E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjola Prenga, bukuroshja e volejbollit drejt Amerikës



Klodiana Bufi

Cilësohet si një nga bukuroshet e sportit në vendin tonë. Është e zonja sidomos kur shënon pikë edhe me anë të shërbimeve të saj. Quhet Arjola Prenga ka fituar shumë tituj me skuadrën e famshme te Dinamos, ndërsa tashmë është nën kampionë ne volejbollin femëror me skuadrën e UMB Volej. Kur Arjola luan është e vështirë mos ta dallosh. Është e vetmja që bën diferencën në skuadër. Jo vetëm një shutere e mirë por edhe një organizatore nëse skuadra e saj ka nevojë, me pak fjalë është e kudo ndodhur për ekipin e saj. 23-vjeçarja bionde nuk ka se si të jetë ndryshe kur është rritur në një familje sportistësh dhe me një motër e cila ka lënë dhe vazhdon të lërë gjurmë në volejbollin ndërkombëtar si Amarilda Prenga. Këtë ka ndërmend të bëjë dhe motra e saj e vogël Adelajda, e cila që tani mund të cilësohet një talent.

Arjola, si ka lindur pasioni juaj për volejbollin?
Traditë familjare ,pasi babi im ka pas luajtur futboll,mami im volejboll, Amarilda ka ndikuar shumë. Dhe nga po ky pasion është ndikuar edhe motra ime e vogël, Adelajda, e cila aktivizohet me ekipin e UMB-së.
Çfarë sporti tjetër të tërheq?
Beach Volley, tenisi, patinazhi në akull,skitë, etj. Më pëlqen sporti në përgjithësi jam shumë e dhënë pas tij. Më pëlqen kur shkoj në patinazh ose kur luaj në plazh volejboll me orë të tëra.
Kush është ëndrra juaj, ku do të arrish me volejbollin?
Ëndërr nuk mund ta quaj në fakt, por dua që çdo gjë ta arrij sipas mundësive të mia. Ka shumë gjëra që i shoh të arritshme dhe këto falë vullnetit dhe pasionit që kam. Gjithsesi, të rris sa më lart cilësitë e mia që t'i shërbej çdo ekipi që luaj dhe sidomos ekipit kombëtar.
Cila është jeta jashtë parketit e Arjolës?
Jam studente në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve "Vojo Kushi", më pas pjesa tjetër është volejbolli. Atij i kushtohem tërësisht, se përvese më pëlqen shumë është dëshira dhe pasioni për ta ushtruar në njëfarë mënyre pastaj e shoh edhe si profesion. Mendoj se nuk do ndahem ndonjëherë nga ai. Nuk kam shumë kohë të merrem me gjëra të tjera por sigurisht kaloj kohë edhe me familjen më miqtë e mi më të mirë. Më pëlqen të dalë dhe të argëtohem të kërcej.
A ke ndonjë idhull në arenën ndërkombëtare së cilës do doje ti ngjaje?
E ndjek shumë volejbollin e huaj sidomos atë në Itali, pasi aty është Noveli dhe aktivizohen lojtaret më të mira të botës por nuk doja të veçoja emra sepse ka shumë volejbolliste të mira dhe të famshme, mjaft të talentuara do të thosha. Nuk më pëlqen te ngjaj me asnjë përveç se me Arjola Prengën. Kjo është motoja ime.
Kush është e ardhmja jote volejbolli apo diçka tjetër?
Sigurisht që për momentin volejbolli është profesioni im dhe une e ushtroj me shumë dëshirë dhe seriozitet, pasi me jep shumë kënaqësi por definitivisht nuk mund të them kush është e ardhmja ime. E di që do jetë mes sportit kaq mund të them.
Të jesh volejbolliste do të thotë të jesh edhe e bukur, se në rastin tuaj ju hyni te bukuroshet e sportit?
Volejbolli ka shumë femra të bukura. Është sport I cili kombinon shumë bukur edhe me fizikun e femrës, të mban gjallë dhe të them të drejtën të fale hijeshi. Por jo domosdoshmërisht duhet të jesh e bukur të gjuash të shënosh pikë apo të formosh një bllok. Me pak fjalë janë bukuroshet ato qe luajnë kundër një skuadre tjetër bukuroshesh.
Kush është dieta që ndjek Arjola për të ruajtur linjat, kuptohet përveç stërvitjes?
Nuk ndjek dhe nuk kam ndjekur asnjëherë dietë edhe pse merrem me sport,thjesht tregoj kujdes në ushqimet që konsumoj, pasi duke qenë sportiste jam më afër informacionit se çfarë po dhe çfarë jo dëmton trupin. Megjithatë ka edhe raste kur unë e tejkaloj me ushqimin por fatmirësisht kam një metabolizëm që nuk me lejon të kem probleme serioze për linjat e trupit. Do doja të jepja një këshillë në këtë rast, që femrat ti afrohen sa më shumë sportit sidomos volejbollit është një dashuri më vete.
Kush është momenti që je ndjerë më keq gjatë aktiviteteve me skuadrën tënde?
Momenti më i keq që vazhdoj ta ndjej është shkrirja e legjendës së volejbollit “Dinamo” në 2007,pasi fituam edhe kampionatin. Më vjen shumë keq që ndodhi kështu, nuk mund të zhduket një skuadër që ka lënë gjurmë edhe në arenën ndërkombëtare.
Një skuadër që rrallë se vjen, apo jo?
Të gjithë e kujtojmë Dinamon e madhe me emra të mëdhenj, si Ela Tase Alketa Doçi apo Moza Ibrahimi është e rënë që kjo Dinamo mos të trashëgoj më tej emrin e saj. U shkri për arsye financiare, ky është një kujtim që më bën të ndihem shumë keq sa herë e kujtoj apo ma kujtojnë pasi është ky ekip qe mua më ka bërë kjo që jam dhe me ka dhenë emër mua dhe motrës time Amarildës, ku e madhja e volejbollit tone Ela Tase i dhuroi bluzën e vet me numër 1 si volejbollistja më e mirë në Shqipëri. Ka qenë një kombëtare model me vajza të të njëjtës moshe të cilat u stërvitem 2 muaj nën drejtimin e profesor Kreshnik Tartarit ,arritëm që pallatin e sportit ta mbushnim plot me tifozë si në volejbollin e para viteve '90. Megjithatë fakti që kam qenë lojtare e Dinamos më ka dhënë mundësinë të kem shumë kujtime të bukura se gjithmonë ka qenë ekip pretendent dhe çdo vit me trofe. Kam shumë kupa, superkupa dhe kampionate te fituara me Dinamon.
Kush është momenti që të do ta mbash mënd gjatë si diçka të bukur?
Momenti më i bukur ka qenë Ballkaniada në 2003 që u zhvillua në Durrës ku volejbolli shqiptar pas shumë vitesh arriti të ngjitej përsëri në pedane, mbas disa ndeshjesh shumë të bukura dhe u renditëm në vend të dytë. Gjithashtu edhe sezonin 2007-2008 me ekipin e Tiranës ku kemi arritur një rezultat rekord duke fituar çdo kupë që është organizuar dhe çdo fitore rezultat 3-0.
Nëse do kishe ndonjë ofertë tjetër për të luajtur në kampionate të huaja. A do ta largoheshit dhe nëse po ku do preferoje të luaje jashtë?
Kam pasur dhe kam oferta për të luajtur në kampionate të huaja si dhe në universitetet Amerikane, për momentin. Në fakt, për momentin jam e përqendruar te ekipi kombëtare pasi kemi eliminatorët e Botërorit në Bullgar dhe Lojërat Mesdhetare në Peskara, Itali. Megjithatë tani mbaroj edhe Universitetin dhe shume shpejt do marr vendimin se ne cilin kampionat do aktivizohem. Dua të them se kam një ofertë serioze nga Amerika nga një skuadër mjaft e njohur në Ohio, e cila quhet “Ohio,Kent State”.

