E Diel, 1 Nëntor 2026

Japoni, prodhohet celulari i parë me energji diellore



Operatori i dytë më i madh i telefonisë celulare në Japoni, KDDI, ka prodhuar modelin e parë të celularit i cili pritet të bëjë revolucion në treg. Në fakt, kjo kompani në bashkëpunim me kompaninë Sharp, këtë verë do të paraqesin celularin rezistues ndaj ujit, bateria e të cilit do të mbushet me anë të energjisë diellore. Bateria e këtij telefoni do të mund të karikohet për dhjetë minuta nëse ekspozohet në diell, ndërsa specifikat e tjera si emri i paisjes nuk janë bërë të njohura. Lajmi më shumë ka lumturuar aktivistët për mbrojtjen e mjedisit, të cilët prej një kohe të gjatë tërheqin vërejtjen për materiet e dëmshme të baterive të hedhura të celularëve të cilat ndotin mjedisin.
Celulari i ri në tregun japonez do të jetë i gatshëm në muajin qershor, ndërsa plane për zgjerimin e tregut tani për tani nuk ka.

“LG Viewy Smart”
Celulari i adhuruesve të teknologjisë

Adhuruesit e telefonave celularë të kompanisë “LG” do të mbesin të çuditur nga modeli më i ri “Viewty Smart” (LG GC900), i cili është prezantuar gjatë këtyre ditëve. Bëhet fjalë për një model me specifika të shkëlqyera. Ai ka ekran TFT prej tre inçësh me rezolucion 800 x 480 piksel, fotoaparat prej tetë megapikselash me autofokus si dhe lidhje Quad band GSM. Telefoni është i pajisur me pamjen S-Class Touch, përmban Wi-Fi dhe Bluetooth 2.0. Memoria prej 1.5 gigabajtësh do të duhej të kënaqë shumicën e përdoruesve, ndërsa ata të cilët kjo iu duket pak, mund ta zgjerojnë përdorimin me anë të lidhjes për kartelat e memories microSDHC. Telefoni do të gjendet në shitje nga muaji maj dhe çmimi nuk është bërë ende i ditur.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›