E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam beqar

Lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana – që për momentin luan për ekipin italian të Lazios – ka thënë në një intervistë për gazetën MAPO të Shqipërisë se ai është beqar. Kështu ai ka demantuar një shkrim që e lidhte atë me një femër me emrin Gemma Bertenshaw. Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 21:00

Një histori dashurie se kinse Lorik Cana është në një lidhje dashurie me anglezen Gemma Bertenshaw – e të cilën e kishte raportuar gazeta Panorama – është hedhur poshtë nga Lorik Cana në një intervistë të gjatë që ai ia ka dhënë gazetës “MAPO” të Shqipërisë.

Cana në këtë intervistë ka thënë se ai është i habitur dhe i çuditur me këtë lajm.

“Unë, së paku, e jo vetëm unë, por të gjithë, janë pak të çuditur, pasi ky lajm nëse mund ta quajmë lajm, ka më se një vit që është përfolur. Dhe vetë titulli ‘zbulohet’… diçka bëhet, nuk zbulohet një gjë e vjetër… Madje për gjërat që flitet aty, nuk qëndrojnë. Unë nuk e kam problem të flas rreth jetës sime, nëse kam ndonjë gjë për të treguar ose për të thënë për jetën time private, nëse dua ta bëj publike, do ta bëj vetë”, ka thënë Cana.

Sipas tij, njerëzit duan të dinë për mua dhe për shumë njerëz që janë personazhe, “kjo është krejt normale, është pjesë e jetës sonë dhe nuk e kam problem këtë gjë. Por deri kur nuk denigrohet një person aty, e sidomos kur është një person i afërt… Personi në fakt që përflitet është një person i afërt, një mik i familjes sime, kemi biznese bashkë, kemi shumë gjëra bashkë dhe nuk më pëlqen aspak kur denigrohet”.

Cana ka vlerësuar se shkrimi në fjalë është një shkrim që e denigron atë personalisht, sepse së paku ai kërkon që të respektohen njerëzit e tij të afërm. “Njerëzit mund të shkruajnë çfarë të duan, nuk është se s’jam dakord, por pa denigrim dhe gjëra të pavërteta. Mandej, sigurisht që gjërat që janë shkruar nuk janë absolutisht të vërteta”.

Ndryshe, ishte thënë se ai është në lidhje me një angleze dhe se lajmi ishte cilësuar si ekskluziv, ndërkaq i pyetur se a është në ndonjë lidhje për momentin, Cana ka thënë se është beqar. “Unë nuk jam me askënd për momentin. Kam kohë që nuk jam me askënd, ka ndoshta 10 muaj dhe do vazhdoj jetën time shumë qetë dhe mirë”, ka thënë ai, përderisa ka shtuar është i interesuar për një lidhje serioze në dashuri. “Po, ashtu duhet ta mendoj, ta filloj me atë mendim, më tej si do shkojë, askush nuk e di. Sigurisht që e mendoj me perspektivën e jetëgjatësisë”.

Në dokumentarin e Dushkut

Cana nga ana tjetër është takuar edhe me aktoren e Hollywoodit, Eliza Dushku. Atij i është propozuar që të jetë pjesë e dokumentarit të kësaj të fundit. “U bë në minutën e fundit, në fakt. Unë jam shumë mik me Fadil Berishën dhe me aktorin Blerim Destani dhe ata më kontaktuan dhe më propozuan nëse mund të isha pjesë e këtij dokumentari, si njeri i sportit në vendin tonë dhe në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Cana.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›