Tani federata
Skender Gjinushi
Skender Gjinushi i PSD-se thote se ka ardhur momenti qe partia e tij dhe ajo socialiste te shkrihen ne nje union konfederativ. "Keshtu duhet edhe nga e djathta", thote Gjinushi
-Siç duket, po piqen kushtet për krijimin e konfederatës së majtë, të paktën mes Partisë Socialdemokrate dhe asaj Socialiste. Mbi ç’baza mendohet se do të krijohet ajo? “Gjithmonë nuk duhet harruar që PS-PSD janë aleate që prej 1996-ës dhe është një aleancë që u ka qëndruar të gjitha kohërave. Madje, mund të thuhet me plotë gojën, se nga 1996 deri në 2005, për sa kohë e majta ka qenë PS-PSD, janë fituar të gjitha betejat elektorale; është bërë edhe në periudha kur ka pasur një bashkëqeverisje 8-vjeçare. Sigurisht me ulje-ngritjet e saj dhe me problemet e veta, por që në esencë tregoi epërsinë e së majtës ndaj së djathtës dhe tregoi vlerat e së majtës ndaj të djathtës, jo më thjesht në programe, por në realizimin e tyre. Kontrasti, po t’i krahasosh, është shumë i qartë: PD-ja mori një Shqipëri që pritej krahëhapur në Evropë, e cila kishte hapur dyert e saj dhe la një Shqipëri të izoluar. Ndërsa ne morëm një Shqipëri të izoluar dhe lamë një Shqipëri që hapi negociatat me Bashkimin Evropian dhe që ishte tashmë tek dera e NATO-s. Po ashtu siç mori një Shqipëri, së cilës i duhej një Kushtetutë dhe modelet ishin të gatshme, ndërsa Berisha e bllokoi këtë Kushtetutë deri me referendume të paligjshme. Ndërsa e majta bëri një Kushtetutë demokratike, që i ka qëndruar kohës dhe që i sjell probleme vetëm Berishës dhe askujt tjetër. Mbi bazën e saj janë ngritur tërë institucionet demokratike të vendit, pavarësisht problemeve që ato kanë nga mosrespektimi i ligjit nga shumica aktuale dhe moskonsolidimit të ligjit në tërësi për vetë periudhën tranzitore. Mjafton kaq, për të kuptuar që e majta përfaqëson vlerat më të mira të demokracisë, përfaqëson alternativën më shpresëdhënëse. Ajo ka një bazë elektorale të fuqishme, e cila po të mos ndahet nga taktikat e gabuara apo nga lojërat brenda të majtës, siç ndodhi në 2005-ën me LSI-në, është gjithmonë fituese. Këtu nuk është e rëndësishme që fitojnë partitë, por fiton demokracia, sepse e majta është forcë reale progresiste, ndërsa e djathta mbetet ende e paçliruar, mbetet një e djathtë konjukturale, një e djathtë konglomerate, me diferenca ekstreme programore. Rrjedhimisht, nuk është ngritur mbi parime dhe principe, por është një e djathtë që bashkëqeveris me Xhuvelin, me mandate të majta që shiten dhe blihen çdo ditë. Çka do të thotë, se nuk ka asnjë parim, veç parimit të kontrollit të korrupsionit, të deformimit të demokracisë dhe të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit. Këto janë ato çka e bëjnë lehtësisht të realizueshëm një bashkim të së majtës, sepse bazamentet janë elektorati dhe programi i përbashkët. Jo program në letër, por edhe në qëndrime e koncepte. Pa harruar dhe pushtetin lokal, ku përsëri e majta ka treguar të njëjtin kontrast, madje edhe më të thellë, në krahasim me qeverisjen e djathtë. Kështu që, mjafton kjo analizë, për të kuptuar që bashkimi është i vonuar. Bashkimi është i domosdoshëm dhe ka gjithë presionin dhe mbështetjen e shumicës dërrmuese të së majtës pa diskutim, por edhe më gjerë, të të djathtëve të zhgënjyer dhe të opinionit publik në tërësi, që janë lodhur nga lojërat e përçarjes”. -PSD-ja është pjesë e Internacionalet Socialiste, po ashtu edhe PS-ja. Atëherë, përse nuk kalohet menjëherë në një bashkim ose shkrirje në një parti të vetme, por duhet krijuar një konfederatë? “Në qoftë se ndarjet bëhen edhe brenda natës, sado që edhe ato në përgjithësi nuk mund të jenë thjesht shpërthim të ndjenjave të momentit, por akumulim problemesh, bashkimi gjithmonë nuk bëhet brenda ditës dhe brenda natës. Bashkimet gjithmonë kalojnë në një