E Shtunë, 31 Tetor 2026

Japim maksimumin

Armand Duka

Presidenti i FSHF-së e vlerëson punën e të tijve si më të mirën në kontinent në raport me fuqinë e futbollit shqiptar. Fton: Tifozë nga Kosova, mbështesni kombëtaren tuaj!

-Zoti Duka, më 14 mars do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, ku do të merret edhe një vendim për fatin e Shqipërisë... A shpresoni se përfaqësuesi i qeverisë shqiptare do ta gjejë sërish kohën të plotësojë kushtet e vendosura? “Unë nuk e di se nëse ka komunikim midis Ministrisë së Sporteve (MTKRS) dhe UEFA-s, por ne si FSHF jemi njoftuar zyrtarisht nga UEFA, se në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj do të trajtojë me prioritet çështjen e Shqipërisë. Ata nuk pranojnë firmosjen e statutit nga Pango me ndryshimet që kërkon ai, për të vetmen arsye se është një firmosje jo me bonsens, pasi me atë ndryshim që kërkon ministri, statuti është i pamundur të regjistrohet në gjykatë, që do të thotë se është i barabartë me një jofirmosje”. -UEFA ka vendosur tre kushte të detyrueshme për qeverinë shqiptare: auditimi financiar, firmosja e statutit brenda standardeve dhe mosinterferimi në punët e brendshme të Federatës ... “Unë mendoj se vullneti ekziston, por ndoshta ministri Pango nuk është shumë i angazhuar me çështjet e sportit ... Ata që e këshillojnë për sportin, mesa duket e bëjnë në mënyrën më të keqe dhe, dashur pa dashur, e fusin edhe në situata pa rrugëdalje”. -A ndiheni si triumfues në të gjitha përplasjet që kanë ndodhur? “Kurrë nuk jam natyrë grindaveci dhe asnjëherë nuk kam shpallur e do të hap luftë. Asnjëherë nuk kam pasur armiq dhe nuk dëshiroj të bëj të tillë. Ne luajmë futboll dhe kujdesimi për të”. -Shqipëria do të luajë dy miqësore, me Arabinë Saudite (21 mars) dhe Moldovën (23 mars). Në listën e publikuar (prej trajnerit Han) mungojnë disa prej sulmuesve kryesorë. “Është e natyrshme që do të këtë të kënaqur dhe të pakënaqur. Unë jam i parimit që të gjithë specialistët, ashtu dhe trajnerët, duhet të jenë të pavarur në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me detyrat e tyre. Uroj që të ketë grumbulluar futbollistët më të mirë”. -Mos ndoshta trajneri Han ka fituar një pavarësi ndaj Federatës, duke mos dëgjuar edhe ndonjë këshillë për thirrjen e Hamdi Salihit. A keni bërë ndonjë bisedë të drejtpërdrejtë me Hanin? “Asnjëherë nuk ia kam lejuar vetes të ndërhyj në punët e trajnerit dhe këtë e kam bërë edhe në kohën e Brigelit apo Bariçit ... Gjithsesi, mendimi im është se Salihi është një futbollist shumë i mirë, një lojtar me të ardhme, që bën gola dhe që ka kontribuar dhe do të kontribuojë për ekipin kombëtar ... Salihi është pjesë e Kombëtares”. -Kampionati ndodhet në fazën e tretë të tij. Sezoni i kaluar prodhoi jo pak aleanca të fshehta dhe të hapura midis ekipeve, ku u vendosën edhe fatet e disa prej skuadrave për të mbijetuar apo për të rënë nga kategoria. Ju besoni se këtë vit ky fenomen nuk do të përsëritet ... “Unë mendoj se si president i FSHF-së, nuk më lind e drejta të paragjykoj fatin e asnjë ekipi. Për të shmangur ato që ndodhën vitin e kaluar, ne hartuam një skemë të re, ku dy ekipet e fundit dalin direkt nga kategoria dhe dy të tjera, e treta dhe e katërta, nga fundi luajnë në play-out. Duke përfshirë edhe 3-4 skuadra që luftojnë për një vend në Evropë, unë besoj se e kemi minimizuar këtë fenomen. Një shmangie totale nuk mund të ketë”. -Trajnerët shqiptarë duken se janë malli më i zhvlerësuar në tregun sportiv. Sezoni aktual ka parë më shumë se 20 trajnerë në stol e 12 ekipeve. “Federata Shqiptare e ka bërë publike qëndrimin e saj në ndihmë të trajnerëve, por dhe ata duhet të jenë më transparentë në marrëveshjet e tyre me klubet... S’duhet të pranojnë të ulen në stol pa kontratë, për të na dhënë mundësi edhe ne si Federatë të luftojmë për ta. Unë besoj se sezonin e ardhshëm çdo president klubi duhet të mendohet mirë kur të largojë një trajner, pasi detyrimisht duhet të paguajnë edhe detyrimet financiare që rrjedh nga një kontratë legale punësimi”. -Zgjodhët për të mos e shitur të drejtën televizive përpara hedhjes së shortit të Botërorit 2010, por pas saj. Cili është bilanci financiar? “Shitja e së drejtës televizive pas hedhjes së shortit është një lloj risku për çdo federatë. Me shumën e ofruar nga “RTL Group” ne kemi realizuar shitjen në vlerë më të madhe financiare të realizuar ndonjëherë si FSHF dhe e them me bindje se jemi federata më e mirë në Evropë në raport edhe me vendin që zë futbolli shqiptar në kontinent”. -Nëse do të shpreheshim në shifra ... “Minimalisht do të marrim 3.2 milionë euro, pa llogaritur të ardhurat nga anekset që ka marrëveshja”. -Para disa ditësh ju pritët presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Vokrrin ... “E gjithë biseda pati një qëndrim të përbashkët. Lojtarët aktualë kosovarë do të luajnë në të ardhmen për Shqipërinë. Të gjithë kanë dëshirë të luajnë për fanellën kuqezi”. -Sfida e parë në eliminatore është kundër Suedisë së Ibrahimoviçit. Kosova tani është e pavarur. Grupimi i njohur “Tifozët kuqezi” ka qenë pjesa më e zjarrtë e atmosferës në “Qemal Stafa”. Cili do të ishte mesazhi i Dukës? “Tifozët e Kombëtares nuk do të ndryshojnë asnjëherë, do të mbeten gjithmonë të tillë, qofshin këta shqiptarë, kosovarë apo shqiptarë të Maqedonisë. Unë besoj se ata do të jenë të pranishëm. Mesazhi im është i thjeshtë: “Ejani dhe mbështesni Kombëtaren tuaj”. -Ndonjë miqësore në program me Kosovën në një të ardhme të afërt? “Ne kemi të programuar miqësoret me Arabinë Saudite, Moldovën dhe Poloninë. Jemi duke kërkuar edhe një tjetër miqësore në muajin maj me një nga vendet finaliste të Euro 2008-ës, dhe sigurisht që pas saj do të vijë edhe radha e Kosovës. Edhe personalisht unë mezi e pres”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›