Serbia përkujtoi Gjinxhiç
Funerali i Gjingjiç
Serbia përkujtoi dje 5-vjetorin e vrasjes së ish-kryeministrit Zoran Gjinxhiç
Pesë vjet më parë, kryeministri i parë demokratik i Serbisë u qëllua për vdekje, ndërsa hynte në ndërtesën e kryeministrisë në Beograd. Pesë vjet më vonë, Serbia është pa qeveri dhe rruga e saj drejt Evropës është shumë e paqartë. Megjithatë, njëri prej mësuesve politikë të kryeministrit të ndjerë, Dragoljub Miçunoviç, beson se Serbia sot nuk ka ngecur, por thjesht ka ngadalësuar hapin. Një delegacion qeveritar vendosi kurora me lule në memorialin në oborrin e kryeministrisë, pikërisht aty ku Gjinxhiq u vra. Zoran Zhivkoviç, i cili u bë kryeministër pas vrasjes së Gjinxhiçit, thotë se “asgjë nuk është më njësoj” në Serbi që pas vdekjes së Gjinxhiçit. “Puna dhe idetë e tij janë braktisur, prandaj Serbia po lëviz shumë ngadalë e në drejtimin e gabuar”, - shprehet ai. Gjinxhiç u qëllua nga dy snajperë jashtë ndërtesës së qeverisë më 12 mars të vitit 2003. Kryetar i Partisë Demokratike, ai ishte kryeministri i parë që pa rënies së regjimit të Millosheviçit në tetor të vitit 2000. Menjëherë pas lajmit të vrasjes së tij, qeveria akuzoi anëtarë të të ashtuquajturit “Klani i Zemunit”, si organizatorë dhe ekzekutues të atentatit. Ish-komandanti i njësisë paramilitare “Beretat e kuqe”, Milorad Ulemek, i njohur si Legija, u shpall kreu i grupit të akuzuar. Vitin e kaluar, Legija dhe Zvezdan Jovanoviç, i akuzuar si bashkëpunëtori i tij kryesor, u shpallën fajtorë për vrasjen e Gjinxhiçit dhe u dënuan me 40 vjet heqje lirie secili. Ndërsa dy persona të tjerë të akuzuar, gjithashtu si liderë të grupit, u vranë nga policia vetëm disa ditë pas atentatit ndaj kryeministrit