E Shtunë, 31 Tetor 2026

EMA ANDREA: “Kur pasioni lendohet...”

Intervistë/ Aktorja dhe regjisorja e njohur flet ekskluzivisht për gazetën “Albania”

Petrika GROSI
Personazhi i radhës, që vjen ekskluzivisht në faqet e “Albania Weekend”, është regjisorja dhe aktorja Ema Andrea. Artistja tregon mbi jetën me aktrimin, marrëdhënien me të bijën, kolegët, momentet e bukura dhe të vështira, paragjykimet që e kanë ndjekur duke i nxjerrë probleme gjatë karrierës, por edhe mbi detaje të tjera interesante rreth jetës e teatrit, përjetimit të roleve para, gjatë dhe pas skenës.

Le të flasim pak për rolin tuaj të radhës...
Kasandra, e cila pas disa kohësh rivihet në skenë, ka qenë një sfidë aktoriale për mua, sikundër dhe për çdo aktore tjetër. Më vjen mirë që regjisori grek ma besoi këtë rol. Më pëlqen Kasandra sepse ka shumë plastikë brenda rolit dhe nuk është abuzuar me faktin që ajo ka aftësi paranormale dhe që flet me perënditë. Në këtë sens ishim dakord me regjisorin që Kasandra të shfaqet jo si një e çmendur, por si një njeri normal, e cila njerëzit që janë të dëshpëruar pas luftës, edhe në vdekje, i shtyn të gjejnë forcën që të jenë krenarë. Ajo është e lumtur se vdekja e saj do të jetë fillimi i hakmarrjes në të ardhmen. Kasandra për mua ka qenë si një monodramë brenda një shfaqjeje. Më ka pëlqyer bashkëpunimi me vajzat e korit dhe të rinjtë, gjithashtu kam përfituar edhe nga bashkëpunëtorët e tjerë të këtij projekti.

Si e ka përjetuar Ema këtë rol?
Me frikë. Druhesha se mos përsëritesha, por natyrisht kisha dëshirën për të sfiduar dhe njëherë veten dhe për të njohur përvojën e një regjisori grek. Sikundër për Medean, dhe për Kasandrën më është dashur që të lexoj shumë nga Antikiteti grek dhe nga letërsia moderne mbi këtë mit që gjithmonë ngjall diskutime.

Jeni dashuruar me Antikitetin?
Këto janë dy shanse që m’u dhanë, pasi rrallëherë më jepen mua shanset. Janë dy role të ndryshme dhe puna me to më bëri që të ndihesha më mirë me veten.

Rolet e Antikitetit, a krijojnë një ndjesi më të veçantë, krahasuar me rolet e ditëve të sotme apo të shekujve të fundit?
Natyrisht që të krijojnë ndjesi të veçantë, pasi janë role shumë vertikale. Në të njëjtën kohë, ngaqë janë dhe role simbolike në përgjithësi, profesionalisht të krijojnë emocione. Edhe shtrirja e tyre e madhe historike, që do të thotë edhe horizontalisht, këto role të japin shumë përgjegjësi dhe shumë frikë në të njëjtën kohë. Kur i studion këto role zbulon dimensione të frikshme të qenies njerëzore. Më pëlqejnë role të tilla pikërisht për këto sfida.

Për rolet që kanë ngarkesë të madhe emocionale thuhet se është mirë që artisti të ketë vuajtur shumë në jetë. Sa vlen kjo për ju?
Aktrimi, teatri dhe jeta janë të pashkëputshme për një artist. Teatri shikohet në bazë të asaj që ti studion në jetën tënde. Nuk është e thënë që aktori të jetë dhe në jetë tragjik; i bie që të kisha vrarë fëmijë për të luajtur Medean, gjë që s’më shkon në mendje. Jeta e aktorit duhet të jetë shumë e hapur dhe e pasur, por nuk jam dakord me atë që çfarë pëson karakteri në skenë, duhet t’i ketë hequr aktori në jetë, përndryshe do të kishim artistë psikopatë, me probleme serioze.

Duke pasur parasysh këto raporte, a ndodh ndonjëherë që jeta të të duket si teatër dhe teatri të bëhet jeta jote?
Teatri më duket një shkollë, një lojë, një realitet artistik, i cili do t’i sugjerojë diçka jetës. Jeta ime e imiton shumë pak teatrin, pasi unë jam pjesë e tij, ndërsa në jetën e përditshme shikoj një teatër të keq; njerëzit bëjnë dhe thonë gjëra që nuk i besojnë dhe besojnë gjërat që duan dhe jo ato që duken...

