E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur flet Fishta



Kujtim DASHI
Gjergj Fishta u tërhoq vetë nga jeta parlamentare. Ai kishte qenë deputet i Shkodrës (krahu i opozitës), nënkryetar i parlamentit dhe kryetar i komisionit për arsimin dhe bilancin. Me kërkesën këmbëngulëse të Fishtës, vendin e tij e zuri Pater Ambroz Marlaskaj. Kur dikush e kishte pyetur për këtë veprim, Fishta i qe përgjigjur:
- Nuk mund t’i duroj dot këto parla-parla-parla të parlamentarëve tanë!..
Fishta nuk e merrte seriozisht pjesëmarrjen e partive në parlamentin e parë kombëtar, madje qeshte me ta. Në një letër të gushtit 1921, të cilën ia dërgonte Pater Pal Dodajt, ndër të tjera, thotë: “…Ne tani bajmë pjesë në partinë progresiste, që përbahet ma së shumti prej turqish të vjetër…”

* * *
Dihet se një pjesë e madhe e protagonistëve të lavdëruar në “Lahutën e Malcisë” ishin ende gjallë, kur Poeti u këndonte burrnitë; ndër këta gjendej Marash Uci, të cilin At Fishta e kish njohur e kish lidhur miqësi që në verën e vitit 1902, kur gjatë lirimeve shkollore, Ai qe dërgue në Rapshë të Hotit për të zëvendësuar famullitarin e atij fshati, Pater Leonard Gojanin, françeskan. Një ditë, iu paraqit Poetit një Frat dhe i tha:
- Kam parë Marash Ucin dhe e pyeta se si i ishin dukur trimnitë e tij që ti, Pater Gjergji, ke përshkrue në “Lahutën e Malcis”. A e din si m’u përgjigj?
- Çfarë? - pyeti Poeti.
- Unë s’di me lexue, por, me sa kam dëgjue, diçka ka shtue.
- Po të mos kishte qenë Oso Kuka, Marash Uci e shokë,- tha Poeti - unë
s’do të njihesha mâ në botën shqiptare si kângtari i “Lahutës së Malcis”. Dhe në paça shtue diçka, ata e kanë meritue, në mos tjetër për shenjë mirënjohjeje. Por Marash Uci s’din ta peshojë trimninë e vet!

* * *
Në pranverë të vitit 1937, At Gjergj Fishta bëri një vizitë në qytetin e Korçës. Një mbrëmje, teksa po kthehej në zyrat e Bashkisë, atje e pritën një grumbull njerëzish që cilët donin ta takonin e të dëgjonin zërin e tij. “At Gjergj, bëni një bisedë me djemurinë korçare”, kërkuan.
Dhe, ashtu së bashku të gjithë, “djemuria” e Korçës, që ishin artistë e studentë të liceut, gazetarë, por edhe zejtarë të profesioneve të ndryshme e shoqëruesit e Poetit, u drejtuan në sallën e bibliotekës së qytetit me libra plot, të dhuruar nga zoti Turtulli. Në mes të tjerash, në takim Fishta tha: “Këto visare (“Visaret e Kombit”, të porsabotuar) e shtyjnë një shkrimtar të marrë lahutën e vet dhe t’i këndojë me zjarr e shpirt kombit të tij. Unë kam njohur një njeri të veprimit dhe të fjalës, Marash Ucin. Marash Uci mund të ishte bërë poet dhe, në fakt, kishte një zemër poeti. Ai është një hero antik, që vetëm bën veprat e mëdha dhe pastaj në darkë ulet me lirën e vet e këndon për bëmat e shokëve. Mendoni, ju lutem, një burrë të rrahur nga erërat si Marash Uci. Ai i përket Historisë dhe, të shkëmbesh një duhan me Marash Ucin, është njëlloj si të shkëmbesh një duhan me historinë. Të bësh një bisedë me të, është njëlloj si të bësh një bisedë me historinë. Dhe të shkosh në kullën e tij, është njëlloj si të shkosh në kullën e Historisë. Mandej, që andej nga frëngjitë e saj, të shikosh hapësirat e mëdha të lirisë. A mund të arratisesh nga liria, a mund të arratisesh nga vetvetja?!.. Marash Uci është ai çelësi sol, që unë gjeta në një çast të madh për t’u futur në shpirtin e Lahutës dhe në Këngën e Maleve. Këtë çelës e gjeta në “Visaret e Kombit”. Me këtë çelës, si në një mijë netët, thirra: “Hapu Suzam!” Dhe u hap e pashë mrekullitë. Pyeta veten: si Marash Uci futet në Histori dhe në këngë si në shtëpinë e vet? Futet se ai është një Krijonjës. Ai, me hirin e Zotit, është bërë prapë Krijonjës i këngës dhe historisë. Dhe ato janë pronat e tij të shenjta. Ai ka në pronësi tokën, por ka edhe këto prona të mëdha të patjetërsueshme e të papushtueshme. Marash Uci më mori për dore si dikur Virgjili Danten dhe më tregoi Parajsën, Purgatorin dhe Ferrin e këngës, trimënisë dhe Historisë. Aty pashë e zbulova një të vërtetë: të këndosh, do të thotë të trazosh shpirtnat. Të transformosh shpirtin tënd dhe të tjerëve jo më në një model të përcaktem. Kështu veprova edhe unë me Lahutën. Tash ajo nuk asht ma thjesht imja. Asht Tuaja. Dhe Juve do ta ndjeni tansisht Lahutën, kur të ndjeni se Marash Ucin nuk e ka takue vetëm autori, por e keni takue edhe ju të gjithë dhe bashkë të futeni në Historinë shqiptare dhe në këngën shqiptare. Se Marash Uci i përket së djeshmes, të sotmes, por ai i përket dhe të nesërmes… Ai u përket stërgjyshave të lashtë dhe stërnipave që do të lindin në mijëvjeçarin e ardhshëm…”

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›