Japoni, rritet bilanci tragjik, 15 mijë të vdekur

Rritet në mënyrë dramatike numri i viktimave dhe atyre që rezultojnë të humbur në Japoni. 15 mijë ka shkuar numri i tyre, bën të ditur Agjensia Kombëtare Japoneze e Policisë, 5400 janë konfirmuar të vdekur dhe 9600 rezultojnë të humbur. Shpresat për shenja jetë tek të humburit janë të pakta, ndërsa focat e shpëtimit kanë vazhduar punën e tyre.
Rreth 2000 trupa u identifikuan të enjten në prefekturat e lwates, Miyagit dhe Fukushimës, nga këta 870 persona iu kthyen familjeve të tyre,kjo sipas NPA-së. Autoritet japoneze njoftuan gjithashtu se 380 000 njerez po qëndrojnë në 2000 streha të ngritura në tetë prefektura. Kërkimi për viktimat e tërmetit që preku Japoninë tashmë është shtrirë në një zonë më të gjerë.
Zgjerimi i zonës së kërkimit është mundësuar nga pastrimi i mbeturinave që erdhën si pasojë e cunamit, u shprehën oficerët e shpëtimit, në ditën e shtatë pas tërmetit.
Ndërsa në zonën afër centralit bërthamor të Fukushimas në Japoni kanë humbur jetën 14 të moshuar të sëmurë, të cilët u transportuan jashtë spitalit për shkak të rrezikut të radioaktivitetit.
Çuei Inamura nga autoritetet vendase bëri të ditur se 2 nga viktimat kanë humbur jetën gjatë transportimit nga spitali ndërsa 12 të tjerët kanë vdekur në një sallon sporti ku ishin vendosur përkohësisht.
"Nuk kemi pasur kushte të mira mjekimi", u shpreh Inamura.
Grupi më i prekur nga tërmeti dhe cunami në Japoni janë të moshuarit. Ndërkohë që shumë të moshuar kanë humbur jetën për shkak të pasojave të tërmetit dhe cunamit, pjesa tjetër janë të detyruar të vazhdojnë jetën e tyre në spitale ku përballen me probleme nga më të ndryshmet duke filluar nga mungesa e ujit dhe dritave dhe deri tek mungesa e ilaçeve.