Kjo ka të bëjë me hipokrizinë?
Nuk doja ta lidhja me hipokrizinë, sepse pastaj do dilnim te Hipokrati dhe prapë te teatri. Hipokrizia ndoshta është pjesë e vetë jetës, sepse njerëzve u duhet të aktrojnë në rrethana të ndryshme; përballë shefave, fëmijëve etj. Secilit i duhet të gjejë një kod komunikimi të ndryshëm nga një vend në tjetrin. Ajo që mua më shqetëson është kur dikush thotë fjalë që nuk i beson. Aktori në skenë, në një moment të caktuar është vetvetja në të vërtetë, ndonëse luan personazhin.

Në një intervistë të kohëve të fundit jeni shprehur se ndieni keqardhje për të rinjtë e Akademisë së Arteve. Pse?
Ne kemi qenë një brez tjetër; ndoshta të rinjtë e sotëm ia lejojnë vetes që të jenë të papërgjegjshëm. Kjo është dhe përplasja më e madhe që kam me studentët. Ata nuk e dinë sa më lëndojnë kur shikoj se pasioni im nuk përçohet tek ata. Më pëlqen shumë lënda që jap, por shikoj se ata nuk kanë dashuri për profesionin. Nganjëherë u them se kanë lindur pleq. Nuk i shikoj si rini dhe u mungon krejt dëshira për të ndryshuar botën, siç ndodh me çdo brez të ri.

Mos ndoshta studentëve të aktrimit u mungojnë modelet?
Ose kanë marrë modelet e gabuara. E keqja është më e lehtë për t’u ndjekur sesa e mira.

Teksa në skenë shohim Emën e fuqishme, rebele, sapo thatë që prekeni nga një fakt i thjeshtë, siç është mungesa e pasionit te studentët. ǒdo të shtonit tjetër rreth natyrës suaj?
Jam shumë e ndjeshme dhe jo indiferente, siç mund të krijohet gabimisht përshtypja. Nuk më pëlqen t’i shqetësoj të tjerët, qoftë edhe me vështrimin tim. I vë re shumë detajet dhe nuk pëlqen të jem sipërfaqësore. Kam një akt dashurie me natyrën, qoftë kur është shi apo edhe kur ka diell. Mundohem ta frenoj tërheqjen nga teknologjia. Në anën tjetër jam njeri i fortë dhe kur ka probleme u dal para për t’u përballur me to. Nëse ka një problem në rrugën time, atë ia faturoj pikësëpari vetes, dhe jo të tjerëve. Besoj në Zot dhe kam frikë tek ai aq sa çdo njeri normal. Më pëlqejnë shumë udhëtimet dhe më pëlqen vazhdimisht që të ndryshoj.

Marrëdhënia me bijën tuaj, në ç’stad ndodhet aktualisht?
Sara është adoleshente dhe ka integritetin e saj, duke bërë zgjidhjet e veta. Marrëdhëniet tona kanë evoluar në atë drejtim, sa tani jam unë e dobëta dhe kam frikë që tani ajo u rrit nuk ka më nevojë për mua. Shprehja “mikesha” është bërë si klishe, por ne vërtet flasim për problemet tona. Ndonjëherë edhe nuk jam dakord me zgjidhjet e saj dhe mund të reagoj në mënyrë drastike, por gjithmonë e gjejmë zgjidhjen larg ekstremitetit.

Thonë se nuk mund ta bësh njëherësh dhe shoqen, dhe prindin e mirë. Sa jeni dakord?
Një prind që i jep fëmijës veç urdhra dhe i thotë bëj si them unë nuk është prind i mirë. Kur them që jemi shoqe, duhet kuptuar se Sara ka të drejtën e fjalës për çdo gjë që ndodh në jetën tonë. Nuk më pëlqen sjellja e prindërve klasikë.

Momenti kur i thatë vetes: “Ema, vajza t’u bë adoleshente”?
Ishte momenti kur vajza festonte ditëlindjen e 15-të të saj. E shikoja dhe thosha me vete që pse nuk e ndaloj dot kohën... Ndonjëherë prindi nuk do që fëmija t’i rritet. Pastaj, në një moment, festa filloi dhe vajza më tha: “Mami, parti filloi dhe tani mund të ikësh”. Bëra një shëtitje të gjatë me veten time dhe aty mendova që duhet ta lë vajzën të qetë edhe sikur të gabojë.

Një mashkull nuk ka hyrë ende në familjen tuaj, ndërkohë që jeni në moshë të re dhe në formë mjaft të mirë. Mos ka ndikuar ndoshta vajza për këtë zgjidhje?
Gjërat mes nesh janë shumë të hapura. Kur bëhesh nënë ke prioritet vetëm fëmijën. Megjithatë, jeta ime nuk është aspak e varfër dhe nuk është se më ka munguar pjesa tjetër. Gjërat kështu kanë rrjedhur me thënë të drejtën.

