E Diel, 1 Nëntor 2026

Një valixhe me ngarkesë bërthamore



Mehmet ELEZI

1.
Ndodhem nën tërheqjen e një fushe magnetike të njohur: Kanga e Ali Bukurisë (“Këngë popullore trimërie nga Tropoja”, mbledhur e përgatitur për botim nga Nuredin Lushaj, Tiranë 2003). Skenat hipnotizuese të kësaj poeme, me rrasën e bardhë të vorrit që çohet ngadalë nën hënën e hollë të maleve, me engjëllin që shtrihet me e ruejtë varrin derisa të kthehet banori i tij që nuk dihet për ku niset nëpër atë terrnajë, se varri nuk duhet lënë vetëm, i kam të gjalla prej fëminisë. Po pse pikërisht engjëlli u shtri mbi atë dhé të zi e të lagësht, çka kish të shenjtë ringjallja e Ali Bukurisë dhe pse e ka ai këtë mbiemër kaq të zgjedhur? Shkallë-shkallë kjo poemë zbulon thelbin e një institucioni deri tashti të patrajtuar, të ngjashëm me Besën, por me disa dallime thelbësore. Përmasat e tij shtrihen në tri botë: në këtë jetë, në jetën e përtejme dhe në Qiell.
Ky është Amaneti. Përmbajtja e tij në kodin moral shqiptar e ka sfiduar domethënien fillestare të fjalës (është fjalë me gurrë arabo-turke me kuptimin e mirëfilltë: zotim, ruajtje, besim). Te shqiptarët veshja tingullore është mbushur me përmbajtje origjinale dhe Amaneti është shndërruar në një institucion unik, i pashoq në të gjithë popujt e tjerë të Europës Juglindore. Madje për të gjuha shqipe ka krijuar edhe fjalën e saktë ndorejetë (marrje e jetës me ndore, që e merr jetën me ndore). Kjo fjalë gjindet e shkruar me këtë kuptim në revistën Cirka (Shkodër), në fund të viteve ‘30-të të qindvjetëshit të 20-të. Por le të vijojmë me përmbajtjen.

2.
Kanga e Ali Bukurisë është e pabotuar kurrë më parë. Përkah forma, është një poemë me 374 vargje, krijuar me stilin e epikës legjendare, me varg të bardhë tetërrokësh, me përthyerjen e herëpashershme të ndonjë dhjetë a dymbëdhjetërrokëshi nëpër të. Ritmi është i ngadaltë, i shtruar, i rëndë, si nëpër një vjeshtë rrafshnalte, ku njëtrajtshmërinë e thyen herë pas here shkreptima e ndonjë reje: skenat me kalorësin e vdekur.
Për shkak të motivit, fillimisht mund të kalojë pa u vënë re. Eshtë e njëjta temë si te Kostandini e Garentina a Doruntina, e njohur në degëzime në të gjitha trevat e Shqipërisë, përfshi arbëreshët e Italisë. Ky motiv siç dihet gjendet dhe te grekët e sllavët e Ballkanit. Por trajtimi i fabulës bëhet në një vështrim tjetër, të ndryshëm nga krejt degëzimet e njohura deri më sot. Te Kanga e Ali Bukurisë ajo që i zgjon energji mbinjerëzore një trupi të bërë baltë prej motesh, nuk është një besë e mirëfilltë, klasike. Eshtë një Amanet, një Ndorejetë. Dhe, siç do të shohim në vijim, ndryshimi ndërmjet Besës e Amanetit është i madh. Për risinë që sjell kjo poemë, mund të vlerësohet si një zbulim në llojin e vet.

3.
Amaneti e jo Besa si një gjenerator i veprimit dramatik, ky është elementi i ri strukturor që sjell poema. Gjëma ka ndodhur në familjen Bukuria, nëntë vëllezërit janë paluar nën dhé, motra e martuar në tretdhé pret më kot me ardhë dikush me e marrë në tëpanë.

Po jet çika tuj britë e tuj piskatë
Mue vllaznit ç’m’i ka gjetë?
Plot tri vjet qetash janë bâ
S’asht ardhë kush në tpanë me më marrë!

Një mik i vëllait të saj, të cilit i bie rruga asajt me çetë, mundohet me e qetësue. I thotë se për shkak të një gjaku, vëllezërit e saj janë ngujuar, ndaj s’kanë mundur të vijnë. Vajza megjithatë i le një amanet:

Amanet ta paça lanë
Me m’i thanë Ali Bukurisë
Mos me e lanë kurrqysh pa më marrë në tpanë
Amanetin ty ta paç lanë!

