Automjetet më të preferuara në SHBA
Santa Fe dhe Veracruz
Automjetet më të preferuara në SHBA
Çmimi “Best Bets 2009” për këtë vit në Shtetet e Bashkuara është fituar nga dy automjetet e “Hyundai”-t: Hyundai Santa Fe dhe Hyundai Veracruz. Në këtë garë kanë mundur të konkurojnë automjetet të cilat mundën të plotësonin tri kritere: të kishin notë “të mirë” për siguri në bazë të IIHS (Institute for Higheay Safety), notë mesatare ose të lartë për qëndrueshmëri dhe notë të lartë ekonomike në klasën e vet. Gjatë vlerësimit, janë marrë për bazë edhe vlerësimet dhe testimet e revistave të famshme për automjete, si edhe votat e lexuesve të faqes në internet Cars.com. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, përfaqësuesi i “Hyundai motor Company”, Skot Margason, është shprehur: “Jemi të kënaqur që votuesit kanë zgjedhur pikërisht automjetet tona si më të dëshiruarat për vitin 2009. Në fakt këto dy automjete konkurojnë edhe njëri-tjetrin përsa i përket luksit dhe komoditetit. Ato së shpejti do të vijnë edhe në tregun europian dhe aziatik. Shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç është parashikuar”,- u shpreh në një intervistë për mediat Margason.
Koncepti “Up!”
Së shpejti edhe nga Volkswagen, Seat dhe Skoda
Volkswagen ka bërë të ditur se në vitin 2011 do të fillojë prodhimin e automjetit të ri të vogël në përmasa i cili është i predispozuar për rrugët urbane. Për për prodhimin e tij janë zgjedhur fabrikat në Sllovaki. Volkswagen për prodhimin e modelit të ri, ka investuar 308 milionë euro dhe planifikon hapjen e rreth 1.500 vendeve të reja të punës. Fabrikat ekzistuese në Devinska Nova Ves afër Bratislavës do të jenë në gjendje që në vit të prodhojnë deri në 400.000 automjete. Volkswagen në këtë fabrikë prodhon edhe Audi Q7, Porsche Cayenne, Skoda Octavia e Volkswagen Touareg. Aktualisht fabrika ka të punësuar 8.000 persona. Edhe pse nuk është lajm zyrtar, pritet që gjenerata e re e përmendur e automjetit të vogël për qytet do të jetë e bazuar në konceptin “Up!”
SEAT prodhon “Audi Q3”
Modeli i ri sportiv në gamën Q3 të prodhuesit Audi do të prezantohet në vitin 2011. Disa ditë më parë, Audi ka konfirmuar zyrtarisht se prodhimi i këtij modeli do të zhvendoset në fabrikat e Seatit në Martorell, në Spanjë, për t’u ruajtur 1.200 vende pune të punësuarve në atë vend. Në kompani, për një kohë të gjatë kanë shikuar mundësinë e prodhimit të këtij modeli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por kriza aktuale ekonomike është shkak pse transferimi nuk ka ndodhur. Audi është një prej kompanive të rralla e cila është duke bërë biznes me fitime edhe pse tregu i prodhimit të automjeteve është prekur rëndë, ndërsa në Seat janë më shumë se të kënaqur me këtë hap dhe vazhdimin e bashkëpunimit me një nga komapanitë më të njohura në botë.
25 Prill 2009