Japonia i uron Kryeministrit Berisha fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit
Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku sepse Shqipëria ka potenciale të mëdha dhe Ju zoti Kryeministër keni arritur suksese të admirueshme në reformat ekonomike.
Kryeministri Berisha priti sot Zëvendës Ministrin e Jashtëm të Japonisë, zotin Yasutoshi Nishimura.
Duke e falënderuar Kryeministri Berisha për mikpritjen, zoti Yasutoshi Nishimura u shpreh mjaft i gëzuar që vizitonte Shqipërinë dhe që shihte nga afër zhvillimin dhe ndryshimin e saj, si një hap ky drejt forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve mike.
Zëvendës Ministri i Jashtëm i Japonisë, zoti Yasutoshi Nishimura u shpreh se pas një kohe të gjatë, vizita shumë e suksesshme e Kryeministrit Berisha në Japoni vitin që shkoi ka çuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale si dhe ngjitjen e tyre në një nivel shumë të lartë.
Zoti Nishimura i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetje dhe vlerësimet më të larta të Kryeministrit të Japonisë, zotit Taro Aso dhe të Ish Kryeministrit japonez Mori.
Kryeministri Berisha falënderoi mikun japonez për vizitën si dhe për vlerësimet dhe kërkoi që ai të inkurajonte vizitën e Kryeministrit japonez Aso dhe të Ish Kryeministrit japonez Mori në Shqipëri.
Nga ana e tij zoti Nishimura u shpreh se kjo ftesë ishte e mirëpritur dhe se do të bënte përpjekjet më të mëdha që kjo vizitë të zhvillohej brenda këtij viti.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë të tij dhe qeverisë që drejton për kombin dhe popullin japonez, për Perandorin e Japonisë dhe për qeverinë japoneze për mbështetjen e vyer që i ka dhënë dhe vazhdon të japë për zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë.
Zëvendës Ministri i Jashtëm i Japonisë, zoti Nishimura garantoi se do të jetë e vazhdueshme mbështetja e qeverisë japoneze në drejtim të projekteve të përbashkëta ekonomike, duke veçuar përkrahjen për ndërtimin e infrastrukturës rurale si dhe projekte të tjera.
Gjithashtu ai siguroi për mbështetjen dhe inkurajimin për investimet japoneze në Shqipëri, të cilat gjejnë mbështetjen e qeverisë shqiptare, një sistem të favorshëm fiskal dhe krahu pune, siguri të lartë dhe potenciale të mëdha në shumë fusha si në turizëm, miniera, energji, elektronikë, infrastrukturë etj.
“Jemi krenarë për implementimin e projekteve që asistojmë në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku sepse Shqipëria ka potenciale të mëdha dhe Ju zoti Kryeministër keni arritur suksese të admirueshme në reformat ekonomike”- vijoi zoti Nishimura.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit dhe garantoi se vendi do të ketë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, bazuar në një infrastrukturë të re dhe moderne zgjedhore.
Zëvendës Ministri i Jashtëm i Japonisë, zoti Nishimura tha se Japonia i uron Kryeministrit Berisha fitore në zgjedhjet e 28 Qershorit në mënyrë që këto reformat të cilat çuan Shqipërinë në NATO dhe që e ndryshuan atë Kryeministri Berisha t’i vazhdojë më tej.
24/05/2009