Kryeministri Fatos Nano ka thirrur sot në raport Drejtorin e Zhvillimit Shqiptar ku u njoh me programimin e aktiviteteve të FZHSH-së për vitin 2003, realizimet e 6-mujorit të parë dhe ecurinë
Kryeministri Fatos Nano ka thirrur sot në raport Drejtorin e Zhvillimit Shqiptar ku u njoh me programimin e aktiviteteve të FZHSH-së për vitin 2003, realizimet e 6-mujorit të parë dhe ecurinë për muajt në vazhdim.
Në zbatim të Srategjisë së FZHSH-së Kryeministri udhëzoi që programi 4-vjeçar 2003-2006 që përfaqëson një buxhet të përgjithshëm për rreth 80 milionë dollarë të menaxhohet dhe monitorohet në përputhje me nevojat prioritare dhe metodologjinë e re të ndarjes së fondeve me buxhet në nivel Qarku.
Miratimi nga Qeveria i Memorandumit të Financimit të Programit CARDS, Projekti i ri i IDA-s me vlerë 22 milion dollarë , kontributet e Bankës Islamike për Zhvillim, Bankës së Këshillit të Europës, Qeverisë Gjermane dhe mbështetjes nga buxheti i shtetit do të bëjnë që të financohen edhe 180 vepra të reja sipas listave të propozuara nga njësitë e pushtetit vendor.
Kryeministri porositi që FZHSH krahas projekteve ekzistuese të shikojë mundësinë e çeljes së një programi të ri për të zgjidhur përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm të të gjithë zonave rurale të vendit. Nga ky projekt me vlerë 40 milionë dollarë do të përfitojnë rreth 700 mijë banorë dhe do të financohet nga buxheti i shtetit, donatorët dhe kontributi modest i vetë përfituesve.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që FZHSH të koordinojë më mirë se deri tani interesat e biznesit vendas me ato të vetë Fondit edhe për financime të përbashkëta të projekteve.