Katër vargje; thelbi i lutjes që bën vajza është vetëm në dy të mesit, por rëndesa është te dy vargjet e tjera, që në të vërtetë nuk janë veçse i njëjti varg i përsëritur. Kërkesa hapet e mbyllet me të: amanetin ty ta paça lanë!
Në këtë shkallë të zhvillimit të veprimit barra e amanetit nuk peshon mbi vëllain e vdekur. Këtu është ndryshimi i parë i qenësishëm nga baladat e njohura për Besën. Barra e amanetit bie mbi shpatullat e një të treti që hyn rastësisht në ngjarje, siç është miku i të vëllait. I munduar prej ankthit të shkarkimit, ai vihet fill për udhë, ec një muaj rresht pa u ndalur dhe i bie “kah vorret”. Brengën e tij s’e mban toka: ç’të bëjë me amanetin, që i është dhënë për një të gjallë e i gjalli nuk është më, kujt me ia përcjellë?

Amanetit s’po din kah me i dhanë!

Nëse flasim me gjuhën e medias së sotme, ndihet si me pasë në duar një valixhe me ngarkesë bërthamore. Prej saj mund të quhesh i çliruar vetëm duke e dorëzuar në vendin e duhur, sipas të gjitha rregullave. Në fund të fundit, amaneti është për Ali Bukurinë e ai ka një banesë, anipse banesa e tij është në trajtë varri. Ajo njihet si shtëpia e tij, aty duhet me cokatë.

Ti si je Ali Bukuria
Amanet motra të ka çue
Në tpanë motrën për me e marrë
Amanetin ty ta paça lanë!

Valixhja e tmerrshme shpërthyese, ndorejeta, amaneti, lëshohet në vendin e caktuar. Përgjegjësia tash kalon aty, burri lehtësohet. Mbush mushkëritë me frymë e i le vorret pas.

4.
I gjalli çlirohet prej amanetit dhe largohet prej skenës. Amaneti tashti bie mbi një të vdekur, deshi s’deshi ai hyn në skenë. Drama është aq marramendëse, sa për zhvillimin e saj nuk mjaftojnë më as dy botët, që mendohet se i përkasin njeriut me trupin e shpirtin e tij. Duhet të futet në lojë edhe një e tretë: bota hyjnore. Pesha e amanetit mbërrin deri atje.

Punë e madhe amaneti ish kanë!

Amaneti e trazon edhe vetë Qiellin. Qielli nis me lëvizë:

Emni i Zotit aty çka po ban
Ia shtie shpirtin Ali Bukurisë
Me emën t’Zotit vorri â çelë
Me emën t’Zotit Alia kanka çue!

Ndërhyrja e qenieve mitologjike ose e fuqive të mbinatyrshme është e njohur qysh tek Epi i Gilgameshit; është faktor tek Iliada dhe tek Eposi ynë i Kreshnikëve. Veprojnë perënditë e gjysëperënditë, orët e zanat.
Por në baladën e Ali Bukurisë është diçka tjetër. Këtu vë dorë vetë Zoti!
Prania e Tij nuk është në ndonjë shprehje rutinë, por është e drejtpërdrejtë. Eshtë vetë Ai që i jep shpirt Ali Bukurisë; me emrin e Tij çelet varri dhe përsëri me emrin e tij Ali Bukuria nis me u sjellë si i gjallë: çohet më këmbë. Më tej është përsëri emri i Zotit që e vë në lëvizje engjëllin.

5.
Me sa kam dijeni është hera e parë që Amaneti shfaqet kështu në një vepër arti, si një institucion tripërmasor, fuqia e të cilit nuk njeh kufi jo vetëm midis jetës e përtejetës, por as midis njerëzores e hyjnores.
“Amanetin s’e mban toka”, kisha dëgjuar në fëmini. E përfytyroja si një masë të rëndë me të fshehta të pafundme, shpërfillja e së cilës e bën tokën me u dridhë e me u tëhumbë, duke u shndërruar në një zgafellë me shtjella vorbulluese tymi të zi. Por edhe “Amanetin s’e tret dheu”, dëgjoja tjetër herë. Domethënë, edhe po ndërrove jetë pa e përmbushur amanetin, kurrkush nuk shpëton prej detyrimit ndaj tij, mishi tretet, ndorejeta mbetet. Fantazia dilte në hapësira të reja, kur më kapte veshi: “Amaneti e shterr detin!” Me fjalë të tjera, në qoftë se dikush duhet ta kalojë detin pikërisht se ka një amanet me e krye, deti shterr sa të kalojë ai. Për shterrjen e detit flitej vetëm në kallëzimet e thjeshtësuara gojore të librave të shenjtë, që thuhen në degëzime të ndryshme, sipas feve, por gjithnjë me të njëjtin kumt.
Shihet se veprimi dramatik te Kanga e Ali Bukurisë nuk është një trill. Eshtë i lidhur me një filozofi popullore, që shprehet në baladë e në fjalë të urta, e me siguri, nëse studiohet më tej, do të dëshmohet edhe në përralla, hiqaja, rrotulla...

