Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me prefektët. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizmit, Ben Blushi. Takimi u zhvillua në kuadÃ

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot paradite një takim me prefektët. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizmit, Ben Blushi. Takimi u zhvillua në kuadër të analizave gjashtëmujore të punës së qeverisë.
Kryeministri Fatos Nano u shpreh se ligji "Për prefektin" ka sjellë ndryshime të rëndësishme në kompetencat, rolin, veprimtarinë dhe rezultatin e punës së prefektit. "Eshtë akumuluar gjatë kësaj kohe edhe një përvojë, e cila e mbështetur edhe nga aktet nënligjore që aktivizojnë ligjin kuadër "Për Prefektin", ka krijuar mundësinë për të plotësuar vakumet administrative, duke përmirësuar dhe rritur kapacitetin funksionues apo veprues të administratës së prefektit, pra duke na sjellë në realitet një hop cilësor në administrimin publik në skemën territoriale, me ndikim direkt në shtrirjen e politikave të zhvillimit nga qendra në nivel rajonal e vendor, si dhe në përmirësimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancimit të qeverisjes në të gjithë territorin", tha z.Nano.
Kryeministri kërkoi që jo vetëm në nivel qëndror por dhe në çdo qark, të bëhen analiza më të plota për arritjet dhe mosarritjet e institucionit të prefektit në përgjithësi, si kusht për të konsoliduar këtë institucion që është shumë i rëndësishëm në organigramën shtetërore dhe rezultatin e reformave dhe të autoritetit dhe kopetencave të reja që po zbresin në nivele qarqesh dhe rajonesh për shkak të decentralizimit.
Gjatë kësaj periudhe, institucioni i prefektit është kompletuar edhe si strukturë me vendosjen e 24 nënprefektëve në të gjithë rrethet jo qendër qarku, të cilët po mundësojnë administrimin më të mirë të shërbimeve rajonale të decentralizuara pranë komuniteteve, duke i afruar me shtetasit sipas parimit të subsidaritetit, tha Kryeministri.
"Në janar të këtij viti ne bëmë sëbashku një hap të rëndësishëm dhe historik madje për zgjerimin e autonomisë së pushtetit vendor: nisëm të zbatojmë paketën ligjore për decentralizimin fiskal, regjistrimin e pasurive të paluajtshme, përmirësimin e rregjistrit civil. Në këtë këndvështrim, profili i punës suaj dhe administratës që ju drejtoni merr akoma më shumë rëndësi për shfrytëzimin e hapësirave ligjore të krijuara dhe për forcimin e rolit aktiv në mbledhjen e të ardhurave fiskale nga taksat dhe tarifat vendore", tha Kryeministri Nano.
Kryeministri vlerësoi se rezultatet e deritanishme në mbledhjen dhe administrimin e taksave dhe tarifave vendore flasin qartë për efektet pozitive të reformës dhe kjo është një provë që reforma u bë në kohë dhe po menaxhohet mirë. Kryeministri kërkoi gjithashtu, ushtrimin e presionit maksimal ligjor për rritjen e bashkëpunimit me Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Zyrat e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për mbledhjen e plotë të taksës së rregjistrimit të automjeteve të transportit dhe taksës së transaksioneve të pasurive imobiliare.
Kryeministri Nano kërkoi nga prefektët që të përqëndrojnë vëmendjen në verifikimin e veprimtarisë që realizojnë Organet e Qeverisjes Vendore në:
§ Proçesin e inventarizimit të ndërtimeve pa leje dhe legalizimit të tyre
§ verifikimin e akteve të nxjerra nga KRRT-të e qarkut, bashkive dhe komunave
§ verifikimin e dokumentave që janë në proçes shqyrtimi nga KRRT-të përkatëse, për të parandaluar veprime të kundërligjëshme
§ verifikimin në terren të rasteve ku konstatohet se ka elementë të shkeljeve ligjore dhe prandaj është e nevojshme ndërhyrja me organet kompetente përkatëse për të pezulluar ndërtimin apo dhunimin e territorit jashtë ligjit dhe planeve të zhvillimit
"Kemi hyrë tashmë në pragfushatën e zgjedhjeve administrative vendore. Të gjithë jemi përballë përgjegjësisë maksimale ligjore, por edhe politike për të siguruar një fushatë zgjedhore të qetë dhe një proçes zgjedhor të standarteve demokratike, pra të pakontestueshme. Ka ndryshime substanciale në Kodin Zgjedhor, të cilat janë bërë me vullnet konsensual të mazhorancës dhe opozitës dhe kjo është një pikënisje pozitive dhe shumë e rëndësishme për stabilitetin e zgjedhjeve administrative të këtij viti, por efekti nuk është automatik prandaj roli juaj institucional është i rëndësishëm. Ne jemi të interesuar, në radhë të parë për një proçes zgjedhor të ndershëm, të lirë, demokratik e të pakontestueshëm", tha Kryeministri Nano.
"Zgjedhjet duhet t'i fitojë mazhoranca që qeveris dhe të fitojë edhe kredibilitetin e një proçesi zgjedhor të administruar në mënyrë korrekte dhe të pakontentestueshm", tha Kryeministri Nano.
"Detyrat tuaja konsistojnë në një angazhimin serioz dhe të programuar për ndërtimin e infrastrukturës së këtyre zgjedhjeve. Hartimi dhe miratimi i listave të zgjedhësve nuk mund të konsiderohet thjesht përgjegjësi e komisioneve zgjedhore, por është detyrë prioritare e zyrave të gjendjes civile, e kryetarëve dhe sekretarëve të bashkive e të komunave, pra është përgjegjësi e administratës së ekzekutivit në nivelin vendor", tha Kryeministri Nano.
Kryeministri ngarkoi detyra për ndjekjen, kontrollin dhe nxitjen e realizimit të prioriteteve qeverisëse, të cilat nuk mund të përballohen pa angazhim, impenjim, profesionalizëm, aftësi menaxhimi dhe administrimi publik dhe pjesëmarrje në hartimin dhe realizimin e programeve të zhvillimit rajonal.
"Është përgjegjësia juaj që ta shndërroni institucionin e prefektit nga një institucion i transmetimit të problemeve që ka pushteti vendor dhe administrata e dekoncentruar qendrës, në mekanizëm aktiv të përballimit për zgjidhje të tyre", tha Kryeministri Nano.
Prefektët diskutuan mbi probleme të ndryshme që hasin në punën e tyre.
Ndërkohë, u vendos që të shpeshtohen takimet institucionale për rritjen e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit në kuadër të ecurisë së reformës së decentralizmit të pushtetit vendor.