E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jani Thomai: Këshilli Ndërakademik i Gjuhës do diskutojë ë-në e patheksuar

TIRANE - Këshilli Ndërakademik i Gjuhës Shqipe mblidhet të martën në Tiranë për të diskutuar disa prej problematikave të shqipes së sotme. Profesor Jani Thomai, bashkëkryetar i këtij organi për Shqipërinë, sqaron në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tematikat kryesore të mbledhjes. Ndërsa thekson se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi nuk lëvizin themelet e shqipes, bën me dije se do të preken katër çështje: ajo e drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar; e drejtshkrimit të disa fjalëve me l ose me ll; e drejtshkrimit të disa fjalëve që kanë dyshkronjësha dhe e disa fjalëve me togje zanoresh, ua, ue, oo si zooteknik, etj.
Kur kanë kaluar rreth 40 vite nga Kongresi i Drejtshkrimit, kërkesat për rishikim të standardit, parë kjo nga këndvështrime të ndryshme, kanë qenë pafund. Debati më i madh u hap tri vite më parë, në 2010-ën, kur Qendra e Studimeve Albanologjike mbajti konferencë shkencore për këtë çështje. Prej asaj kohe, debatet kanë qenë të përvitshme. Prof.Jani Thomai ka pranuar të tregojë procedurën që do të ndiqet që nga mbledhja e së martës e deri tek ndryshimi i mundshëm i një numri të caktuar fjalësh të shqipes. Ai, sikundër dhe shumë gjuhëtarë të tjerë, pjesë e këtij këshilli, nuk ka pranuar të japë shembuj.
Mblidhet të martën në Tiranë, Këshilli Ndërakademik i Gjuhës. Çfarë do të diskutojë ai?
Në mbledhjen e qershorit të vitit të kaluar u diskutuan disa çështje të drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar në gjuhën shqipe. Në mbledhjen e sivjetshme që do të bëhet të martën, do të vazhdojnë diskutimet rreth drejtshkrimit të zanores ë të theksuar si edhe për disa çështje të tjera si: të drejtshkrimit të disa fjalëve me l ose me ll - balonë apo ballonë; për drejtshkrimin e disa fjalëve që kanë dyshkronjësha si th, dh, nj, etj; e veç kësaj edhe rreth disa fjalëve me togje zanoresh, ua, ue, oo si zooteknik, etj
Një pjesë të mirë të materialit për diskutim e zë drejtshkrimi i emrave të përveçëm me shkronjë të madhe të disa etnive, ose emrave etnikë si edhe të disa toponimeve.
Që të bëhet më e qartë, çfarë organi është Këshilli Ndërakademik i Gjuhës?
Këshilli Ndërakademik i Gjuhës është një grup pune i themeluar në vitin 2004, me një marrëveshje mes dy Akademive të Shkencave, asaj të Prishtinës dhe të Tiranës. Sipas vendimit të themelimit ai mblidhet 3 herë në vit, një vit në Tiranë e një në Prishtinë. Ky këshill është një organ me autoritet shkencor, që merr përsipër shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin e zhvillimin e shqipes standarde. Vendimi i themelimit i cakton qartë të drejtat e tij. Ai është nënshkruar nga dy kryetarët e akademive: Ylli Popa për palën e Tiranës dhe Rexhep Smajli për Prishtinën.
Cilat janë propozimet që do të bëhen të martën?
Ato nuk bëhen publike për shkak se duhet të shqyrtohen përpara.
Janë thjeshtë propozime për probleme të caktuara. Këshilli vetë nuk ka tagër, nuk ka të drejtë të marrë vendime të detyrueshme për zbatim. Ai ndjek dhe shikon kur mund të bëhen plotësime, të cilat nuk janë trajtuar në veprat kodifikuese të Kongresit të Drejtshkrimit.
Këshilli shikon rastet që nuk i kanë qëndruar kohës, ndonëse janë trajtuar në veprat kodifikuese dhe rastet kur ka pasur ndryshime të drejtshkrimit, për shkak të shqiptimit të gjuhës së gjallë. Duhet pra, një tjetër organ që të “urdhërojë” shtetin që të respektojë një vendim për gjuhë, e ky organ duhet të jetë i caktuar nga shteti.
Pra, pasi të kenë mbaruar diskutimet në këtë këshill, ku propozohen çështjet që duhen diskutuar, mund të propozohet ngritja e një organi të ligjëruar zyrtarisht që të marrë vendimet e nevojshme për gjuhën.
Në strukturat e veta, në varësi të tij, Këshilli Ndërakademik i Gjuhës ka edhe 6 grupe pune për veprimtari të ndryshme. Secili grup ka specialistë të fushave përkatëse, gjuhëtarë që ndahen në grupet: për drejtshkrimin e drejtshqiptimin; për leksikun e terminologjinë; për morfologjinë; për sintaksën; gjuha shqipe dhe shkolla; gjuha dhe publicistika. Këto grupe përgatisin gjatë një kohe të caktuar dhe pas një studimi të hollësishëm të problemeve, një material. Ky i fundit i dërgohet këshillit dhe në mbledhjen e vet, ai e diskuton në tavolinë me të gjitha detajet duke i shqyrtuar argumentet me radhë.
Në mbledhjen e së martës do të diskutohet një material i tillë, që ka të bëjë me drejtshkrimin e drejtshqiptimin e disa fjalëve. A është ë-ja e patheksuar një ndër këto raste që do të diskutohet të martën?