6.
I veshur me fuqinë e dikurshme të të gjallit, “me emër të Zotit” Ali Bukuria ngjesh armët, i kërcen gjogut në shpinë e gjogu, edhe ai i pajisur me një energji të papërmbajtshme, hidhet “pup” mbi avlli me një “krismë të madhe” bubulluese, thua vrau reja diku.
Zhvillimi i ngjarjes nëpër vijat përgjithësisht të njohura është i mbushur me hollësi artistike të mvetësishme: te motra, për shembull, nuk mund të sillet ndryshe veçse si një i vdekur:

Unë nuk muj kafen me e marrë
Unë nuk muj kafen me e pi
Sa ka nisë pak dergja me m’u hjekë
Hala s’muj gja me kërkue...

I shtrojnë me fjetë “në shilte e mindere”, por trupi i dêjun nuk ia duron teshat, përvidhet prej shtresave të buta e shtrihet në tokë, si në varr. Vetëm ashtu gjen pak prehje. Po prapë nuk mshel sy. Se “i dekuni kurrë nuk flen”.
Kah kthehet për në shtëpi me motrën, që e merr në të pamë, kalon përskaj “nandë vorreve” e ndalet tek i veti. Skenari i perëndishëm vazhdon. Çelet varri i tij që duhej të ishte bosh. Por nuk është bosh: gjatë tërë kësaj kohe paskej qenë banuar. Në mendësinë popullore “vorri nuk lehet thatë: po hoqe eshtnat n’atë gropë, duhet me shti dishka, bare nji shishe me ujë”. (Atë Kolë Berishaj, Malsia e Madhe, etnografi) Por aty nuk është një enë me ujë. Dikush ngrihet prej gropës: është “meleqi”, engjëlli. Ka plot dy muaj e një natë, kaq sa zgjati rruga vajtje-ardhje, që rri shtrirë ai në vend të Ali Bukurisë. Engjëlli ia ruan varrin! Shenjtëria e varrit, domosdoshmëria që ai kurrë të mos mbetet si një gropë e shpluet e lëshuar prej të zot, del edhe në krijime të tjera.

Del ndoiherë për me lodrue
Bje ndër gurra me u freskue
Kërkoi majet bashkë me zana
Se ty vorrin ta ruen nana
More i miri i nanës-o!

Kështu i drejtohet Ajkuna Omerit të saj në elegjinë e pashoqe “Ajkuna qan Omerin”. Shenjtëria e varrit, e derës së tij, shprehet edhe në një bé të moçme, të rëndë: “Pasha rrasën e vorrit!”, e deri në mallkime si: “Mos e lashtë vorri mbrenda!”.
Engjëlli i bën me dije Ali Bukurisë se tash e mbrapa ai është i lirë: duke e sjellë motrën, amanetin e ka kryer. “Amanetin e kie la!”, i thotë. Me këtë vëllai ndihet plotësisht i lehtësuar: e përmbushi andorejetën dhe për këtë nuk ka vetëm dëshmi njerëzore, por edhe qiellore. Por engjëlli është deri në fund engjëll: e këshillon me e përcjellë motrën deri në oborr të shtëpisë dhe vetëm atëherë mund të kthehet te vetvetja, te statusi i përjetshëm si jetëndërruar:

Ti n’oborr kie me dredhë
Ti, me ardhë në vorr me hi!

Mbyllet rrasa e varrit dhe engjëlli gjithnjë aty: ruan varrin sa të kthehet i zoti i tij, Ali Bukuria.

