E Diel, 1 Nëntor 2026

Edmond Taullaj, karremi që dekonspiroi grupin kriminal

Krimet e Rënda, hetim edhe për 20 persona të tjerë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge

Nuk e kuptoi asnjëherë se ishte personi që do t’i çonte prokurorët në zbulimin e grupit, ku bënte pjesë edhe vetë, ndërsa do t’i duhet të mësohet me një qëndrim më të gjatë në qelitë e paraburgimit. Edmond Taullaj ishte i përgjuar deri kur specialët trokitën në “portën” e shtëpisë për ta marrë me vete drejt kryeqytetit. Ndërkohë që ai dhe katër të tjerë u arrestuan në kuadër të operacionit “Ura”, Eglantina Lulos dhe Endrit Dokles iu komunikua akuza në vendet e vuajtjes së dënimit në Itali dhe Shqipëri. Hetimet e prokurorive të dy vendeve nuk mbarojnë këtu. Sipas organit të akuzës, në listën e të dyshuarve si pjesëmarrës në trafikun ndërkombëtar të drogës janë edhe 20 persona të tjerë. Kohë pas kohe ata do t’u përgjigjen pyetjeve të hetuesve në lidhje me rolin që kanë pasur në grupin e strukturuar kriminal.

Ndalimi i Taullajt

Edmond Taullaj nuk e ka për herë të parë ndalimin në ambientet policore. Ai ka qenë i shoqëruar për të parën herë në korrik të vitit 2007, pasi ndodhej në shtëpinë e Fiorentina Kotorrit, të dashurës së Lul Berishës, së bashku me Indrit Taullajn, vëllain e tij, i cili ishte në kërkim policor nën akuzën e pjesëmarrjes në banda të armatosura dhe për vrasjen e vëllait të Klodian Saliut. Operacioni i realizuar nga forcat RENEA dhe i koduar “Spitalla 2”, shpuri në qeli përveç dy të sipërpërmendurve, edhe katër persona të tjerë. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit për ngjarjen e sipërpërmendur thuhej: “Në kuadër të operacionit ‘Spitalla 2’ u realizua shoqërimi dhe ndalimi i shtetasve Edmond Taullaj, Ervis Cërriku, Ervin Cukja dhe Gramos Ago, të gjithë banues në Durrës. Ndalimi i tyre u bë pasi hetohen të dyshuar si bashkautorë në vrasjen e Shkëlqim Saliut”. Gjykata i la 40 ditë në burg katër të shoqëruarit, për të saktësuar pozicionin e tyre në momentin e vrasjes së vëllait të Klodian Saliut. Ka mbetur enigmë fakti se si mundi të dilte “pa lagur” Edmond Taullaj. Megjithatë, burime nga organi i akuzës thonë se kanë grumbulluar material me hetime speciale për afera të mundshme në lirimin e tij. Edmond Taullaj, një vit më pas do ta provonte përsëri qelinë, por si edhe në rastin e parë, do të rifitonte lirinë. Organi i akuzës duket se këtë herë i ka të kopsitura letrat për Edmond Taullajn, duke shpresuar edhe në shprehjen popullore, “e treta e vërteta”.

Përgjimet dekonspiruese

Policia e ka arrestuar për herë të dytë Edmond Taullajn, vëllain e Indrit Taullajt, një prej anëtarëve të bandës së Lul Berishës, në dhjetor të vitit 2008. Prangosja tij u bë pas denoncimit të bërë nga një studente për rrëmbim e mbajtje me dhunë, si dhe kryerje të marrëdhënieve seksuale nëpërmjet përdorimit të torturës. Shtetasja nga Durrësi, studente në Tiranë, kishte njohje me Edmond Taullajn, i cili e kishte marrë dhe për disa ditë me radhë e kishte mbajtur të izoluar në një banesë që e kishte në dispozicion në plazhin e Durrësit. Policia këtë arrestim, duke marrë shkas edhe nga fillimet e hetimeve për grupin e trafikut ndërkombëtar të drogës, e ka shfrytëzuar për të përgjuar telefonatat që bëheshin apo vinin në aparatin e Taullajt. Për të larguar çdo dyshim që ai përgjohej, duket se është bërë edhe kombinacioni për ta lënë të lirë, duke mos ngritur akuzë për Edmondin. Janë dhjetëra orë përgjime ato që hedhin dritë mbi mënyrën e veprimit të trafikantëve, të cilët dërgonin drejt brigjeve italiane sasi të konsiderueshme të heroinës. Pas dy vjetësh, kur edhe është mësuar gjithçka, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi operacionin “Ura”, duke arrestuar pesë persona si pjesëtarë në grupin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky operacion u realizua në bashkëpunim me strukturat e policisë italiane dhe të vendeve të rajonit, nga ku dyshohet se kalonte lënda narkotike, për të përfunduar më pas në vendet perëndimore. Në këtë grup të mirorganizuar, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, bënte pjesë edhe Endrit Dokle, një nga krerët e bandave të Durrësit, i arrestuar në vitin 2005 për shumë vrasje. Megjithëse në burg, Dokle drejtonte dhe organizonte trafikun e drogës në Itali. Nga përgjimet e prokurorisë ka rezultuar se Dokle ishte një nga tre krerët e këtij grupi dhe duke bashkëpunuar me “ushtarët” e tij, në liri, arrinte të kalonte qindra kilogramë lëndë narkotike jashtë shtetit. Në dy raste, sasia e lëndës narkotike është sekuestruar, ndërsa hetimi në kompleks konsiderohet nga prokuroria dhe policia si një sukses, pasi është arritur të zbardhet e gjithë linja e trafikut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›