i pikëlluar më 27 shkurt 1943, tri javë pas vdekjes së bashkshortes. Vepra më e rëndësishme e tij është padyshim poema “Palma” që, së bashku me “Sterën” e Seferisit, shënon një kulm të simbolizmit grek. Dy poema të tjera mjaft të njohura janë “Dodekalogu i Evgjitit” e “Fyelli i Mbretit”. Veç këtyre, botoi mbi njëzet përmbledhje poetike: “Himni i Athinës”, “Sytë e shpirtit tim”, “Tempuj”, “Vargje të drojtur e të vrazhdë”, etj. Shkroi gjithashtu tregime, ese, studime mbi autorë të tjerë dhe la përkthime nga Rilke, Baudelaire, Verlaine, Mistral, Prudhomme, etj.
Shtegtimi
Brenga më mbyt, si laku në fyt,
Si gjarpër në zemër më sëmbon e më mund,
Drejt një shtegtimi dëshira më nxit,
Drejt një shtegtimi pa fund.
Rrugën ngadalë të ndjek, të ndjek,
Por pa u ndalur as këtu as matanë
Dhe kurrë asnjë shpirt të mos pjek,
As njerëz memecë e verbanë.
Të gjej rretheqark veç shkretimin,
Shtëpinë që u kyç, tymtarin që u shua,
Në qiell asnjë yll të mos më falë ndriçimin,
Dhe në tokë asnjë grua.
Ah, ndoshta këtë shtegtim kur të marr,
Të paanë e shkretan, visesh që s'i di,
Nuk do kem si tani kaq dëshirë e zjarr,
Prej teje të ik, dashuri!
* * *
Atdhe! Ajër, tokë, ujë dhe zjarr!
E jetës zanafillë dhe mbarim,
të parin e të mbramin ngazëllim
me paqën rishtas do t'i gjej në varr!
Popull ëndrrash, fllad thellë shpirtit tim;
kur rrugën pa fund të zjarrit të marr,
vetë mendimi im do jetë zjarr,
ndërsa dëshirat, i detit tërbim.
Trupi prej balte do bëhet pa bujë
dhe ajër, dhe tokë, dhe zjarr, dhe ujë,
dhe nga deti, çdo ëndërr e dëshirë,
afshi i mendimit, mishi i tretur,
përherë në erë ka për të mbetur
një ankim, sikur bie larg një lirë.
* * *
Shpirtin ma rrahin frika, përdëllimi,
ashpër e thur tragjiku tragjedinë,
Karonti kosit. Më avit mendimi
aty ku flakur mbi njëri-tjetrin rrinë,
në brigje lumenjsh e male me borë,
ose të diellit duke pirë zagushinë,
ushqim për korbat, do kurme të gjorë.
O të vdekur, varrosur pa kungatë,
ju përfytyroj mes krimbash orë pa orë;
me dhimbje, me respekt e përgjëratë,
desh të therur, islamë a të krishterë,
në altarin suprem ju jap uratë.
Berra të idesë, të ndershëm e të ndjerë,
heronj të atdheut dhe ju, o të nënshtruar,
të mbytur në terr, ku zvarriteni përherë
verbërisht, me këmbë edhe me duar,
pas padronësh, bekim, dhe prehje, lotë.
Lutem. Ndez temjan, qirinj të shuar,
për ty, Shën Mëri e paqes në botë.
Zjarri i keq
Unë jam këtu, i shthurur, i pabindur,
kafshoj bukën e mjerimit pikë e vrer,
më ka zbuar Ideali, Arti më ka lindur
kopil, mendjeprishur, me trupin që ther.
Mbi tryezën e shenjtë të leximeve të mia,
qiri mortor, kandilin e shoh tek shpirt po heq,
me librat, dritat, letrat, e ftohtë armiqësia.
Më djeg zjarri i keq.
