E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miss Shqipëria mbush 10 vjeç

Si ishin dhe si jane sot bukuroshet qe nisen udhetimin e tyre ne boten e spektaklit permes fitimit te ketij çmimi

“Miss Shqipëria” mbush sot plot 10 vjet. Një mbrëmje speciale, ku përveç nëntë vajzave bukuroshe të zgjedhura në vite, do të jenë të ftuar personazhe të njohur nga bota e artit, modele nga Shqipëria e Kosova, këngëtarë e aktorë të suksesshëm që garantojnë spektakël përgjatë gjithë mbrëmjes, nën prezantimin e të zotit të shtëpisë, Petri Bozo, së bashku me Hygerta Sakon. Statusi i tyre social tashmë ka ndryshuar, që pas momentin kur mbi kokë morën kurorën e më të bukurës së Shqipërisë. Beqaret janë martuar, gjimnazistet u kanë hyrë studimeve të larta, ndonjëra ka preferuar të shkëpusë fare marrëdhëniet me botën e artit e të tjera vijojnë të jenë aktive, për të mbetur sërish vajzat e bukura të ekranit. Aldona Elezi është e para vajzë që mori kurorën e çmuar me vlerë 15 mijë dollarë. Jeta e saj aktualisht është larg spektakleve dhe botës së showbizit, për t’iu përkushtuar vrullshëm studimeve universitare ku ajo është përfshirë. “Jetoj mes Italisë e Shqipërisë. Duke qenë se dhe familja ime është vendosur atje prej disa muajsh, edhe unë jam në fazën e përgatitjes së dokumentacionit për të qëndruar legalisht në shtetin fqinj. Viti kur unë u zgjodha “Miss” në 1998, ishte një periudhë ku shumë pak shanse kishte për t’i hyrë botës së artit, ndaj dhe unë i jam futur shkollës. Pasi mbrojta “Toeflin”, kam bërë edhe një fakultet në Itali dhe ndjehem realisht e plotësuar”, shprehet ajo. Ndërsa të njëjtën strategji duket të ketë ndjekur edhe pasuesja e saj, Elisabeta Gjonpali. Psikologja që sot njihet si “Miss Shqipëria 2000”, së fundi është bërë imazh i një pijeje energjike. “Përpos këtyre, ndryshimi rrënjësor në jetën time është martesa, e cila kujtoj se ishte një ceremoni e thjeshtë, ku ishin ftuar njerëzit më të afërt. Mendoj se edhe tek mbrëmja e sotme do të jem patjetër e shoqëruar nga bashkëshorti im”. Ndryshe nga Denisa Çela, e cila në momentin e shpalljes “Miss” ishte vetëm 15 vjeçe. Petri Bozo shpjegon se ajo nuk ka pranuar ftesën për të qenë e pranishme në 10-vjetorin e “Miss Shqipërisë”, për motive personale. Vetë Denisa ka preferuar që të qëndrojë në hije që pas shpalljes “Miss”, duke refuzuar çdo ofertë që vinte në emër të saj. Por nuk ndodh kështu me Zajmina Vasjarin. Këngëtarja seksi e mori hovin pikërisht që pas marrjes së kurorës. “Miss Shqipëria 2002” është një nga femrat më aktive në muzikën shqiptare, me një seri këngësh e videoklipesh të realizuara brenda e jashtë Shqipërisë. “Sigurisht që do të jem e pranishme në mbrëmjen e sotme, madje kam vendosur që të këndoj edhe këngën time më të fundit, “Zarfe trëndafilash”. Për mua është kënaqësi pjesëmarrja nëpër evenimente të këtilla”, thotë ajo. Viti 2003 do të kishte si përfaqësuese të bukurisë Eriona Ibron. “Miss”-i i kurorëzuar në kalanë e Lëkursit është për Petri Bozon një nga vajzat më korrekte që ka njohur në këto 10 vite aktivitet të “Miss Shqipërisë”. Një virtyt që e dallonte ndër të tjera studente