E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jam i sigurt se Osama është gjallë

Omar Bin Laden, djali i sheikut të terroristit, tregon për jetën e të atit

Nuk e sheh të atin që prej vitit 2001, kur të dy u përshëndetën në Afganistan, megjithatë është i sigurt se është gjallë. Për këtë bazohet te regjistrimet me zërin e tij që ka arritur ta dëgjojë në shumë xhirime. Omar Bin Laden, 28 vjeç, është djali i katërt i Osamas, trashëgimtari i tij dhe më rebeli i anëtarëve të familjes së liderit të “Al Qaedas”. Në të njëjtën kohë me daljen e “Growing up Bin Laden”, libri që tregon jetën me të atin në Arabinë Saudite, Sudan dhe Afganistan, prishjen e marrëdhënieve të tyre dhe ëndrrën për t’u pajtuar, Omar tregon se kush është babi i tij dhe përse është i sigurt se është gjallë, pavarësisht se prej tij nuk ka lajme që nga viti 2001. “Dua të them se jam krenar për mbiemrin tim. Nëse kam zgjedhur të flas dhe të shkruaj një libër, kjo sepse për ne janë thënë shumë gjëra të rreme dhe unë doja të thoja si është e vërteta. Familja ime ka bërë shumë gjëra të mira në botë: gjyshi im ishte një njeri i madh”. Në librin e tij, Omar Bin Ladeni flet për të atin si një burrë që shpesh mungonte në jetën e tyre, pasi ishte i angazhuar me punë të rëndësishme në Arabinë Sauditë, Sudan dhe Afganistan ndërsa për veten si një djalë që për të fituar dashurinë e të atit, mori rolin e liderit në familjen me 18 vëllezër dhe motra, duke u bërë pasardhës i projekteve të mëdha për të cilat Obama punonte prej kohësh. “Një ditë na thirri të gjithë fëmijët dhe na tha që duhet të shkruanim emrin nëse donim të vdisnim për Islamin. Asnjëri prej nesh nuk shfaqi interes. Ishte një tronditje e madhe”. Buzëqeshjen enigmatike dhe ftohtësinë që e karakterizonte janë dy kujtimet që Omar ruan prej të atit. “Shpresoja shumë që të mos ishte ai arkitekti i 11 shtatorit”, tregon ai. Që nga dita e atentateve në SHBA, çdo kontakt mes kreut të familjes dhe njerëzve të tij është ndërprerë. “Askush nga ne nuk ka folur më me të. Por jam i sigurt se është gjallë. Kam dëgjuar zërin e tij në shumë regjistrime që flasin për ngjarjet që po ndodhin tani”. Megjithatë ai nuk ka asnjë ide se ku mund të fshihet i ati. “Nuk e di as unë, as vëllezërit dhe as motrat e mia. Kush thotë se e di ku fshihet e bën për qëllime të caktuara, për interesat e tij: thuhen shumë gjëra të çuditshme kur flitet për të. Në fund Omar tregon: “Edhe sikur ta dija se ku ndodhej, nuk do ta thoja. është babai im, edhe pse nuk i mbështes zgjedhjet e tij, vazhdoj ta dua”. Që prej vitit 2001, nuk dihet nëse Osama është gjallë apo ka vdekur. Për një dhjetëvjeçar, Bin Laden ia ka dalë që t’i shmanget ndjekjes më të madhe që i është bërë nga një superfuqi, një njeriu të vetëm në gjithë historinë botërore. Këshilltarët më të afërt të Obamës për çështjet e terrorizmit thonë se amerikanët nuk kanë asnjë ide se ku mund të ndodhet ai. Në mungesë të lajmeve konkrete, Bin Laden është shndërruar në një mit të rrethuar nga thashetheme. Ndërkohë, gjatë viteve janë transmetuar shumë video, apo kaseta me zërin që pretendohet të jetë i Bin Ladenit, por autenticiteti i tyre është vënë shpesh në dyshim. Askush nuk mund t’i vërtetojë ato.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›