Jam shumë i lumtur sot të jem këtu me mikun tonë të shquar z. Forbes. Vizita e z. Forbes dhe interesi i tij për Shqipërinë i sjell në një stad të ri marrëdhëniet dhe miqësinë midis popu
Jam shumë i lumtur sot të jem këtu me mikun tonë të shquar z. Forbes. Vizita e z. Forbes dhe interesi i tij për Shqipërinë i sjell në një stad të ri marrëdhëniet dhe miqësinë midis popullit shqiptar dhe atij amerikan. Nuk është thjesht koinçidencë që kjo vizitë e rëndësishme u parapri nga prania në Tiranë fillimisht e Sekretarit amerikan të Shtetit z. Kolin Pauell dhe Sekretarit amerikan të Mbrojtjes z. Donald Ramsfeld.
Nëse më lejoni z. Forbes unë po përsëris atë që ju kam shprehur edhe në zyrën time- jemi në rrugën më të mbarë për Shqipërinë. Vendi ynë ka bërë zgjedhjen e duhur për të përkrahur dhe qëndruar shumë pranë Amerikës, sidomos në konfliktin e Irakut, ku regjimi i Sadam Huseinit u përmbys. Sigurisht që ne të dy jemi të lumtur që jemi në krahun e fituesve. Duke vlerësuar miqësinë e madhe me popullin amerikan dhe duke e cilësuar këtë luftë si një kauzë të drejtë, Shqipëria ofroi tokën, hapësirën, si dhe trupat e saj ushtarakë për të qenë pjesë e koalicionit kundër terrorit dhe regjimit të Sadam Husein. Ne jemi krenarë për këtë. SHBA dhe BE janë aleatët tanë jo vetëm në luftën kundër terrorizmit por gjithashtu në përpjekjet tona për integrim, zhvillim dhe progres. Këta aleatë të rëndësishëm kanë qenë me ne çdo ditë gjatë këtyre 13 viteve të fundit në mënyrë që tranzicioni ynë të jetë më i shkurtër dhe pa shumë dhimbje.
Dëshiroj të theksoj, gjithashtu, se angazhimi i Qeverisë Shqiptare në ndërrmarrjen e reformave, ka bërë që të hyjmë në një fazë të re të zhvillimit tonë- po forcojmë ekonominë e lirë të tregut dhe po ripozicionojmë rolin e Qeverisë në aspektin ekonomik dhe atë social. Ne besojmë se iniciativat e lira, një sektor privat i fortë dhe një qeveri sa më efikase janë mënyrat e vetme për të ndërtuar prosperitetin dhe stabilitetin, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon. Ne, gjithashtu, po vazhdojmë të ndërrmarrim reforma të plota, të cilat padyshim do të shmangin monopolin shtetëror që mbetet akoma në disa sektorë të fundëm, siç janë telekomunikacioni, energjia, ashtu sikurse mbeten për tu privatizuar disa nga kompanitë shtetërore si ato në sistemin bankar, sigurimet dhe industrinë e naftës. Këto reforma të cilat po shoqërohen edhe me shmangien e barrierave administrative, përmirësimin e sistemit të taksave dhe Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë po përmirësojnë klimën e përgjithshme të biznesit në Shqipëri duke rritur gjithashtu investimet e huaja dhe ato të brendshme në vendin tonë.
Për shkak të tyre mund të themi që kompanitë si Vodafone, General Electric, Premier Oil, Lockheed Martin, si edhe kompani të tjera të shquara që vijnë nga ekonomia globale janë bërë tashmë pjesë e ekonomisë shqiptare. Tërheqja e investimeve direkte të huaja dhe aktivizimi i investimeve të brendshme janë qëllimet dhe sfidat tona kryesore.
Ndërmjet të tjerash, masa të tilla po kontribuojnë në përmbushjen e qëllimit kryesor të Qeverisë dhe popullit shqiptar që është integrimi në Bashkimin Europian. Progresi ynë në procesin e integrimit europian është bërë i dukshëm edhe përmes përmirësimit të rendit publik dhe sigurisë, forcimit të kufijve, një performance më të mirë të qeverisjes dhe administratës publike, reformave agresive në të gjithë sektorët si arsim, shëndetësi, si dhe për të luftuar varfërinë, gjithashtu edhe arritjet e tjera që kanë përmirësuar kontributin tonë për integrimin ekonomik në nivel rajonal.
Sot, Shqipëria tërheq vëmendjen ndërkombëtare jo për situata emergjente apo kriza të së shkuarës. Sot, ne tërheqim vëmendjen në nivel ndërkombëtar për përpjekjet intensive dhe të vendosura që po bëjmë për tu bërë pjesëtarë të zhvillimit, të demokracisë, në lidhje me sigurinë dhe stabilitetin, në të cilin ne kemi dhënë kontributin tonë. Shqipëria, një vend i cili kërkoi asistencën ushtarake të vendeve euro-atlantike për të rivendosur autoritetin e shtetit, është shndërruar tashmë jo vetëm në një kontribues të rëndësishëm në stabilitetin e Ballkanit, por mbi të gjitha në nivel rajonal kemi treguar se jemi të aftë të dërgojmë trupa shqiptare për të ndihmuar dhe asistuar në Afganistan, në Irak dhe në Bosnje- Hercegovinë, sikurse e përmenda më lart.
I thashë të gjitha këto duke përfituar nga mundësia e pranisë Suaj këtu z Forbes si një nga promotorët e shkëlqyer të iniciativave private dhe reformave qeverisëse. Ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm në Amerikë sidomos me kritikat dhe artikujt tuaj që kanë të bëjnë me filozofinë e tregut të lirë dhe nismat e sipërmarrjes private. Prandaj unë po përfitoj nga rasti t' ju falënderoj edhe njëherë,- sikurse bëra edhe në takimin me ju në zyrën time- për këtë vizitë, e cila tregon edhe njëherë që Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm përpara, ndoshta mjaftueshëm për të qenë edhe në kopertinën e revistës shumë të njohur "Forbes Magazine".