E Shtunë, 31 Tetor 2026

James Belushi koncert në sheshin “Nënë Tereza”

Në një dalje publike të hapur për të gjithë artdashësit, Belushi dhe Eagle Blues Band, sollën këngët më të mira ndër vite që janë shndërruar në legjendë.  

Spektakli u çel nga dy artiste të njohura shqiptare, Eneda Tarifa dhe Juliana Pasha të cilat nxehën atmosferën në “Nënë Tereza”. Për më se 90 minuta me energjinë e tij rinore, artisti i madh që tashmë është zyrtarisht nënshtetas shqiptar dhe imazh i Eagle Mobile, ka treguar anën tjetër të tij si artist, atë të këngëtarit.  

Mijëra artdashës kanë sfiduar shiun e rrëmbyer që nuk pushoi për asnjë minutë dhe janë argëtuar me Xhejms Belushin. Ai ka fluturuar mes tyre, duke u bërë kështu artisti i parë më famë botërore që ka hyrë ndonjëherë mes fansave në Shqipëri!  Ata janë surprizuar pasi ishin mësuar ta shihnin Belushin në ekranin e bardhë të kinemasë dhe serialët televizivë. Belushi ka kënduar një këngë kushtuar vëllait të tij të madh John  Belushi (Xhon Belushi) që ndërroi jetë në vitin 1983, këngë e kënduar në filmin legjendë “Vëllezrit Bluz”.

“Jam i lumtur që ndodhem sonte këtu me ju, jam i gëzuar që bëj pjesë në familjen Eagle Mobile, jam i nderuar që tashmë jam një Shqiponjë (Eagle) e ligjshme” tha Belushi duke nënkuptuar nënshtetësinë e tij të re shqiptare. Ky koncert u organizua dhe u mbështet si sponsor i përgjithshëm nga Eagle Mobile dhe pati po ashtu mbështetjen e Bankës Kombëtare Treftare (BKT) dhe kompanisë teknologjike Huaëei, ndërsa u transmetua drejtpërdrejt nga Televizioni Klan.

Tre ditë më parë Eagle Mobile dhe Xhejms Belushi publikuan marrëveshjen kur artisti i madh, do të jetë imazh i kompanisë më rinore të telefonisë celulare Eagle. Presidenti i Republikës Bamir Topi i dha  Xhejms Belushit nënshtetësinë shqiptare në një darkë gala të organizuar nga Eagle Mobile. Belushi mes emocionesh tha se personalitetet shqiptare në çdo vizitë të tij i kanë dhuruar diçka të vyer, por dokumenti i nënshtetësisë ishte më e vyera dhe më emocionuesja prej tyre.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›