E Diel, 1 Nëntor 2026

James Steinberg vjen për dialog

Prishtina dhe Beogradi mund të bashkëpunojnë në mënyrë pragmatike për një pjesë të problemeve që kanë.

Kështu ka deklaruar Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, James Steinberg, i cili ka theksuar se për këtë çështje do të diskutojë me Prishtinën dhe Beogradin gjatë vizitës së tij në rajon, javën e ardhshme.

Steinberg, i cili pritet të qëndrojë edhe në Sarajevë, ka theksuar se me gjithë vështirësitë në këto marrëdhënie, ekzistojnë mundësi për të punuar në mënyrë pragmatike lidhur me një pjesë të problemeve. Sipas Steinbergut, një prej çështjeve për të cilën ai dëshiron të bisedojë është se si të lehtësohet puna e EULEX-it në Kosovë dhe se si mund të ndërtohen ura mes dy komuniteteve.

Me gjithë mosmarrëveshjet zyrtare, sipas Steinbergut, ekzistojnë interesa të përbashkëta, prandaj gjatë vizitës do të bisedohet në mënyrë pragmatike për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Duke folur për Kosovën, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg tha se pavarësia e Kosovës ka qenë një forcë për stabilitet në rajon dhe se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në dy vitet e saj të para si shtet i pavarur. Steinberg tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të inkurajuara për faktin që fqinjët e Kosovës po ndërmarrin hapa pozitivë ndaj shtetit të ri duke vendosur marrëdhënie diplomatike dhe duke shkëmbyer ambasadorë me Kosovën si në rastin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Kjo, tha Steinberg, flet për një kuptim praktik në Ballkan lidhur me të ardhmen e Kosovës. Shtetet e Bashkuara, tha ai, dëshirojnë të shohin që kosovarët të gëzojnë po ato përfitime që mund të kenë edhe vendet e tjera në rajon.

Një ditë më parë, nga Departamenti i Amerikan i Shtetit ka ardhur një letër në adresë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku rikonfirmohet mbështetja e mëtejme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe thellimi i partneritetit mes dy vendeve.

Zyrtarja më e lartë e politikës së jashtme të SHBA’së, Hillary Clinton në këtë letër ka folur për të ardhmen e Kosovës dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare.

“Pres të punojmë së bashku për të çuar më tej objektivin tonë të përbashkët të integrimit të plotë të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe për forcimin e partneritetit mes dy vendeve tona”, ka shtuar Clinton.

Mundësia e nisjen së një dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është sinjalizuar edhe nga Presidenti i Serbisë gjatë vizitës së tij në Bruksel. Tadic kishte thënë se Kosova dhe Serbia mund të bashkëpunojnë në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›