të vitit të katërt në fakultetin Ekonomik. Jo më pak e zellshme në aspektin e studimeve rezulton edhe pasardhësja e vendit të saj, Enkelejda Bargjo. E shkëlqyer dhe me rezultate maksimale në të dy fakultetet që ajo ndjek njëherësh, “Miss Shqipëria 2004” e ka marrë seriozisht aspektin profesional, që nuk ka kurrfarë lidhjeje me bukurinë. “Jam shpallur një nga katër studentet më të mira të Ballkanit dhe për këtë më vjen mirë, pasi studimet janë primare për mua. Sa i përket botës së spektaklit, eksperienca ime më e fundit ka qenë prezantimi i “Miss Globe Internacional”, vijon ajo. Sa i takon bukuroshes Edlira Mema, që u kurorëzua në kalanë e Kaninës në Vlorë, ajo vazhdon të jetë një emër i njohur në televizionet shqiptare, sidomos pas eksperiencës si prezantuese e një formati gazmor në ekranin e vogel. Njësoj si edhe Silvi Skënderaj, që aktualisht është imazhi i një linje transporti në vend, ndërsa ka prezantuar edhe një edicion të spektaklit “Netët e klipit shqiptar”. “Miss”-i i fundit në fuqi që vazhdon të mbajë ende kurorën e më së bukurës, deri në momentin që një tjetër vajzë do t’i zërë vendin, është Irsa Demneri. 18-vjeçarja ka pak kohë që i ka thënë “po” ftesës së Gjergj Xhuvanit, për një rol në film. Ndjehet e kënaqur, njëherësh edhe e vlerësuar, pasi pranon se kurora ka qenë tejet fatsjellëse në jetën dhe karrierën e saj.  Surprizat e mbrëmjes Spektakli i bukurisë “Miss Shqipëria” ka treguar që nuk është thjesht një kompeticion që zgjedh vajza të bukura, por edhe një vend social ku të gjithë janë të barabartë. “Tek ne kanë marrë pjesë edhe vajza me ngjyrë, edhe shurdhmemece, edhe të tjera me probleme. Sepse nuk synojmë vetëm nxjerrjen në pah të aspektit fizik, por edhe atë shpirtëror. Për këtë, gjatë mbrëmjes së sotme kemi vendosur të nxjerrim në ankand veshjet e disa stilistëve të njohur, me të cilat kanë sfiluar në vite miset dhe të ardhurat nga shitja e tyre do t’u jepen fëmijëve të policëve të vrarë”, shpjegon Petri Bozo. Në këtë përvjetor të 10-të të “Miss Shqipërisë”, nuk do të mungojnë bukuroshja Diellza Kolgeci, modelja malazeze Afërdita Dreshaj, këngëtarët Redon Makashi e Aleksandër Gjoka, si dhe nga Kosova do të vijnë edhe Hekuran Krasniqi e Genc Prelvukaj. Në 10 plazmat e vendosura në ambientet e një qendre tregtare, do të rikujtohen momentet më të bukura përgjatë viteve, e disa prej tyre do të bëhen nën komentin e Petri Bozos e Hygerta Sakos. “Sigurisht që pjesa dërrmuese e miseve do të jenë të pranishme, disa me bashkëshortët e tyre e të tjera vetëm. Do të vijë edhe prezantuesja braziliane e “Miss Globe”, si dhe shumë bashkëpunëtorë të njohur në vite të spektaklit, duke filluar me skenografët, anëtarë jurie, prezantues, por edhe Çiljeta, Zajmina e Joana Gega, do të jenë miset-këngëtare që do të performojnë në skenë, stilistë, grupe baleti që kanë përgatitur numra specialë dhe në fund, e gjithë mbrëmja do të finalizohet me madhështinë e fustaneve të nusërisë dhe ato të mbrëmjes”, përfundon Petri, duke na zbuluar kësisoj shumë detaje nga përvjetori i 10-të i “Miss Shqipërisë”.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›