E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak: Afro 40 të vrarë në valën e sulmeve me bomba

Afro 40 vetë janë vrarë sot në valën e sulmeve me bomba në gjithë Irakun.

Shumica e sulmeve duket se për cak kishin myslimanët shiitë.

Zyrtarët thanë se sulmi më vdekjeprurës ishte ai në Hilla, në pjesën jugore të Irakut, që është e banuar me popullatë shumicë shiite.

Nga dy bomba këtu janë vrarë së paku 27 vetë dhe janë plagosur afro 90 të tjerë, transmeton rel.

Në qytetin e shenjtë shiit Qerbela, në jug të Bagdadit, nga sulmi me makinë-bombë janë vrarë së paku pesë vetë dhe plagosur së paku 20 të tjerë.

Disa të tjerë janë vrarë në Falluxha, afër patrullës së policisë, dhe në Mosul.

Këto sulme u bënë në kohën kur shumica shiite në Irak e feston vdekjen e Imamit Husein, që ishte nip i Profetit Muhamed.

Myslimanët shiitë në Irak shpeshherë sulmohen nga militantët e ndërlidhur me al-Kaidën dhe kryengritësit sunitë myslimanë, gjatë ceremonive religjioze./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›