E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albert Cairo, Engjëlli mbrojtës i afganëve

“Pas diplomimit për drejtësi, thashë me vete: A nuk do të ishte më mirë t’u riktheja gjymtyrët personave që i kanë humbur?”

Doktori vjen çdo ditë në spitalin e Kabulit para se të zbardhë mëngjesi. Vesh grykësen e bardhë, kontrollon postën elektronike, lexon e-mail-et e të gjymtuarve dhe studion metodën më të shpejtë për t’i bërë sërish që të ecin: koha maksimale në dispozicion është tri orë. Pastaj në orën 08:00 mbyll literaturat dhe ngrihet nga tavolina e punës. “E gjithë kjo kohë më duhet edhe për veten”, shprehet ai. “Kam nevojë të shkruaj, të reflektoj, të organizoj punën dhe të ‘përkëdhel’ ëndrrën time në sirtar. Kam dëshirë të ndërtoj dhjetëra qendra spitalore në të gjithë Afganistanin”.

është një ëndërr që Albert Cairo, fizioterapist, e ndjek prej njëzet vjetësh. Organizatorët e fushatës për mbledhjen e minave, Universiteti i Romës dhe Senati i Republikës e kanë shpallur zyrtarisht kandidat për çmimin “Nobel” për paqen 2010. “është më mirë të mos e gënjej kot veten, por nëse do të më vlerësonin me të vërtetë me këtë çmim, do të ishte një fitore jo vetëm për mua, por edhe për afganët. Atëherë nuk do të kishte asgjë që do të më ndalte!”, thotë doktori.

Në fakt nuk ka ndaluar kurrë që prej kohës kur pasi u diplomua për drejtësi në Torino, vendoi të ndryshonte jetë dhe u regjistrua në një kurs fizioterapie. Nga statistikat e Kombeve të Bashkuara, çdo 22 minuta, një person mbetet viktimë nga shpërthimi i një mine. Në 90 për qind të rasteve janë civilë, ndërsa në 10 për qind fëmijë. Vetëm në Afganistan, të mbijetuarit që kanë pësuar mutacione të mëdha për shkak të shpërthimeve të fuqishme, janë më shumë se 1 milion. Ishte pikërisht në Kabul ku ish-avokati italian, pas një përvoje në Juba, Sudan, provoi të merrte në dorë në vitin 1990 drejtimin e qendrës së rehabilitimit për të plagosurit e luftës të Qendrës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq. Qëllimi ishte një dhe i vetëm: “Kur shoh një njeri pa këmbë, i cili i drejtohet qendrës sonë shëndetësore, jam mësuar të mos mendoj më ‘i shkreti’, por të llogaris me shpejtësi se sa ditë më duhen për ta ngritur sërish në këmbë”, pohon doktori.

Nën drejtimin e tij, laboratori ku prodhohen proteza të ndryshme, është shndërruar në një nga qendrat më të mëdha për rehabilitimin fizik të Kryqit të Kuq në botë. Aty kanë marrë ndihmë pothuajse njëqindmijë pacientë, jo vetëm viktimat e luftës, por kushdo që ka pasur një handikap të tipit humbje dore, krahu, këmbe etj. “Në 6 mijë pacientë të rinj në vit, më pak se 1 mijë kanë mbetur të gjymtuar për shkak të shpërthimit të minave”, thotë Cairo.

Qendra spitalore e Kabulit, e cila ndodhet në lagjen “Ali Abad”, iu dha në dorëzim Kryqit të Kuq nga Presidenti Mohammad Najibullah, e shkatërruar nga talebanët në vitin 1996, kur pushtuan kryeqytetin. Kjo qendër pret mesatarisht 300 pacientë në ditë. Nuk ka rëndësi se çfarë pikëpamje politike kanë, se cilit besim i përkasin dhe në ç’vend jetojnë. Në një vit prodhohen 15 mijë proteza dhe 1 mijë karrige me rrota. Një karrocë e importuar kushton 500 dollarë, ndërsa ato të prodhuara në vend, jo më shumë se 150.

