Jansha: Shqipëria, meritoni integrimin në BE

Investimet reciproke mes Shqipërisë dhe Sllovenisë kanë qenë kryefjala e bisedimeve mes kryeministrit Berisha dhe homologut slloven Janez Jansha.
Në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri Berisha tha se rrugët e zgjerimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe potencialet janë shumë të mëdha, duke garantuar në këtë mënyrë se do bëjë gjithçka për të inkurajuar biznesin. Gjithashtu Berisha ka përgëzuar kryeministrin slloven për reformat e ndërmarra pas ardhjes në pushtet, duke ulur taksat, si një garanci për të kapërcyer pasojat e krizës së euros, transmeton koha.
“I përcolla urimet për reformat që ka ndërmarrë sapo erdhi në pushtet duke ndryshuar me dhjetëra ligje dhe vendimin e tij kurajoz, duke ulur taksën e korporatave dhe taksat e tjera, çka përbën një guxim dhe një garanci të sigurt për të kapërcyer pasojat e krizës së euros”- vijoi ai.
Nga ana e tij kryeministri slloven Jansha theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik me Shqipërinë, sidomos në sektorin e energjetikës dhe tha se vitin e ardhshëm do të organizohet forum biznesi me Shqipërinë.
Jansha ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në BE dhe vlerësoi reformat dhe arritjet e Shqipërisë në këtë drejtim.
“Shqipëria, model në rajon për reformat, meritoni integrimin”- theksoi ai./Indeksonline/