E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheryl Crow, Si rilinda pas dramave të mëdha

Katër vjet më parë, bota e saj u bë copash, pas prishjes së fejesës me njeriun e zemrës dhe diagnostikimit me kancer. Sot, ajo rrëfen me shumë kënaqësi se si ia doli mbanë që të rindërtojë me sukses jetën e saj

Asaj i pëlqen që të kalojë shumë kohë në shtëpinë e saj të bukur në Tenesi, që ndodhet në një fermë të madhe. Brenda në oborr ka një pishinë të madhe, në të cilën kridhet ditëve të nxehta. Diku më tutje ndodhet një tufë me zogj, që të kënaqin me këngën e tyre. Këtë shtëpi ajo e bleu në vitin 2006, për t’iu shmangur “fatit të keq” që sapo i kishte trokitur në derë. Dhe 2006 ishte me të vërtetë një vit i vështirë për këngëtaren e famshme. Marrëdhënia e saj e dashurisë me çiklistin e famshëm Armstrong u shkërmoq pak para se të martoheshin dhe menjëherë pas kësaj, ajo u diagnostikua me kancer. Sot, 48-vjeçarja, e cila ruan pamjen e një 20-vjeçareje me flokët e gjatë të verdhë dhe me trupin e zhdërvjellët, rrezaton freski dhe shëndet. Ajo ka qenë gjithmonë një grua kurajoze dhe me shumë vullnet. “Ne njerëzit e nënvleftësojmë gjithmonë faktin se sa i shkurtër është rrugëtimi ynë në këtë planet”, thotë Sheryl. Nga brenda shtëpisë del një fëmijë i vogël. Ai është një fëmijë i lezetshëm, djali i saj i adoptuar, të cilin vendosi që ta merrte kur shëndeti nisi t’i përmirësohej. Waytt është 3 vjeç dhe së shpejti do të bëhet me një vëlla, Levy James, një fëmijë që këngëtarja sapo e ka adoptuar. Fëmijën e parë e mori në shtëpi tri ditë pasi ai erdhi në jetë dhe që nga ajo ditë, ata jetojnë bashkë. “Pozicioni im është shumë i vështirë dhe jo të gjithë njerëzit e kuptojnë. Të jesh një mama që adopton një fëmijë, nuk është gjithnjë aq e thjeshtë, madje është shpesh e vështirë, sepse një nënë edhe mund ta rrahë fëmijën e saj, por mendohet dy herë para se të trajtojë egër fëmijën e adoptuar. Një nënë adoptive kalon një kalvar më të vështirë se nënat që sjellin në jetë vetë fëmijët e tyre. Vitin e kaluar, kur doja të adoptoja fëmijën e dytë, kam kaluar paraprakisht dhjetë raste për të arritur te djali im i dytë dhe më në fund, kur të gjitha kushtet u plotësuan që unë të bëhesha sërish me një djalë të dytë, ndjeva një lehtësim shumë të madh. Adoptimi është një proces i gjatë dhe me shumë paqartësi dhe të papritura. Mbi të gjitha, të papritura me ndjenjat”.

Sheryl e përjeton të qenit një nënë e vetme edhe me ndihmën emocionale të familjes së saj, që jeton katër orë larg. “Arsyeja që nuk jetoj në një qytet tjetër është se këtu fëmijët kanë gjithë kushërinjtë dhe njerëzit e mi, të cilët i duan dhe kujdesen për ta. Sheryl është nga Memfisi dhe ka jetuar gjatë në këtë qytet, për ta lënë kur ishte në moshën 26-vjeçare. “Më kujtohet nata kur shkova në shtëpi dhe u thashë prindërve se doja të zhvendosesha në Los Anxhelos, për të nisur karrierën muzikore. Ata fillimisht më kundërshtuan fuqishëm, duke qenë shumë në merak për mua, por unë e kisha ndarë mendjen dhe nuk kisha ndërmend që të kthehesha pas”. Ky ndoshta ishte edhe rebelimi i parë ndaj prindërve, të cilët i ka dashur dhe i do shumë dhe i është mirënjohëse për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që i kanë dhënë. “Unë kam qenë gjithnjë për ta një fëmijë i bindur që nuk i kam nxjerrë kurrë prindërve probleme, apo telashe, ndaj ata u befasuan nga vendimi im. Në Los Anxhelos mbërrita me makinën time dhe zura një shtëpi me qira dhe pikërisht ky është edhe fillimi i karrierës dhe jetës sime të re. Isha pak naive në atë kohë, por vendosa që të punoja shumë dhe puna intensive u shndërrua në modelin tim të të jetuarit për dy dhjetëvjeçarët që pasuan”.
Sheryl është shquar gjithmonë për këmbëngulje dhe dëshirë të madhe për të punuar, ndërkohë që për sa i përket lidhjeve të dashurisë, ato nuk kanë qenë me shumë fat. Megjithatë për ish- partnerët, Sheryl ka shumë respekt. Mes tyre mund të përmendim edhe emrin e Eric Clapton. Ajo e nisi karrierën si këngëtare korri në trupën e Michael Jackson-it, me të cilin bëri shumë turne, madje në disa prej tyre, pati edhe duete, dhe kjo e nxiti për të dalë me albumin e parë në vitin 1993, këngët e të cilit u bënë të suksesshme. Që nga ai moment, Sheryl ka fituar gjatë karrierës nëntë çmime “Grammy”, ka shitur 35 milionë disqe dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj të rrokut si “Rolling Stones”, Clapton e Sting. Por kur takoi në vitin 2003 Lance Armstrong, ajo e ndjeu se sa i rëndësishëm do të ishte ai njeri në jetën e saj. Në atë kohë, çiklisti i madh ishte diagnostikuar me kancer në testikuj, por Sheryl vendosi që ta mbështeste në betejën e vështirë për të shpëtuar jetën.

