E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jansha sërish në krye të qeverisë sllovene

Parlamenti i Sllovenisë ka zgjedhur kryetarin e Partisë Demokratike sllovene në postin e të mandatuarit për formimin e qeverisë së re.

Për Janez Janshën, kandidat i koalicionit të qendrës së djathtë, kanë votuar 51 deputetë, ndërsa 39 kanë qenë kundër.

Jansha, brenda 15 ditëve, duhet të propozojë kandidatët për ministra.

Nëse kabineti miratohet, Jansha do të bëhet kryeministri i qeverisë sllovene. Ky do të jetë mandati i tij i dytë në këtë post, pasi ka udhëhequr qeverinë e qendrës së djathtë në Lubjanë edhe në periudhën 2004-2008.

Në zgjedhjet e 4 dhjetorit në Slloveni, partia e Janshës ka dalë e dyta me 26.3 për qind të votave, ndërsa në vend të parë ishte “Sllovenia Pozitive” e Zoran Jankoviçit me 28.51 për qind të votave.

Jankoviç nuk ka arritur të fitojë mbështetjen e Parlamentit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›