Këshilla filozofike nga nobelisti indian
Ekonomisti dhe filozofi indian, fitues i çmimit Nobel për Ekonominë në vitin 1998, vjen në shqip përmes librit të tij Identiteti dhe dhuna. Në këtë vepër të tij filozofike, botuar nga Instituti Shqiptar i Medias, Amartya Sen parashtron idenë se dhuna vrastare, që karakterizon sot shoqërinë tonë, ka si shkak po aq çoroditjen që përjetojmë, sa dhe urrejtjen. Duke sfiduar ndarjen e thjeshtëzuar të njerëzimit sipas racave, feve apo klasave sociale, Seni na sjell vizionin frymëzues të një bote e cila mund të dalë nga spiralja e brutalitetit dhe dhunës, për tu orientuar drejt paqes. Me prozën e tij mjeshtërore, erudicionin e natyrshëm dhe ironinë e tij, A. Sen është sot një ndër të paktët intelektualë në botë, tek i cili mund të mbështetesh për ti dhënë kuptim çoroditjes sonë ekzistenciale.