Janullatos uron besimtarët për Pashkët

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anasatas Janullatos ka uruar me rastin e festës së Pashkëve gjithë besimtarët ortodoks. Në mesazhin e tij, Janullatos thekson rëndësinë që ka kjo festë për të krishtërët dhe mesazhet që ajo sjellë.
“Kremtojmë me ngazëllim Pashkën e Shenjtë dhe Jetëprurëse! Por nuk i mbyllim sytë përpara realitetit të ashpër të jetës sonë të përditshme, dhimbjes, padrejtësisë, sëmundjes dhe vdekjes. Pashka është një përvojë intensive, simbolike, ku zia dhe vajtimi ia lënë vendin gëzimit të Ngjalljes”, thekson Janullatos.
Kryepeshkopi shprehet se “duke marrë natyrën njerëzore, Krishti u përball direkt me dhimbjen. Ai ngushëlloi, mbështeti, u njësua me ata që vuajnë. “Përderisa ua bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi të vegjël, ma keni bërë mua” (Matth. 25:40). Dhe si përfundim, Ai vetë jetoi dhimbjen shpirtërore e trupore në tërë intensitetin e saj: braktisje, tradhti, mospranim nga populli që i kishte bërë mirë, hedhje poshtë nga udhëheqësit fetarë, poshtërim nga pushteti shtetëror, duke kulmuar me dhimbjen e madhe të Kryqit. Shpëtimtari i botës përqafoi dhimbjen në shkallën absolute”.
“Ne të krishterët nuk e injorojmë realitetin e ashpër të jetës. Por dimë më tepër, se misteri njerëzor nuk shteron në perspektivat e kësaj jete. Duke ndjekur Krishtin, ecim në dritën e Ngjalljes, në një ripërtëritje të vazhdueshme. Besimi në Zotin, “që pësoi, u varros dhe u ngjall” dhe marrëdhënia e qenësishme me Atë, përçojnë në shpirt qëndresë dhe durim, fuqi për të rezistuar në depresion, qëndrueshmëri burrërore dhe paqe të brendshme. Nga Zoti i kryqëzuar dhe i ngjallur marrim fuqi për të fituar, me pendim të ndërgjegjshëm mbi hidhërimin e brendshëm që shkaktojnë gabimet dhe mëkatet tona. Të durojmë pa mëri dhimbjen që shkaktojnë padrejtësitë, përndjekjet, si dhe braktisja e tradhtia nga njerëz që i deshëm dhe u bëmë mirë”, thekson në mesazhin e tij Janullatos.