7.
Ku ndryshon Amaneti prej Besës?
Ndryshimi ndërmjet Besës dhe Amanetit, si institucione, nis në kompozimin e secilit. Te Besa është një marrëdhënie dypalëshe e vullnetshme: në njërën anë, ai që e kërkon besën dhe, në anën tjetër, ai që e jep atë. Dhënësi i besës edhe mund të mos e japë besën, është në dëshirën e tij të japë ose të mos e japë. Duke e dhënë besën, ai bën një zgjedhje të vetën, të lirë. Detyrimi nis vetëm më pas: kur e jep besën, duhet ta mbajë me çdo çmim, edhe i vdekur duhet të ngrihet në emër të saj.
Ndërsa tek Amaneti marrëdhënia dypalëshe mund të thuhet se nuk ekziston. Njëra palë fillimisht nuk ka kurrfarë roli, është vetëm objekt i një vendimi të palës tjetër. Ai që i le dikujt një amanet, ia le atë në mënyrë të njëanshme, pa e pyetur nëse ia merr përsipër apo jo. Aktori kryesor, ai që detyrohet me e mbajtë në shpinë amanetin, vihet para faktit të kryer. Por kodi moral është i tillë që, kur dikush të thotë “amanet ta paça lanë”, nuk ka vend për mëdyshje. Ti je i detyruar me ba të pamundurën me e çue në vend, qoftë edhe duke lënë peng jetën, madje edhe vdekjen. Thuhet “me e la amanetin”, siç thuhet për një borxh.
Përse, krejt ndryshe nga detyrimi i Besës, ku është një zgjedhje e vullnetshme, detyrimi i Amanetit bie në mënyrë arbitrare?
Si rregull Amaneti, Ndorejeta, është pjellë e një rrethane tejet tragjike, ku ndodhet lënësi i tij. Lënësi i amanetit mund të jetë duke ndërruar jetë ose në një gjendje a skajim, ku nuk ka kurrfarë daljeje a shprese tjetër, përveç një amaneti. Në mundësinë e parë që i krijohet, ia le amanetin dikujt. Eshtë kjo rrethanë e veçantë që e bën amanetin absolutisht të detyrueshëm. Eshtë kjo arsye që tjetri nuk gëzon asnjë të drejtë me kundërshtue. Detyrohet me e marrë përsipër e me e krye amanetin me çfarëdo çmimi, pavarësisht se vetë është krejt i jashtëm e madje i rastësishëm në këtë teatër tragjik. Dhe qysh prej kësaj imte, nga i rastësishëm merr rolin kyç në skenar, shndërrohet në protagonist.
Amaneti ravijëzohet kështu si një institucion, që e ndihmon njeriun e pamundur në një krizë për jetë a vdekje, në një makth tejet tragjik.
Për këtë arsye, kodi moral nuk le shteg me iu shmangë, Amaneti, Ndorejeta, merr përmasë hyjnore. Siç është hyjnore vetë jeta.
Kjo përmasë hyjnore nuk është shtresim i mëvonshëm, siç ndodh në baladat a në kështjellat e moçme. Eshtë pjesë e filozofisë mbi të cilën funksionon Amaneti. Në Bibël thuhet: “Zoti i mbron të pambrojturit.” Amaneti del pikërisht si një zgjatje dore e Zotit për të pambrojturit.
Te kjo veshje hyjnore është ndryshimi i dytë ndërmjet Amanetit e Besës. Te Kanga e Ali Bukurisë është Zoti, që ia shti prapë shpirtin e i jep jetë Aliut për të larë një amanet që ia lanë për së vdekuri mbi varr, dhe janë engjëjt që përfshihen në veprim: ia ruajnë varrin, i japin këshilla dhe në fund e nxjerrin të larë, “amanetin e kie la”. Aq e natyrshme është kjo përmasë, sa në të folmen e përditshme thuhet: Amaneti i Zotit, pash Amanetin e Zotit.
Besa mund të lidhet vetëm midis njerëzve të gjallë. Me amanetin ndodh ndryshe. Amaneti mund t’i lihet edhe një të vdekuri të panjohur te varri (ndërsa besa mund t’i kujtohet një të vdekuri vetëm në qoftë se ai e ka pasë dhënë besën për së gjalli, me dëshirën e vet). Amaneti mund t’i lihet edhe një kafshe, një sendi.
Këtu qëndron ndryshimi i tretë ndërmjet Amanetit dhe Besës, si institucione. Te Martesa e Halilit (Eposi i Kreshnikëve), Halili i burguar, i nxjerrë prej Krajlit në shesh gati për t’u therur faqe gjithë Krajlisë, në pamundësi me e njoftue Mujin, i le amanet një zogu që këndon në degë:

Amanet more zogu i malit
A ke flatra me fluturue?
Pashë njat degë ku rri pushue
Falëmeshndet Gjeto Basho Mujit
E atë gjumi n’e pastë xanë
Kurr kryet shndosh o mos e çoftë
Për n’kjoftë bjeshkëve kah çeton
Kurrë te shpija shndosh mos voftë
E për n’kjoftë kund ksajt tuj ndi
Kurrë ma ngushtë vedin s’e di!