Rasti i Armstrong-ut ishte i vështirë, sepse kanceri kishte nisur që të përhapej edhe në mushkëri, bark dhe tru. Për t’i qëndruar pranë të dashurit, Sheryl vendosi që të jetonte me të në shtëpinë e tij dhe herë pas here kujdesej edhe për tre fëmijët që Lance kishte nga martesa e parë. Marrëdhënia me Lance-n i solli shumë dobi edhe në karrierë dhe sipas fjalëve të saj, e frymëzoi dhe e la të lirë njëherazi. Për sa i përket konsideratës që ka për karrierën e saj, Sheryl thotë se është e kënaqur që, edhe pse ka jetuar dhe jeton në një botë me shumë intriga dhe sfida, ajo ka mundur që të ruajë një emër të pastër dhe të mos bëhet kurrë pjesë e skandaleve. “Unë ndoshta kam mundur që të jem ndryshe, për shkak se duke qenë një artiste produktive, e kam zënë kohën vazhdimisht vetëm me punë. Jam vazhdimisht në interpretim apo kompozim. Veç kësaj jam përpjekur gjithnjë që të jem një model i mirë për të tjerët. Kur bota ime u shemb në vitin 2006, nisa që të mendoj ndryshe dhe mbi të gjitha, të bëja gjërat që më pëlqenin dhe jo ato që duhet të bëja për t’u pëlqyer të tjerëve. Jo vetëm që nisa të rishoh gjithçka që kisha si artiste, por edhe si grua. Nuk doja më që të veproja për t’u bërë qejfin të tjerëve, doja të isha vetja ime”.

Për sa i përket Armstrong-ut, ai ka deklaruar se marrëdhënia e tyre përfundoi për shkak të kërkesës së Sheryl për të pasur fëmijë, ndërkohë që Sheryl ka pohuar se bëhet fjalë për probleme me rrënjë më të thella. Por Sheryl dha një intervistë shumë entuziaste për lidhjen e saj pak javë para dasmës së paralajmëruar. Më 11 shkurt të vitit 2006, disa ditë pasi lajmi u bë publik, pas një mamografie rutinë, Sheryl mori vesh se kishte diçka jo normale në gjoksin e saj të majtë dhe më pas nisur nga kjo, këngëtarja bëri edhe analiza të tjera, në përfundim të të cilave doli se kishte kancer. Armstrong i ofroi menjëherë mbështetjen, por Sheryl ishte shumë e dëshpëruar dhe e inatosur për ta pranuar këtë mbështetje nga njeriu me të cilin sapo ishte ndarë. “Gjithçka që ndodhi me shumë shpejtësi në vitin 2006 e ribëri të ardhmen time dhe ma ndryshoi shumë jetën. Isha mësuar me një jetë të caktuar, derisa ngjarjet e rënda më bënë më të ndjeshme dhe më të vëmendshme ndaj vlerave dhe gjërave të tjera që i kisha lënë në harresë. Ne në kulturën perëndimore jemi edukuar që të mos mendojmë shumë, por ta mbajmë veten të zënë me punë dhe në zbavitje. Dhe kur ndodhesh përballë emocioneve të forta që vijnë pa pritur, qofshin negative, apo pozitive, nuk di si të sillesh dhe mund të pësosh një kolaps emocional”. Kjo situatë bëri që ajo të binte në depresion për herë të dytë në jetën e saj. Për herë të parë u përball me këtë problem kur ishte 20 vjeçe. “Për mua, mendoj se shkaku i depresionit ka qenë dëshira për të bërë shumë gjëra njëherazi, lodhja e madhe dhe shpesh pamundësia për t’i bërë gjithë ato gjëra siç duhen. Nuk kam pranuar kurrë që të them jo, por të jetoj me intensitet gjithçka që më dilte përpara”.

Situata e saj pas diagnostikimit, pra situata shpirtërore ishte shumë e vështirë dhe me ulje-ngritje të mëdha. Në këto rrethana ajo vendosi që të blinte pronën dhe shtëpinë në të cilën jeton sot dhe aty të niste të rindërtonte veten si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht. “Lashë gjithçka që kisha në Los Anxhelos, miqtë, punën sepse nuk ndihesha më në shtëpinë time në atë vend. Në atë periudhë, gjëja që kisha humbur e për të cilën më vinte më shumë keq, ishin ëndrrat. Kur nisa që të përmirësohesha nga ana shëndetësore, vendosa që të realizoj atë që dëshiroja dhe pak nga pak, ëndrrat e mia po ktheheshin dhe njëra prej tyre ishte që të kisha fëmijë. Kështu nisa përpjekjet për të adoptuar fëmijën e parë. “Tashmë isha e gatshme për të ndryshuar jetën time. Ato që më ndodhën më bërë që të kuptoj se jam një njeri i brishtë dhe jo e pathyeshme siç kujtoja gjatë disa viteve të jetës sime. Albumi im i fundit, “100 kilometra larg Memfisit”, është një eksplorim që i kam bërë gjendjes sime të brishtësisë, në të cilin them se nuk duhet që të kemi frikë nga ekspozimi i dobësive tona dhe nga të kërkuarit e ndershëm dhe të hapur të mbështetjes te të tjerët”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›