E Shtunë, 31 Tetor 2026

Japoni, të gjithë të çmendur për Rehno

Kryeministri i ka besuar detyrën e reformimit të administratës, por ajo ka qëllime shumë më të mëdha dhe ndërkohë gëzon popullaritetin më të lartë të një politikani në vend

Kur u emërua, për çudinë e të gjithëve ministre në qeverinë e re të Kryeministrit Naoto Kan, pjesa dërmuese e japonezëve mendoi se tashmë klasa politike ishte duke menduar manovra nga më të ndryshmet, për t’i dhënë edhe një herë shkëlqim politikës së Japonisë, një superfuqi në perëndimin e saj. Për këtë konstatim të fundit mjafton të themi se borxhi publik i Japonisë është 200%. Por brenda muajit të parë në detyrë, Rehno Lian Fang, me babain kinez nga Tajvani dhe mamanë japoneze ia doli që të shndërrohej në figurën më popullore të liderëve demokratë. Ajo është e para grua ministre dhe pavarësisht se ka kapur të 40-at, ka pamjen e një vajze të re dhe të freskët. Tashmë gëzon suksesin e një ylli në shkëlqim të plotë, duke qenë njëherazi edhe një fenomen mediatik dhe kulturor, që është duke ndryshuar mjetet, origjinën dhe objektivat e politikës në Lindjen e Largët.

Për të ngushtuar distancën e madhe që ndan në Azi klasën qeverisëse nga ajo e njerëzve të thjeshtë, ministrja preferon që të gjithë ta thërrasin vetëm në emër pra: Rehno. Vishet shumë thjeshtë, shpesh me xhinse dhe xhaketa, ka hequr dorë nga makina luksoze që iu rezervua kur u bë ministre dhe në punë zakonisht shkon me biçikletë.

Mijëra të rinj japonezë, si ata të lagjeve të pasura, por edhe ata nga lagjet e varfra, mbajnë veshur bluza të bardha pambuku në të cilat është stampuar fytyra e ministres së re. Veç kësaj ata shpërndajnë nëpër rrugë dhe vende të ndryshme fletëpalosje me planet dhe projektet e ministres që, sipas shumë analistëve politikë mendojnë se do të jetë një Hillari Klinton për Japoninë. Po si është në të vërtetë kjo grua që po çmend Japoninë. Së pari është inteligjente dhe shumë e artikuluar, por suksesin e saj të menjëhershëm ia detyron edhe pamjes së jashtme dhe medias që e ka përkrahur vazhdimisht, duke ia shtuar dhe shumëfishuar famën. Për 15 vjet me radhë ka qenë një nga modelet më të suksesshme në vendin e saj, por me famë botërore dhe ka sfiluar në pasarelat e së gjithë botës. Më pas u regjistrua në shkollën më të kualifikuar të ligjeve në vend, aty ku shkollohet elita e politikanëve të ardhshëm të vendit, duke u diplomuar për ligje, ndërsa ngjiste pak nga pak edhe shkallët e popullaritetit si gazetare. Për shumë kohë ka qenë fytyra ikonë e TV Asahi dhe për dhjetë vjet me radhë ka dhënë lajmet kryesore të këtij stacioni televiziv. Si të mos mjaftonin të gjitha këto është martuar me një nga njerëzit më të pasur të Tokios dhe ka sjellë në jetë dy binjakë. E ndërsa punonte në televizion dhe vazhdonte që të ishte një nga modelet më të paguara të kozmetikës japoneze, Rehno nisi që t’i kushtonte vëmendje më të madhe politikës, duke bërë fillimisht pyetje të drejtpërdrejta dhe të dokumentuara në adresë të funksionarëve dhe teknokratëve, të cilët që prej 60 vitesh kanë sunduar në vend. Ky interes bëri që të regjistrohej edhe në radhët e Partisë Demokratike. Kjo është partia që më në fund, një vit më parë, arriti që të merrte nga duart e liberalëve pushtetin që ata e mbanin prej një kohe të gjatë. Edhe pse gjatë qeverisjes, partia në pushtet ka pasur probleme dhe rënie të popullaritetit, kjo nuk e ka prekur aspak popullaritetin personal që vazhdon të gëzojë Rehno. Ngritja e saj, ndërsa partia kalon kriza, është shndërruar në një prej paradokseve më të mëdha të një vendi që aktualisht po kalon një krizë shumë të rëndë. Së fundi, madje janë të shumtë ata që mendojnë se vetëm Rehno është në gjendje që të ndalojë dështimin e qendrës së djathtë. Ajo vazhdon që të jetë shumë e votuar, madje është e vetmja deputete që ka arritur të marrë mbi 1 milion vota, ose 1.7 milionë gjatë zgjedhjeve. Mënyra me të cilën ajo i drejtohet njerëzve është shumë e ndryshme dhe origjinale për politikën vendase. Takimet dhe tubimet e saj me njerëzit janë shndërruar në festa të vërteta me adoleshentë që çmenden për të kërcyer muzikën “techno” në skenë. Edhe parullat e saj janë të gjitha origjinale dhe të drejtpërdrejta me thirrje për përmbushjen e burokracisë dhe korrupsionit të një klase politike që “nuk po e kupton se tashmë kemi hyrë në një mijëvjeçar të ri”. Kryeministri i vendit i ka besuar misionin e “revolucionarizimit të administratës publike dhe rigjenerimin e qeverisë. Ajo, nga ana e saj, ka premtuar reforma dhe ndryshime të mëdha që, sipas saj, do të sjellin një frymë krejt të re dhe të freskët në klasën politike më të vjetër të planetit. Synimi i saj konkret është që të sjellë në pushtet dhe të caktojë në detyrat kyçe japonezët 40-vjeçarë. Asaj nuk i vjen aspak zor që herë pas here të përmendë në fjalimet e saj bëmat e heronjve të filmave të famshëm vizatimorë japonezë, të vishet si heroinat e telefilmave apo të kërcejë me robotët në ekspozitat e teknologjisë së lartë, për të promovuar prodhimet e vendit të saj. Edhe më skeptikët, ata që e panë me dyshim në fillim ardhjen në pushtet të kësaj gruaje, thonë me plot gojë sot se Rehno është “burri më i fortë” që ka qeveria. Kjo është risia më e madhe në një komb që ende e sheh femrën në shumë raste, vetëm në pozicionin e një gejshe. Një nga arritjet më të mëdha të Rehnos është vota e Parlamentit, që i ka dhënë fund njërit prej ligjeve më diskriminues për femrën, atë të pagesës 33% më pak se meshkujt për çdo lloj pune. Ajo ka filluar që të promovojë vajzat e reja dhe të shkolluara të vendit të saj edhe në takimet e rëndësishme ndërkombëtare. Në këto rrethana janë të shumtë ata që mendojnë se politikania-modele me suksesin dhe popullaritetin e arritur shumë shpejt, në zgjedhjet e ardhshme do të mund të marrë në dorë drejtimin e vendit. Dhe kur kjo të ndodhë, misioni i saj do të jetë i qartë dhe i përcaktuar: ta çlirojë Tokion njëherë e përgjithmonë nga pakti i vjetër dhe robërues me Uashingtonin dhe të sjellë në vend një klasë të re politike.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›