E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia nuk prapësohet

Ambasadori Zalmay Khalilzad

SHBA mbrojne ne Kombet e Bashkuara pavaresine e porsalindur te Kosoves perkunder ofensives serbo-ruse per ta zhbere ate

Çdo rezolutë apo deklaratë e Këshillit të Sigurimit në të ardhmen, duhet të bazohet në realitetin e ri të Kosovës, që ajo tashmë është një shtet i pavarur. Ka qenë ky qëndrimi i përfaqësuesit amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmay Khalilzad, gjatë takimit të djeshëm në KS, ku Serbia kërkoi mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. E vënë në qarkullim nga Rusia, deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit për të cilën u debatua në konsultimet e mbyllura për media, kishte për qëllim konfirmimin e Rezolutës 1244 dhe mandatin e UNMIK-ut në Kosovë, njëkohësisht ajo parashtronte një tekst ku flitej për sovranitetin, pandryshueshmërinë territoriale dhe pavarësinë e vendeve të njohura ndërkombëtarisht në Ballkan. Një deklaratë e tillë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Britania e Madhe, ndërsa nuk mori as pëlqimin e vendeve të tjera anëtare, me arsyetimin se nuk përfshinte ndryshimet që kanë ndodhur dhe nuk paraqiste gjendjen reale në rajon. “Tani kemi një Kosovë të pavarur, ndërkaq Rezoluta 1244 është një kornizë dhe mendojmë se Kombet e Bashkuara kanë një rol dhe sekretariati duhet të vazhdojë t’i raportojë këshillit. Por nuk shoh asnjë arsye të miratimit të deklaratës, ashtu siç na u ofrua. Këtë ua thamë kolegëve tanë në seancën konsultative dhe ishte një pikëpamje që e mbështetën edhe një numër vendesh”, tha ambasadori amerikan, Zalmay Khalilzad. Ai shtoi më tej, se këshilli kishte respekt për Serbinë dhe fjala e përfaqësuesve të saj ishte dëgjuar katër herë brenda javëve të fundit nga presidenti, kryeministri dhe dy herë ministri i Jashtëm. “Por gënjehen të gjithë ata në Serbi, që mendojnë se mund zhbëhet ajo që ka ndodhur në Kosovë. Atje tani është krijuar një shtet dhe shumë vende të rëndësishme të botës e kanë njohur. Çdo rezolutë apo deklaratë e këshillit për ta pasur mbështetjen tonë, tash e tutje duhet të bazohet qartë në realitetin e ndryshuar, e ai është se sot kemi një shtet të pavarur, Kosovën”, tha Khalilzad. Edhe ambasadori britanik, John Sawers, duke arsyetuar kundërshtimin për deklaratën, tha se “teksti i prezantuar nuk merrte parasysh faktin se disa vende anëtare të Këshillit të Sigurimit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”. “Ne nuk kemi për qëllim ta ndërrojmë qëndrimin tonë”, tha Sawers, duke shtuar se përshëndeste faktin që Serbia respektonte Rezolutën 1244, e cila garantonte tërësinë e Kosovës”, tha John Sawers. Ai shtoi se në të ardhmen roli i BE-së në Kosovë do të zgjerohet, ndërkaq UNMIK-u do t’u përshtatet rrethanave të reja, qoftë përmes mandatit të Këshillit të Sigurimit, qoftë mbi bazë të direktivave të Sekretarit të Përgjithshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›