E Diel, 1 Nëntor 2026

Japoni, shtohen viktimat, mungojnë 30 mijë njerëz

Gjashtë mijë viktima janë konfirmuar deri tani nga autoritetet në Japoni, por numri do të rritet sërish në mënyrë dramatike, pasi emrat e 30 mijë njerëzve, u mungojnë ende listave të qeverisë.Ndërsa trupat shtohen nga ora në orë, si nën rrënoja ashtu edhe nga prurjet e detit në plazhe, vendit po i përfundojnë rezervat e arkivoleve dhe thasëve për trupat. Në zonat e goditura nga tërmeti nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë të pijshëm dhe po mbarojnë edhe rezervat e ushqimit. Banorët e evakuuar në tenda e kalojnë natën në të ftohtë të mbështjellë vetëm me një batanije. Janë të shumtë në numër. Janë ndërtuar mbi 2 mijë qendra evakuimi dhe janë evakuuar rreth 700 mijë persona nga zona verilindore e Japonisë. Dje pati një tjetër dallgë cunami në një prej ishujve të arkipelagut dhe u ndez alarmi në të gjithë Paqësorin se mund të kishte cunam të ri. Ka pasur të paktën 275 dridhje të tjera toke që nga tërmeti i tmerrshëm i së premtes në Japoni. Tërmeti më i fortë që ndodhi gjatë së hënës ishte 5,8 ballë. Tronditjet e pas-tërmetit 9 ballësh në Japoni, mund të zgjasin për muaj të tërë. Sizmologu Rainer Kind, i qendrës gjermane në Potsdam, tha se ndonjë prej dridhjeve të ardhshme të tokës në Japoni, nuk përjashtohet të ketë përmasat e asaj të së premtes. Kështu, popullsia japoneze do të jetë jo vetëm pa ujë e pa ushqim, por edhe me pasoja të rënda psikologjike. Rreth 70 vende kanë dërguar skuadra shpëtimi për tu solidarizuar me Japoninë. Kryeministri japonez, Naoto Kan, ka dyfishuar një ditë më parë numrin e ushtarëve të angazhuar për operacionit e shpëtimit. Tashmë ata janë 100 mijë. Pamjet televizive kanë treguar qindra mijëra njerëz nga të mbijetuarit, që janë strukur në qendrat e emergjencës në errësirë apo janë futur nëpër klasa shkollash, duke u tmerruar herë pas herë nga tronditjet e reja të tokës dhe duke duruar temperaturat e ftohta dimërore. Ministri japonez i Mbrojtjes, Toshimi Kitazawa, tha se ka kaq shumë njerëz që janë ende të izoluar dhe po presin për ndihmë. Realitet është shumë i zymtë. Portet, aeroportet, autostradat dhe fabrikat janë mbyllur, duke e çuar qeverinë e Japonisë të parashikojë ndikim të konsiderueshëm në një shkallë të gjerë në ekonominë e vendit.

Ndëshkim nga qielli

Guvernatori i Tokios, Shintaro Ishihara, e ka konsideruar tërmetin një ndëshkim nga qielli. Lajmin e raportoi e përditshmja Asahi Shinbun. Identiteti i japonezëve është egoist. Duke përdorur këtë cunam, për të paktën një herë është e nevojshme të lashë egoizmin. Pra, unë mendoj se është një ndëshkim nga qielli, tha guvernatori. Për sa i përket viktimave të cunamit, Ishihara komentoi vetëm me një fjalë: kawaisou, që do të thotë të shkretët.

Perandori në terr

Perandori dhe perandoresha e Japonisë kanë kërkuar që rezidencat e tyre të mos përjashtohen nga aplikimi i black out-ve të programuara nga qeveria për të kursyer energjinë. Lajmi u publikua në faqen online të gazetës japoneze Yomiuri Shinbun. Duam të jetojmë pakënaqësitë e qytetarëve, ka kërkuar çifti perandorak. Akihito e Michiko kanë anuluar takimet e parashikuara për ditët e ardhshme, mes të cilëve edhe ai me çiftin mbretëror norvegjez.

Fëmijët në lëmoshë

Janë të paktën 100 mijë fëmijë japonezë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, pas tërmetit dhe cunamit të tri ditëve më parë. Vlerësimin e ka bërë Save the children (shpëtoni fëmijët), që ka hedhur edhe një apel për mbledhjen e 5 milionë dollarëve për ti ndihmuar ata. Stephen Mcdonald, koordinator i ndërhyrjes së shpejtë të kësaj shoqate, shpjegon nga Japonia se janë të shumtë fëmijët që kanë mbetur pa shtëpi dhe janë ndarë nga prindërit e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›