Në disa degëzime të baladës, mbledhur në Has e në Kukës, ku Ali Bukuria dhe e motra shfaqen me emra të tjerë (Epikë Legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë 1983), amaneti i lihet sipas rastit një zogu, një korbi ose një kaçubeti.

8.
Angazhimi njerëzor sipas logjikës së faktit të kryer, pra me detyrimin me e marrë përsipër një përgjegjësi jetike në mbrojtje të dikujt, pa pasur të drejtën me u shprehë nëse dëshiron apo jo ta bësh këtë gjë, janë pjesë thelbësore e ngrehinës morale të shqiptarit. Kjo nuk ndodh vetëm në mitologji, e cila krijohet mbi një kod estetik të veçantë dhe ka liri fantazie të pafundme. Ndodh edhe në të drejtën dokësore shqiptare, ku nuk vepron as emocioni, as parafytyrimet a besimet e ndryshme, po thjesht matematika e ligjit. Fillimisht duket si pa kuptim, por dhe aty, si në legjenda, në rolin e amanetliut mund të jenë jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët a sendet.
Tërheq vemendjen një shkrim i shkurtë i Gjeçovit me titull “Besa të gjâsë e të çobanit”, që kallëzon ngjarjen e mëposhtme:
Një burrë në gjak kalon nëpër një mal me drojën se mund ta vrasin në pritë, ndaj i thërret dy-tri herë një çobani që kulloste dhitë në shpat, për me i lypë ndore. Meqë çobani nuk përgjigjet, udhëtari i thotë cjapit të kumbonës: “O sqap i kumbonës, thuejmi tyt zot se po më gjeti gja pa e kalue qafën e asaj kodre, ta dijë se i jam pre mik!” Siç e kish parandier, ky njeri pas disa hapash vritet në pritë. Një bari tjetër e kish dëgjuar rastësisht fjalën që i vrari i kish lënë cjapit të kumbonës dhe ia kallëzon ndodhinë të zotit të cjapit. Ky e dëgjon, kthehet në shtëpi e armatoset mirë dhe del e e vret vrasësin e njeriut, që kish lypë ndore nëpërmjet cjapit. Pleqtë me kanun i dhanë te drejtë: ka vrarë dorasin, “mik i premë e mik i marrun”. Institucioni i ndores, në mungesë të njeriut, funksionoi për mrekulli edhe nëpërmjet një kafshe. Ndorja iu la amanet asaj në trajtën e një kumti, që duhej përcjellë tek i zoti. Çështja u mbyll.
Institucioni i ndores, që ka edhe elementë Amaneti - prandaj amanetit i thonë ndorejetë - edhe elementë Bese, me përparësi të njërit apo tjetrit sipas rastit, vihet në lëvizje edhe nëpërmjet një sendi, duke e “prokuruar” kërkesën për ndore tek ai. Nëse dikush kalon gjatë një udhe të shkretë me një rremb dushk në qafë (Kanuni i Lekë Dukagjinit), ose me një rremb dushk në grykë të pushkës (Kanuni i Skanderbegut), ai është i pacenueshëm: degëza e gjelbër thotë se ai është me ndore e nuk mund të preket.
Një kod moral, që i krijon menjëherë mundësi institucionale mbrojtjeje cilitdo të panjohur, i cili është i pambrojtur e në rrezik, është dëshmi e një humanizmi hyjnor. “Zoti i mbron të pambrojturit.”
Ndoshta prandaj misioni i Amanetit në mitologjinë e në fjalë të urta shqiptare shfaqet aq i shenjtë, sa në përmbushjen e tij merr pjesë vetë Qielli. Me urdhër të tij, edhe engjëjt veprojnë përunjësisht si shërbëtorë të mirëfilltë të Njeriut.
Megjithëse balada e Konstandinit e Doruntinës është e njohur edhe në popuj të tjerë të Ballkanit, në degëzime të ndryshme, me sa dimë asnjë popull s’e ka në një degëzim të ngjashëm ku gjithçka vihet në lëvizje prej Ndorejetës - Amanetit, edhe ky një institucion i pastër shqiptar, krejt origjinal. A do të thotë kjo se fillesa e kësaj balade është pikërisht në trojet e në shpirtin shqiptar, prej ku është përhapur te të tjerët më pas?

Janar, 2005

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›