Abdul Wahab, një ish-ushtar i cili ka humbur një këmbë nga shpërthimi i një mine, po e zëvendëson atë me një protezë artificiale. Ai është një nga 320 punonjësit e spitalit. 300 ushtarë të tjerë punojnë në qendrat provinciale të Mazar-i-Sharif, Faizabad, Jalalabad, Golbahar, Herat dhe Lashkar Gah. “Të gjithë burrat dhe gratë, teknikë dhe administratorë, infermierë dhe kuzhinierë, roje dhe kopshtarë, janë të gjymtuar”, thekson Cairo. “Madje edhe Susie-t, qenit tonë, i mungon një këmbë. Ne pranojmë në punë vetëm ish-pacientët tanë. Kjo zgjedhje është bërë në bazë të parimit të diskriminimit, që ka ndikim të madh psikologjik te këta persona. Një qendër handikapësh, e drejtuar nga vetë ata, do të thotë të japësh sërish shpresë, të krijosh mundësi. Këtë gjë e kuptova në vitin 1994, falë Mahmud-it”.

Mahmund, një fshatar analfabet, kishte humbur njërin krah dhe dy këmbët nga shpërthimi i një mine dhe si pasojë i kishte zëvendësuar gjymtyrët e humbura me proteza. Një ditë ai u kthye në spital i dëshpëruar. Fëmijët e tij ishin rritur dhe atij i vinte turp që ishte katandisur kështu. “Jam fundi i asaj që mbetet nga një burrë, - thoshte duke qarë me dënesë. Jam gati të bëj gjithçka, nëse jeni gati të më jepni një vend pune”, tregon doktori. Pa shumë bindje i ndërtuan një zyrë të vogël në repartin ku montohen disa pjesë të protezave të këmbëve. “Pas një jave, Mahmud u bë punëtori më i shkathët nga të gjithë”, kujton Cairo.

Qendra e prodhimit të protezave u evakuua disa herë që prej vitit 1992. Pas 11 shtatorit të vitit 2001, kur u sulmuan kullat binjake, Cairo ndodhej në Golbahar. Vinin vazhdimisht fëmijë, gra dhe ushtarë të gjymtuar rëndë. Pasi operoheshin nga kirurgë lokalë, apo mjekë të spitalit të ndihmës së shpejtë në Anabah, pas disa javësh paraqiteshin te doktor Albert-i. Në laboratorë, teknikët dhe infermierët fabrikonin proteza me materiale të kthyeshme. Qëllimi i Cairo-s ishte të hapte një qendër spitalore në Kabul. Mezi priste realizimin e kësaj ëndrre.

Bujar dhe shumë i komunikueshëm me pacientët, të cilët i detyrohen shumë, doktorit nuk i pëlqen të flasë shumë për jetën private. “Ngrihem në orën 3:00 të mëngjesit, bëj pak gjimnastikë dhe para orës 5:00 jam në spital. Kthehem në shtëpi rreth orës 8:00 të darkës, ha diçka dhe shkoj menjëherë për të fjetur. Të premten, ditën e pushimit, futem në internet, dëgjoj BBC-në dhe lexoj vetëm romane, sepse kam dëshirë të ëndërroj. Bëj një jetë të thjeshtë, sepse nuk mundem ta imagjinoj ndryshe”.

Cairo e urren skenën, televizionin dhe intervistat. “Mediat, thotë ai, i fusin shumë hundët aty ku nuk duhet. Krijojnë rivalitete mes njerëzve. Në vend që të merren me këto gjëra, do të ishte mirë të bënin diçka të vlefshme, si për shembull të sensibilizojnë opinionin publik për të ndihmuar këta njerëz në nevojë”. Angazhimi i Cairo-s nuk përfundon në qendrat spitalore. “Rehabilitimi fizik është vetëm një etapë. E mira do të ishte përfshirja e këtyre handikapëve në jetën sociale, duke i shkolluar dhe duke i pranuar në punë. Në fillim, Kryqi i Kuq nuk donte t’ia dinte, të tilla projekte nuk i përkisnin atij. Pastaj arrita ta realizoja qëllimin tim, duke vënë në jetë projektet e para me fondet e mia private. Përveç vizitave falas në shtëpitë e pacientëve të gjymtuar rëndë, ndihmonim edhe fëmijët e vegjël të shkolloheshin, financonim kurse profesionale për të rinjtë dhe programe të ndryshme argëtimi”, shprehet Cairo. Falë punës së tij, tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar. Por ka nga ata që vazhdojnë të pyesin se përse doktori qëndron ende në Kabul. “Ka sërish shumë gjëra për të bërë, largimi im prej këtu do të ishte krim”, thotë ai duke buzëqeshur.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›