Lindjen gabim, jetën mashtrim e quaj,
s'dua të di përse; Endrra që shkumëzon
dhe Dëshira e zezë, më tërheqin dy kuaj
dhe s'di se ku më çojnë - mos në ndonjë hon.
Asaj që vdiq
M.M.
Ti jetëz, që fryma e vdekjes të pat shuar
në prehër ëndërrimesh të brishtë mëngjesorë,
është mekur drita mermerit të latuar,
s'të bën të pavdekshme ky këngëtar i gjorë.
O muzikë e heshtur, që kujtesa ime sot
s'ta ndërmend dot zërin, pastaj ta pëshpërisë,
o shpirt që as shkruhesh e as këndohesh dot,
kësisoj ma ke lidhur shpirtin brenda zisë.
Më vizatohesh në mendje, i largët agim,
i ëmbël, i drojtur dhe i beftë. U përkule
një ditë mbi kokën e dlirë të birit tim,
me ledhatimin e ngrohtë, si një lule.
Dhe të qelibartë thellë meje le diçka
e ike pa kthim. Po natës së thellë
që lehtas zbret në mua, pamjen tënde ka
ky kopsht me ëndrra të kaltra i mbjellë.
Unaza
Nëna pat dëshirë të më martonte,
të më jepte për nuse një neradë,
lule e parë e besnikërisë dhe nurit.
Me ty nëna desh të më martonte,
o Jetë ekzotike, e para ndër nerada.
Dhe rend e pyet, shkon e blen mendim
nga magjistrica e yshtëse ku janë,
nga dyzet nuse, nuse në kurorë
lyp flori dhe me flori të kulluar
ma gdhend atë unazë të magjishme,
ma vë në gisht dhe me harenë e fshehtë
lëkurën fëmijënore ma praron,
oh, me ekzotikën ç'fejesë e njeriut!
Dhe unë isha fëmijë që rritej pareshtur
me një vrundull dehës të fejuarish,
që dasmën shpalosin dëshirash tunduar,
festë e pambaruar mbi shtratin e bardhë.
Dhe unë isha fëmija që rritej pareshtur
praruar prej Jetës burrërore,
dhe unë isha fëmija që rritej pareshtur,
i lindur për të shkelur shtigje të pashkelura,
shkëndritës brenda dritës; isha unë
me mendimin prej kampioni olimpik
dhe me mendimin si zbutës Buqefali.
Isha delfini i shpejtë me krahë të artë,
që desh me anijet të përleshej,
isha delfini i shpejtë me krahë të artë,
që u rrek të çlironte Arionën!
Por dikur -nuk e di qysh e tek -
anëdetit me rërë diellpërflakur,
një mbrëmje të trishtë e të mvrenjtur,
u ndesha me një zezak të huaj,
që ngjante si i dalë prej rropullive të detit
dhe në të zënkës zemëratë të egër
unaza më ra dhe përfare humbi.
E gëlltiti dheu? E përpiu vala?
Nuk e di; di veç që ç'asohere
yshtjet u prishën, u larguan magjitë
dhe jeta ekzotike, e para ndër nerada,
dhe nusja, dhe zonjëza, dhe skllavja
tymnajë u bë e humbi dhe ajo.
Oh! ç'asohere prej vitesh foshnjarake
gjer dëborërave të para të Kohës
në pyllin e zi të flokëve, oh ç'asohere
diçka e tmerrshme e memece më mbërtheu
me një hije të panjohur, të përvojtur,
që thua s'ka të tillë a thua bën çmos
të jetë, por pa ia dalë dot mbanë;
i Jetës unë jam fillikati i ngratë,
jam unë i pamunduri i madh i Jetës!
Dhe bija e Rigës së vjetër, Alkitea,
shenjë e mllefit hyjnor të hakmarrjes,
nga princeshë ç'qe, medet, medet!
ndërroi trajtë e neradë u bë.
Përktheu Romeo Çollaku
5 Tetor 2008