FER shkrihet në Vetëvendosje

Partia Fryma e Re sot në mesditë zyrtarisht shkrihet në Lëvizjen Vetëvendosje.
Dy partitë e reja, zyrtarët e të cilëve deri para pak muajsh deklaronin se kanë ideologji të ndryshme politike, kanë vendosur që të bashkohen bashkë në një Lëvizje me frymë të re.
Lajmin për shkrirjen e FER’it në Vetëvendosje e kanë konfirmuar për Express zyrtarë nga të dyja partitë.
“Ky bashkim i dy subjekteve bëhet sot në mesditë dhe kjo do të konfirmohet në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga lideri i Lëvizjes tonë, Albin Kurti”, tha një zyrtar i Vetëvendosjes për gazetën.
Edhe zyrtari tjetër nga FER konfirmoi shkrirjen e partisë që nuk arriti ta kaloj pragun minimal zgjedhor.
“Pikërisht për shkak të këtij vendimi të partisë, para dy ditësh nga FER u larguan dy nga themeluesit, Qëndrim Gashi e Ilir Deda”.
Partia FER është formuar pak javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë nga të rinj që kryesisht vinin nga shoqëria civile. Kjo nismë e re nuk arriti të gjejë mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe vendosi të përfundoj njësoj sikur më herët Partia Reformiste ORA e cila ishte shkri në LDK.