E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis konkursi i shkollave te mesme te Tiranes Tirana Teens Art Sport

24 shkolla të mesme të Tiranës, publike dhe private kanë nisur sot zyrtarisht konkursin mes tyre, në art dhe sport. Në një ceremoni të veçantë, të përzgjedhurit për të marrë pjesë në këto gara, nga 24 shkollat e mesme të kryeqytetit janë prezantuar në sallën e sportit “Fahrie Hoti”. Ky konkurs që do të zgjasë për afro dy muaj dhe që në fund do të kurorëzojë më të mirët, vjen në kuadër të iniciativave të Bashkisë së Tiranës për përfshirjen e të rinjve në aktivitetet sportive dhe kulturore në kryeqytet.

Në sport, kampionatet do të zhvillohen në tre disiplina: në volejboll (vajza/djem), basketboll (vajza/djem), mini-futboll (djem). Ndeshjet do të drejtohen nga gjyqtarë profesionistë. Konkursi në art mes shkollave të mesme të kryeqytetit do të gjykohet nga një juri me personalitete të njohura të artit, si Yllka Mujo, Vikena Kamenica, Gent Korini, Gent Çoçoli, Parid Teferiçi etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur edhe disa prej shpërblimeve që Bashkia ka parashikuar për më të mirët.

“Më të mirët do të fitojnë dhe më të mirët po kështu do të shpërblehen nga Bashkia e Tiranës. Shkolla që do të grumbullojë më shumë stimuj dhe çmime do të përfitojë udhëtim falas në një nga kryeqendrat e Evropës. Çmime të veçanta kemi parashikuar edhe për sportistët më të mirë brenda ekipeve dhe artistët më të mirë. Po zbuloj sot njërin prej çmimeve, meqë një pjesë e mirë e juaja janë maturantë. Sportistët dhe artistët më të mirë brenda ekipeve do të shpërblehen mes të tjerave edhe me bursa të plota për të ndjekur studimet universitare në një ndër universitetet e Tiranës” - u shpreh z. Basha.

I ftuar nderi në këtë ceremoni, nga Këshilli Bashkiak Rinor ishte Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë garë sportive dhe artistike, një moment të veçantë në jetën e kryeqytetit.

“Ju përgëzoj që keni vendosur të merrni pjesë në këtë garë. Ju këshilloj, miqësisht, që cilido të jetë pasioni juaj, cilado të jetë fusha që ju preferoni, mos u ndjeni kurrë të plogësht para stërvitjes sportive, jepini asaj kohën, investoni për të, sepse është një investim i shkëlqyer jo vetëm për trupin, për formën, për linjat, por edhe për mendjen, për psikologjinë, për performancën në tërësi” – u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri ka premtuar se angazhimi i qeverisë për të krijuar kushte në çdo cep të vendit, në mënyrë që të rinjtë të angazhohen në art dhe sport nuk do të ndalet.

“Qeveria do të bëjë gjithçka të nxisë tek ju këtë pasion, të krijojë kushtet që ju të stërviteni në sportin që dëshironi. Në katër vitet që vijnë, ne jemi zotuar të ndërtojmë në çdo shkollë 9-vjeçare, në çdo komunë të Shqipërisë terrenet sportive për nxënëset dhe nxënësit e vendit tonë” - theksoi Kryeministri Berisha.

Ky projekt synon të sjellë një praktikë të re të aktivizimit të talenteve, në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit dhe skuadrave sportive. Kurorëzimi i fituesve do të bëhet në një mbrëmje gala, në muajin qershor.

Kjo nuk është një iniciativë spontane. Në një vit e gjysmë, Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen e të rinjve, si kampionati i basketbollit me shkollat e mesme, kampionati i basketbollit për shkollat 9-vjeçare “Sport Fest, “Streetball Tirana Open”, kupa “Pavarësia”, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, kampionati i minifutbollit të shkollave të mesme të kryeqytetit, etj. Për herë të parë u zhvillua Maratona Ndërkombëtare të Tiranës, “Tirana Vrapon”. Po kështu, arti dhe kultura kanë njohur një dimension të ri në Bashkinë e Tiranës. Nxënësit e shkollave të mesme janë bërë protagonistë të konkurseve në prozë, poezi, muzikë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›