Kosovë, Mustafa: Qeverinë mund ta rrëzojmë nesër

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, është treguar autokritik për rolin që është duke luajtur opozita në Kuvend. Në një intervistë për Koha Ditore, Mustafa ka treguar arsyet e mosarritjes së unifikimit të zërit opozitar dhe për përgjegjësinë që mban opozita karshi mënyrës se si qeveriset sot Kosova. Ai gjithashtu është shprehur i sigurt se nëse opozita do të bashkohej qeveria do të mund të shkarkohej.
“Ne mundemi që nesër ta rrëzojmë Qeverinë, në qoftë se bëhet bashkë opozita, sepse askush nuk i ka garantuar Hashim Thaçit që mund të mbetet deri në vjeshtën e 2013-s”, ka thënë Mustafa në këtë intervistë.
Por, sipas tij, aktualisht duhet përqendruar në procesin e reformës për zgjedhjet presidenciale dhe ato të përgjithshme.
Mustafa ka thënë të mos ketë pretendime për të kandiduar për postin e presidentit, zgjedhja e të cilit, sipas tij, do të bëhej edhe në 2013-ën nëse nuk pastrohen listat zgjedhore dhe nuk garantohet pjesëmarrje e mjaftueshme e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ai gjithashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë se në zgjedhjet e përgjithshme të mund të hyjë si koalicion parazgjedhor me AAK-në, apo edhe me ndonjë parti tjetër ndërsa ka garantuar se do të bëhet kryeministër në rast se ky subjekt politik do të jetë në qeveri.