E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pandev-Inter, gjithnjë e më pranë

Goran Pandev dhe Interi janë gjithnjë e më afër. Kontrata e tij me Lacion skadon në fund të qershorit, por maqedonasi mund të lirohet më parë. Pandev ka një çështje të hapur me presidentin e Lacios, Lotito, dhe nëse Kolegji Arbitral i jep të drejtë, sulmuesi mund të marrë një konfirmim për anullimin e kontratës.

Dy janë arsyet kryesore për të cilat Mourinjo ngul këmbë për ta pasur Pandevin që në janar. E para ka të bëjë me mungesën e alternativave të sulmit në muajt e ardhshëm, pasi “I veçanti” e sheh si të padobishëm jo vetëm Arnautoviçin, por edhe Suazon, Kuarezmën dhe Mansinin.

Por nuk duhet harruar edhe Milito, që ka probleme të ndryshme fizike, Eto, që për një muaj do të jetë i grumbulluar me kombëtaren e Kamerunit në Kupën e Afrikës dhe Baloteli, që ende nuk po tregon maturinë e duhur në lojën e tij.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin se edhe Juventusi është vënë në ndjekje të Goran Pandev. Manovër për të trazuar ujërat, apo interes real?

Prandaj, duke qenë në dyshim, zikaltrit duhet të nxitojnë. Sulmuesi maqedonas, tashmë i ndarë brenda “shtëpisë” me Lacion, pavarësisht mungesës së gjatë të ndeshjeve në Serinë A, mund të japë ende kontributin e tij.

Në ndeshjen miqësore që kombëtarja e tij luajti kundër Katarit, Pandev ka dhuruar spektakël dhe me një dygolësh, ndihmoi ekipin e vet të gjejë fitoren në atë ndeshje.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›