Keni qenë shpesh target i mediave, a keni vuajtur këtë gjë, për të kaluar në një kohë më të largët, kur ishit e re dhe më e brishtë e që ndoshta jeni përballur me paragjykimet?
Kam vuajtur paragjykimet në një kohë tjetër, kur isha më e re dhe më e brishtë. Me paparacët nuk kam probleme dhe nuk jam ai tip që i bie telefonit dhe kërkon t’i bëjnë fotografi në një vend a në një tjetër. Sa u përket paragjykimeve, ato më kanë shqetësuar vazhdimisht.

Momenti më i vështirë i krijuar pikërisht nga këto paragjykime?
E gjithë jeta ime ka qenë e vështirë. Do të veçoja një moment kur kanë ardhur regjisorë dhe më kanë kërkuar për të më dhënë role dhe kolegët i kanë thënë se unë nuk isha e disponueshme. I di motivet e kësaj sjelljeje, por nuk i kuptoj pse...

Ka njerëz të cilëve gjërat u realizohen shpejt, ashtu siç ka të tjerë që u duhet të vuajnë shumë...
Kam përshtypjen se ndikon më shumë karakteri, sepse fatin njeriu e bën edhe vetë. Në fakt nuk qahem shumë nga fati; në jetën time ka pasur shumë mbështetje, dashuri dhe besnikëri. Nuk kam si të ankohem dhe kurrë nuk ndihem bosh, pasi jam e rrethuar me njerëz.

Kinemaja. A të ka intriguar ndonjëherë karriera në ekranin e madh?
Sigurisht që do të doja të kisha realizuar karaktere të forta edhe në kinema, por ky është një realitet që për momentin nuk e bëj dot vetë, sikurse veprova me teatrin (as atë nuk ma ofruan). Nuk kam ndonjë keqardhje që këtu nuk jam e preferuar, do të përpiqem t’ia hap vetes këtë rrugë ndoshta në Europë.

Jeni dhe regjisore. Ndonjë projekt të afërt?
Jam gjithmonë në kërkim, por tani nuk mund t’ju zbuloj shumë gjëra. Po mendoj mbi disa plane të miat dhe kam aplikuar në nja dy kurse teknikash jashtë shtetit. Duke qëndruar gjithmonë në të njëjtin ambient nuk ndihem mirë. Nuk bëj dot teatër për zanat, edhe pse ndonjëherë puna duhet bërë për mbijetesë. Do të shkoj jashtë për ta ridimensionuar veten dhe do të kthehem me ide të ndryshme mbi teatrin universal.

Gjithashtu, keni treguar se jeni dhe një prezantuese shumë e mirë?
Ashtu? (Qesh.) Më pëlqen që të bëj gjëra klasike dhe jo komerciale. Për shembull, nuk do ta prezantoja dot një festival.

Pse?
Do të doja më tepër diçka tradicionale, të tipit ndonjë koncert klasik, apo nata e Vitit të Ri... Dua që të më krijohet mundësia për të dhënë sharmin dhe përvojën e akumuluar ndër vite, dhe jo thjesht të thuash se i kujt është teksti dhe muzika e një kënge.

Po kur nuk ju ngroh, nuk ju mbush një rol, a e merrni përsipër për hir të profesionalizmit?
Deri tani e kam bërë vetë karrierën time në 90 për qind të rasteve, por natyrisht që kam refuzuar role, të cilat nuk më kanë ofruar asnjë ngacmim. Më pëlqen kur ka një frymë ndryshe dhe kur e sfidoj veten.

Si ia bën një artiste e përmasave të mëdha pse jo, si ju, kur i duhet të qajë në skenë?
E pse duhet të qaj?

E supozojmë se kështu e kërkon roli.
Nuk duhet lotët në skenë. Duhet ta besosh atë që ndodh në atë moment me personazhin dhe nëse ti e beson, emocioni vjen. Emocioni mund të shoqërohet me lot ose jo, por e rëndësishme është që talenti dhe energjia jote ta çojë këtë emocion te publiku.

Pra lotët në skenë janë spontanë?
Pyetje e vështirë (Qesh.). Është rast për t’u studiuar nga psikologu. Ekzistojnë teknika shumë të vjetra, siç është ajo që aktori del jashtë dhe kujton vdekjen e gjyshit apo ndonjë moment tjetër të vështirë, por një gjë e tillë është shkatërrim psikologjik dhe emocioni nuk vjen natyrshëm. Për atë çka personazhi përfaqëson dhe për atë që i ndodh atij, edhe loti duhet të dalë natyrshëm. Ka shumë aktorë që qajnë në skenë, madje lëshohen aq keq, duke qarë për veten e tyre dhe jo për personazhin, sa bëhen qesharakë për publikun.

A ka ndodhur që një rol t’ju bëjë keq?
Çdo rol të lodh e të këput fizikisht dhe psikologjikisht, por Medea më ka munduar më shumë.

Së fundi, a do të donit që vajza juaj të bëhej artiste?
Artiste po, sepse ka tendencë, ndërsa për aktore nuk e di. Kur fëmija bie në gjurmët e prindit e shoqëron gjithmonë hija e tij.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›