Mitingu i 1 majit i qeverisë kushtoi 28.2 milionë lekë
Ministria e Kulturës dhe ajo e Punës dhe çështjeve Sociale shpenzuan rreth 280 mijë dollarë nga paratë e taksapaguesve për të organizuar mitingun që qeveria zhvilloi më 1 maj dhe që u interpretua gjerësisht si përgjigje politike ndaj opozitës. Lajmi bëhet i ditur nga një vendim qeverie që u miratua më 9 prill, por që u publikua vetëm dje.
“Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri ‘Projekte kulturore’, t’i shtohet fondi 8.4 milionë lekë për organizimin e veprimtarive kulturore, në kuadër të festës së 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve”, thotë vendimi.
“Ministrisë së Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në buxhetin e miratuar për vitin 2010, zëri “Shpenzime operative”, t’i shtohet fondi 19.8 milionë lekë për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, si dhe për përgatitjen e materialeve dekorative e të tjera, në kuadër të festës së 1 majit”, thuhet më tej në vendim.
Këto para u përdorën për organizimin e një mitingu në sheshin “Nënë Tereza”, ku morën pjesë zyrtarët e qeverisë, përfshirë edhe Kryeministrin Sali Berisha.
Qeveria shqiptare është akuzuar vazhdimisht se po përdor paratë e taksapaguesve për të organizuar mitingje elektorale apo për të paguar fushata publicitare në funksion të politikës së saj zgjedhore, një praktikë shumë e kritikuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë zgjedhjeve të fundit. Megjithatë, kjo praktikë vijon të përsëritet vazhdimisht.
#