fazë apo në disa faza kohezioni. Pra, nga një aleancë e konsoliduar, siç ne jemi, por jo pa probleme, kalohet në një aleancë të institucionalizuar dhe pastaj shtrohet edhe problemi i një kohezioni përfundimtar. Në fakt është një proces që ka përjetuar gjithë Lindja (Evropa Lindore), së fundi edhe vendet perëndimore, si Italia, sepse të tjerat e kanë kaluar më shpejt. Vazhdimisht ndodh që, për arsye të caktuara, veçanërisht në momente krizash për Lindjen, e cila gjithë tranzicioni është në një formë krize latente, pra është koha për vendosjen e ekuilibrave të rinj, që vijnë nga ndryshimi i sistemit politik. Kjo shoqërohet patjetër me fraksionime partish, me krijime partish, me modën apo dëshirën për të krijuar parti mbi parti dhe pas kësaj lind nevoja e ribashkimit të tyre. Ky bashkim vjen ose nëpërmjet seleksionimit, ose më saktë, si kombinimi i të dyjave, disa të tjera nuk i rezistojnë dot kohës, ndërsa disa kuptojnë përsëri që koha i do të bashkuara. Kjo, pasi në çdo fushatë konkurrojnë dy alternativa. Nuk ka tre konkurrentë për pushtet, siç do të shpikë LSI-ja, por ka gjithmonë dy alternativa që i ofrojnë vendit dhe që marrin terminologjinë: të majtët dhe të djathtët. Në Amerikë përdoret “demokratë e republikanë”. Por gjithmonë janë vetëm dy që dominojnë, dhe rrjedhimisht sa më unikë, sa më të organizuar që paraqiten këto alternativa, aq më bindëse janë, aq më mbështetje gjejnë dhe aq më të realizueshme janë. Prandaj, nevoja e krijimit të dy grupimeve është një domosdoshmëri, është një proces i paevitueshëm dhe sa më shpejt të krijohen, aq më mirë është. Këto grupime mund të jenë në formë aleancash të sanksionuara, pra bashkim partish. Por sigurisht kështu nuk mund të rrinë gjatë, sepse çdo bashkim që nuk kalon në një bashkim real, është vulnerabël për t’u përçarë dhe për të krijuar konflikte të reja. Prandaj, procesi final është bashkimi përfundimtar, por gjithmonë janë këto faza që do të kalohen edhe tek ne”. -Nga sa thatë, ju po rekomandoni edhe të djathtën për bashkim? “Patjetër! Edhe e djathta ka nevojën dhe patjetër që duhet të konturohen këto dy grupime. Dilema ka qenë nëse Shqipëria do të jetë një sistem bipartiak apo bipolar. Gjithmonë bipolarë janë të tërë, por çështja ka qenë nëse polet do të jenë mono apo pluri? Këtë nuk e kanë kuptuar disa analistë, të cilët duhet të kuptojnë se sistemi dypartiak dështoi. Madje, nuk është i këshillueshëm, pasi partitë tona janë monokratike dhe nuk janë dy parti si në Amerikë, që vetë partitë brenda kanë disa pole. Pra, konkurrojnë brenda partive e më pas zgjidhen nga to. Rrjedhimisht, duhet ky pluralizëm të jetë brenda kuptimeve. Se sa është, kjo është tjetër gjë, por realisht polet duhet të jenë ato vetë dy-trengjyrësh dhe këto dy pole dy-trengjyrësh konkurrojnë përballë njëri-tjetrit. Por e djathta ka një problem, sepse këtë bashkim nuk mund ta bëjë Berisha, pasi bashkimi duhet të jetë mbi vlera, mbi reflektime. Nuk bashkohesh si forca të humbura për të rifituar, por kjo bëhet mbi reflektimin, korrigjimin, përmirësimin e programeve, përmirësimin e mënyrës së afishimit të tyre. Por kjo s’mund të ndodhë siç kërkon ta bëjë Berisha vetëm nëpërmjet presionit, kontrollit të këtij bashkimi nga “Njëshi”, sepse edhe ai deklaroi një bashkim në 2005-ën, pra riktheu të larguarit. Por nuk u rikthyen ata, si pasojë e pranimit të fajeve nga PD-ja dhe Berisha. Ata u kthyen kokulur, për të ndarë ndonjë karrige në atë çka u ofronte Saliu. Pra, u bë vetëm një fasadë e një ndryshimi, prandaj edhe sot të gjithë janë të bindur se Berisha ka vetëm një cilësi: atë që nuk ndryshon. Për pasojë, nuk mund të jetë bosht i një bashkimi”. -Sapo përmendët LSI-në. Mendoni se ftesa për bashkimin e së majtës duhet t’i kalojë edhe kësaj partie, duke marrë në konsideratë edhe ftesën elektorale