Po, ka 2 a 3 raste të tilla. Ka raste të ë-së së patheksuar që do të diskutohen tek disa fjalë që mbarojnë me -një, si për shembull: foshnjë, ose me tek disa emra paratheksor të tipit opera-operë, kamera-kamerë…
Pastaj tek disa mbiemra që ë-ja sipas modelit nuk është në vendin e duhur si tek fjalët: i prapmë apo i prapëm, i sotmë apo i sotëm… Sepse ne themi i sivjetmë por themi nga ana tjetër i sotëm.
Është krijuar përshtypja se gjuha po ndryshohet, se po bie standardi. Çfarë do të ndodhë konkretisht?
Është krijuar një shqetësim që nga mbledhja e qershorit të vitit të kaluar dhe duket sikur shkohet shumë thellë me ndryshimet dhe kështu po rrezikohet Kongresi i Drejtshkrimit. Dua të kujtoj që janë diskutime shkencore e jo vendime për t’u zbatuar; janë propozime që synojnë të thjeshtojnë rregullat e drej-tshkrimit atje ku është e mundur.
Synimet e këshillit janë që të pakësojë përjashtimet, sa është e mundur; të sjellin rastet në një zgjidhje sa më të përgjithshme e më përmbledhëse, pa prekur sistemin dhe bazën e shqipes standarde.
Ne përpiqemi të përmirësojmë e të përsosim më tej drejtshkrimin e shqipes së sotme, për ta bërë atë më të lehtë për t’u përvetësuar dhe më të lehtë për t’u përdorur, ky është synimi ynë. Mendohet që pasi të kemi përfunduar diskutimin e çështjeve të drejtshkrimit, të botojmë një material përmbledhës që ta lëmë të qarkullojë, pra t’i hapim rrugë një diskutimi më të gjerë.
Është kërkuar që pasi të mbarojmë takimin në Këshillin Ndërakademik, një pjesë të diskutimeve do t’i botojmë, për të lënë të gjithë njerëzit e interesuar të shprehin mendimin e tyre, të japin këshilla, të bëjnë vërejtje apo të japin dakordësinë e tyre.
Gjuha është një ndër pjesët më thelbësore, në mos kryesori i identitetit të një kombi. Si e tillë, ju e dini që çdo ndërhyrje, qoftë edhe propozim për ndërhyrje, do të shoqërohet me debat të gjerë, si do t’i përgjigjeni?
Po, e di që do të ketë debat, por duhet sqaruar se nuk është fjala për të dëmtuar gjuhën, as identitetin, duke prekur këtë tipar themelor të tij. Është puna për ta përmirësuar, për ta përsosur. Standardi nuk mbrohet duke e ngurtësuar, sepse ai vetë zhvillohet e ndryshon, nuk është i ngurtë. Ai mbrohet duke u përsosur, mbrohet duke e ndjekur zhvillimin e tij.
Ndryshimet në standard nuk nënkuptojnë ndryshimin e standardit; e po ashtu përmirësimet e tij, nuk thonë ndryshim të tij.
E di që shqetësimi dhe ndjeshmëria për këtë çështje janë të natyrshme, janë të kuptueshme, por duhet ta dini ju që këtë shqetësim e kanë edhe vetë anëtarët e këshillit. Sigurisht që aty do të ketë edhe debate dhe duhet të ndodhë kjo, sepse në shkencë, e vërteta del përmes debateve. Argumentet shkencore janë ato që zbulojnë të vërtetën dhe argumentet shkencore, qoftë për ndryshimin e qoftë për mosndryshimin e disa rasteve në standard kanë, duhet ta dini ju, të njëjtën peshë. Edhe kundërshtimet, që të mos bëhet kjo apo jo gjë kanë vlerë të njëjtë me propozimet që gjëja të bëhet.
Por, në fund zgjidhen ose propozimet ose kundërshtimet...
Në fund të fundit këto debate, këto argumente, këto kundërshti tregojnë në mbarim të tyre se çfarë ka vlerë, ruajnë atë që është e mirë, atë që s’duhet prekur, atë që është zgjidhur dhe heqin atë që s’duhet. Pastaj debatet varen edhe nga bindja dhe mendimi që ka secili prej anëtarëve të këshillit. Dikush thotë, ‘eja t’i ndryshojmë’, dikush kërkon të mbeten siç janë, ne do t’i shohim të dyja mundësitë.
Ka pasur debate të kësaj natyre edhe në mbledhjen e qershorit dhe jo të gjitha ato që u diskutuan, u miratuan. Secili sjell argumentet e veta dhe shohim cili është mendimi më i përgjithshëm, më i argumentuar, më bindës. Në fund këtë material e miratojmë dhe e përgatisim që t’ua dorëzojmë dy akademive për të ndjekur procedurën që thashë: e shohin akademitë rëndësinë e propozimit tonë dhe vendosin se çfarë forumi do jetë ai që do ta ligjërojë propozimin tonë, pra çfarë instance duhet ngritur që propozimi të bëhet vendim, nëse rëndësia e tij është aq e madhe sa të shkohet deri tek krijimi i një instance të lartë vendimmarrëse, nga kuvendet ose qeveritë.
Deri ku mund të ndërhyhet sipas jush?
Ka njerëz me mendime kundra si kudo. Duhet të themi se, ato që përbëjnë bazën e vërtetë dialektore të standardit, siç është për shembull rotacizmi, nuk do të preket dhe as nuk është hedhur në diskutim. Ato që përbëjnë bazën dhe sistemin e standardit nuk lëvizin, ashtu siç ndodh edhe me të tjera vendime të marra në Kongresin e Drejtshkrimit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›