Studime universitare në Amerikë

Në fakt kështu quhet edhe universiteti ku unë do të studioj më tej, dhe ka të njëjtin emër si skuadra që dua ti shërbej. Familja ime me ka mbështetur dhe ka bërë shumë sakrifica për mua dhe motrat e mia që të bëhemi sportiste sa më të mira dhe të aktivizohemi në kampionate të huaja,

Tartari e Koja, mësuesit Prengës

“Unë jam lojtare e Dinamos pasi aty jam stërvitur me trajnerët dhe specialistët më të mirë të volejbollit shqiptar, Kreshnik Tartari dhe Vangjel Koja. Në momentin që Dinamo u shkri unë kam pasur shumë oferta thuajse nga të gjitha ekipet e kampionatit shqiptar por që në 2007 më bleu ekipi i Tiranës dhe një vit më parë u aktivizova me ekipin privat të UMB(universiteti Marin Barleti).

Ballkaniada, momenti më i bukur

momenti më i bukur ka qenë Ballkaniada në 2003 që u zhvillua në Durrës ku volejbolli shqiptar pas shumë vitesh arriti të ngjitej përsëri në pedane, mbas disa ndeshjesh shumë të bukura dhe u renditëm në vend të dytë

Çmime e vlerësime ndërkombëtare

Si sportiste kam fituar edhe çmime personale në Itali si lojtarja e perspektivës si dhe vjet në Mal të Zi lojtarja më e mirë e turneut.

Kombëtarja e Lojërat Mesdhetare

Në fakt, për momentin jam e përqendruar te ekipi kombëtare pasi kemi eliminatorët e Botërorit në Bullgar dhe Lojërat Mesdhetare në Peskara, Itali.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›