që ka, por edhe ndarjen ose përçarjen aktuale mes saj dhe PS-së? “Ftesat janë bërë me kohë dhe PSD-ja ka ftuar LSI-në qëkur u krijua. Jo se na takonte neve, por ne shprehëm opinionin tonë. Ndërsa u krijua një fraksion i PS-së, kemi deklaruar se ndarja e PS-së nuk është një mëkat. Ne nuk e uronim, por ndodhi. Siç ndodhi edhe tek ne, për faj të PS-së dhe për lojën e saj. Megjithatë, ne nuk e kishim në formë hakmarrjeje, por proceset e ndodhura atje mund të evitoheshin. Nuk u evituan, dolën shtëpi më vete. Por ne kemi thënë që LSI-ja duhet të jetë në funksion të fitores së të majtës. Derisa është një fraksion i PS-së, tërë kontradiktat e mospajtimet ishin ndaj qeverisjes së Nanos, dhe kjo nuk mund të ishte si shkak dhe pastaj argument për të qenë i papajtueshëm me PS-në në tërësi, aq më shumë me të majtën. Pra, anti-Nano nuk do të thotë anti-PS dhe anti-PS nuk do të thotë anti-e majtë. Në këtë aspekt, ato (LSI) duhet të ishin vënë në funksion të fitores në 2005-ën dhe një fitore e të majtës në 2005-ën kishte mundësi që e majta jo thjesht të mos humbte pushtetin, por të fitonte dhe të korrigjonte qeverisjen e saj. LSI-ja ka ndjekur tjetër taktikë. Kjo gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet lokale. Edhe atëherë ne kemi insistuar për bashkimin, ata u bashkuan vetëm për arsye pragmatiste, por nuk bënë një bashkim të sinqertë dhe real. Rrjedhimisht, sapo iu dha një sebep, përsëri deklarojnë shkëputjen. LSI-ja vlerësoi që lidershipi i saj nuk ka vendosur të jetë i majtë apo i djathtë, ka vetëm një qëndrim: të rrijë majtas vetëm për efekte pragmatiste, vetëm për efekte elektorale. Është shumë e njohur që për një vit rresht ishin kundër moszgjedhjes së Presidentit. Në fushatën lokale u bënë pro zgjedhjeve të parakohshme, për të marrë votat e të majtëve dhe sa mbaroi fushata, dolën përsëri kundër “provokimit” të zgjedhjeve të parakohshme. Tani, përsëri LSI-ja bën më shumë llogaritë e saj, sesa të së majtës. Çdo gjë e sheh në funksion të pozicionit të LSI-së dhe veçanërisht të kapjes së postit të kryeministrit. Një parti e tillë quhet vetëm pragmatiste, as e majtë e as e djathtë, por një parti prokryeministrore, pa ideologji të majta dhe të djathta. Kështu që, kjo është një dilemë e saj; është vetë mënyra sesi është krijuar kjo parti. Përndryshe, çdo parti që ka platformë e program të majtë, nuk duhet të vinte në diskutim bashkimin, por mund të diskutonte vetëm modalitetet dhe shkallën e këtij bashkëpunimi”. -PSD-ja dhe PS-ja kanë përjetuar shumë dashuri, por edhe ndarje gjatë bashkëpunimit të tyre. Cili do të jetë ai moment që do të mund t’i prishë qejfin PSD-së dhe që mund të shkaktonte prishjen e kësaj konfederate? “E reja është bashkimi, që mund të prodhohej edhe brenda natës, sepse platforma e bërë para dy vjetësh, LSI-ja e prish për 24 orë. Ndërsa kur institucionalizohet një bashkim dhe ratifikohet deri në institucionet më të larta të partive përkatëse, që janë kongreset, atëherë sigurisht që ky bashkim nuk mund të prishet vetëm nga inatet e çastit. Kjo për shkak se duhet të mbledhësh forumet, të cilët nuk mblidhen kollaj dhe ato nuk kanë inatin dhe nervat e liderit, sepse bie mllefi dhe shqiptarët 5 minuta e mbajnë. Çka do të thotë që, po të bëjmë një paralelizëm, është Bashkimi Evropian. Në rast se deri dje Evropa ka pasur shumë marrëveshje bashkëpunimi dhe këto mund të prisheshin, të dalësh nga BE-ja tashmë është shumë e vështirë për një vend, është një iniciativë e madhe, e papërballueshme për një parti politike apo një shumicë qeverisëse. Këto ka avantazhe bashkimi, pasi mblidhet mendja, sanksionohet qartë, merr mbështetjen e bazave të partisë dhe rrjedhimisht mbetet vetëm të bashkëpunosh, duke i amortizuar problemet edhe kur lindin dhe pa e parë momentin që, po nuk u plotësua diçka, të iket”.