E Diel, 1 Nëntor 2026

“Janë mjeranë, ateistë, që kanë frikë nga Zoti”

21/07/2011  Kryeministri Sali Berisha nga mbledhja e qeverisë sulmon Aleancën Kuqezi

Miratohet vendimi për grupin e punës për regjistrimin, Topi s’e ka dekretuar akoma

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar dje Aleancën Kuqezi, e cila ka dalë kundër regjistrimit të popullsisë në bazë feje dhe etnie, duke e quajtura si “mjerane, e cila ka frikë nga besimi në Zot”. Këto komente kryeministri Sali Berisha i bëri gjatë mbledhjes së qeverisë, ku u miratua dhe mënyra se si do të funksionojë grupi i punës që do të merret me regjistrimin e popullsisë duke filluar nga data 1 tetor, megjithëse ende ligji nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës. “Këta që derdhin lot krokodili se po na kërcënohet identiteti janë njerëz me deficencë kongenitale identiteti, këta janë të pashpresë për t’u shëruar në raport me identitetin, por shoqëria i pranon, se ajo është shoqëri e lirë. Këta që na thonë ne në virtytin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi se të shënosh fenë është diçka negative, këta janë njerëz të pazotë, këta janë mjeranë, ateistë, që kanë frikë Zotin, sepse ai që e beson Zotin e di se pavarësisht besimit bashkohet te Zoti me vëllezërit e tij, me motrat e tij. Shqiptarët do të regjistrohen si qytetarë të lirë, të tregojnë pronën apo pasurinë që kanë, të tregojnë fenë dhe besimin që kanë, përkatësinë etnike që kanë, natyrisht pa asnjë detyrim, kjo është në vullnetin e tyre. Ai që i konsideron këto si një çështje private është i ftuar të mos shënojë asnjërën prej tyre. Personalisht unë do t’i shënoj, pasi jam krenar me identitetin tim, jam krenar me besimin tim fetar. Ndala këtu se ka disa muaj që një stihi histerike, “nacionaliste” përpiqet të marrë revanshin në medie se tjetërkund nuk rezulton absolutisht, por mediet kanë vetinë e tyre të krijojnë pseudofenomene, pseudongjarje dhe pseudopersonazhe. Lexoni pak në doktrinën e medieve. Një nga problemet kryesore është krijimi pseudopersonazheve, kaposhizimi i tyre dhe që pastaj, kur shkojnë e bien përtokë, dalin flluska. Pra, medieve u bëj thirrje ta shndërrojmë këtë proces të qytetëruar, që të dëshmojë Shqipërinë vend me të ardhura të mesme të larta, Shqipërinë në një ngjitje të pandërprerë”, - tha kryeministri.

Aleanca Kuqezi

Aleanca Kuqezi i ka kërkuar Presidentit të Republikës të mos e dekretojë ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, pasi në Kuvend nuk u morën votat e duhura për këtë qëllim. Në krye të kësaj aleanca qëndron nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, i cili nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të ministrit Genc Pollo, i cili është dhe iniciuesi. Ndërkohë duket se qeveria me vendimin e djeshëm është e vendosur ta mbyllë këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›