Sot Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në përurimin e Fabrikës Ital-Col në zonën e Vorës. Në këtë ceromoni morën pjesë edhe Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Besnik
Sot Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë në përurimin e Fabrikës Ital-Col në zonën e Vorës. Në këtë ceromoni morën pjesë edhe Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit Besnik Dervishi, Zv/ministri i Ekonomisë Ilir Ciko, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe të ftuar të tjerë.
Kjo fabrikë përfaqëson një linjë shumë moderne bazuar në eksperiencën italo-gjermane, me një investim prej 3 milionë Euro. Kapaciteti i fabrikes është 150 ton në ditë. Produktet kryesore që prodhon janë llaçet e thata dhe kolla e tipeve të ndryshme, materiale që deri më sot importoheshin në masën 90% .
Kryeministri Fatos Nano përshëndeti ceremoninë e inagurimit, duke u shprehur:
"Të nderuar pjesëmarrës,
Pranova me kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në përurimin e Fabrikës Ital Col, si pjesë integrale e një sektori i cili ka qenë në krye te rritjes ekonomike të viteve të fundit, atij të ndërtimit. Kam kënaqësinë e veçantë të shoh se si sipërmarrja shqiptare po hyn tashmë në shtratin e zhvillimeve cilësore sidomos përsa i përket teknologjive dhe standarteve të prodhimit
Këto investime po zëvendësojnë me sukses produktet e importit dhe janë të afta të konkurojnë në tregjet rajonale dhe globale, falë dhe marrëveshjeve më të fundit të tregëtisë së lirë me një sërë shtetesh të rajonit dhe më gjërë. Ndërtimi i kësaj fabrike është një sinjal i rëndësishëm që investimet serioze po vijnë në sektorë prioritarë të zhvillimit, të integrimit dhe të konkurimit tonë në rajon dhe më gjerë.
Aksioni ynë qeverisës përgjatë vitit të fundit ka synuar institucionalizimin e mëtejshëm të partneritetit me sipërmarjen, në thellimin e investimeve dhe çeljen e vendeve të reja të punës, që përshpejtojnë arritjen e rezultateve në luftën kundër ekonomisë informale dhe konkurencës së pandershme e të paligjshme dhe që ç'është më e rëndësishme i ndryshojnë faqen Shqipërisë.
Lufta që shteti po bën kundër evazionit fiskal, informalitetit në ekonomi dhe konkurencës së pandershme po i bën sipërmarrësit gjithnjë e më të sigurtë për të investuar. Kjo do të thotë se aktivitetet të ligjshme si ky të cilin përurojmë sot, do të gjejnë një klimë tepër të favorshme për fitime të ligjshme në Shqipëri dhe nuk do të mund të konkurohen më nga subjekte ilegale që akumulojnë fitime të paligjshme për shkak të shmangjes së kontributit fiskal. Ne po punojmë për legalizimin e iniciativave që mbështeten tek djersa dhe respekti i ligjit dhe që natyrisht tregojnë dhe shfaqin aftësitë konkuruese, ndërtuese dhe lëvizëse të shqiptarëve. Realiteti po ndryshon përditë dhe Shqipëria nuk është më vendi i skafeve, i rrëmujës dhe i anarkisë por vendi i oportuniteteve të barabarta. Këtë fakt e kanë vënë re edhe investitorë të huaj e me eksperiencë dhe ata po afrohen gjithnjë e më shumë.
Sinjalet që më vijnë përditë nga partnerët tanë të zhvillimit tregojnë se kemi hyrë në rrugë të mbarë, në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabilitetin e institucioneve demokratike. Së bashku me këta partnerë po përqëndrohemi në forcimin e rregullave që e shndërrojnë dhe tregun shqiptar në modelin, standartet dhe institucionet e tregjeve të vendeve euroatlantike. Ky aksion qeverisës nënkupton dhe reduktimin dhe eliminimin e barrierave administrative apo burokratike që pengojnë, vonojnë, lodhin sipërmarrjen në Shqipëri. Më tej së bashku me Bankën Botërore dhe FMN dhe me kontributin e sipermarrjes, po mbyllim një paketë ndërhyrjesh normative, ligjore, ekonomike dhe financiare që do ta bëjnë kontaktin dhe marrëdhënien e sipërmarrjes me shtetin e administratën transparente, të drejtpërdrejtë dhe me të zhdërvjelltë.
Nga ana tjetër, Qeveria po investohet në mënyrë konstante në krijimin e sa më shumë lehtesirave për sipërmarjen duke ndjekur me vendosmëri axhendën e ngjeshur të ndërtimit të rrugëve të reja, riparimit të atyre ekzistuese për t'i sjellë në standartet ndërkombëtare; sigurimit të energjisë aq të nevojshme për prodhimin, si dhe duke kontribuar në ndërtimin e infrastrukturave rajonale në mënyrë që sipërmarrja Shqiptare të mos jetë e izoluar, por të arrijë me lehtësi në tregjet fqinje. Dëshiroj t'ju garantoj se angazhimi im politik dhe qeverisës do të mbetet prioritar dhe konstant në drejtim të mbështetjes së sipërmarrjes shqiptare për ta sjellë atë në standartet dhe normativat europiane dhe për ta bërë atë sa më konkuruese. Vetëm kështu do të mund të arrijmë objektivin tonë për krijimin e mirëqënies dhe integrimit në familjen Europiane.
Punë të mbarë dhe suksese".