Taksat e ambalazheve risin çmimin e ujit të pijshëm
Ervin KOÇI
Rritja e akcizave për një pjesë të madhe të ambalazheve të produkteve ushqimore, pritet që të japë pasoja në rritjen e çmimeve të këtyre produkteve. Një prej më të rrezikuarve nga rritja e çmimit, është dhe produkti më jetik uji i pijshëm. Disa prej kompanive shqiptare të ambalazhimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm kanë marrë guximin që të njoftojnë edhe me anë të disa reklamave rritjen e ardhshme që do të bëjnë me produktet e tyre. Kështu uji i pijshëm që nga një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë blihet i ambalazhuar, rrezikon që të shtrenjtohet në ditët në vijim. Kjo për shkak të rritjes së kostos së ambalazhit si plastik ashtu dhe atij të qelqit. Në këtë mënyrë, pas rritjes së çmimit të ujit të pijshëm nga ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve, prodhuesit do të rrisin edhe atë të ambalazhuar. Por si për hironi, në një kohë që kompanitë shqiptare deklarojnë rritjen e çmimit të ujit të ambalazhuar, i njëjti produkt që vjen nga importi kushton gjithmonë e më lirë se ai vendas. Nga ana tjetër kompanitë e ambalazhimit dhe tregtimit të ujit, në një pjesë të madhe e nisin të gjithë produktin e tyre në drejtim të Greqisë, në një kohë që produkti që del në tregun shqiptar i disa prej kompanive më të njohura të ujit të ambalazhuar në vend, nuk është gje tjetër veç se ujë i zakonshëm ujësjellsash që ambalazhohet në shishet që mbajnë siglën e burimeve më me emër.
Fenomeni
Në Tiranën e viteve 2010, kur qeveria Berisha premton epokën e internetit, qytetarët nuk kanë ujë të pinë. Ujësjellësi i Tiranës, drejtpërdrejtë në administrim të Ministrisë së Transporteve, jo vetëm që nuk shqetësohet të përmirësojë furnizimin e atyre zonave që tradicionalisht vuajnë për ujë, por penalizon dhe lagje që kanë pasur furnizim. Në vend që të synohet përmbushja e një të drejte elementare të njeriut, këto ditë po bëhet e kundërta. Lagje të tëra në kryeqytet, sidomos ato afër malit të Dajtit, por edhe në zonën e Selitës dhe Komuna e Parit, të cilat më parë kanë pasur furnizim të mirë me ujë të pijshëm, për shkak dhe të pozicionit të tyre, papritur, po përballen me thatësirën, si të ishin jo në Shqipëri, por në shkretëtirat e Afrikës. Banorët, të papërgatitur nga vendimet drastike të Ujësjellësit të Tiranes, vuajnë nga përballimi i nevojave me elementare për jetën e përditshme. Situata rëndohet edhe për shkak të stinës së nxehtë dhe rrezikon të kthehet në emergjencë sanitare. Nuk është e para herë që të drejtat e qytetarëve shkelen nga institucionet shtetërore, po të kujtojmë problemet e faturimit të ujit dhe të dritave.
Siguria
Jo vetëm uji i rubinetave të çezmave, por tashmë as uji i ambalazhuar që na servilet si produkt luksi dhe plot reklamë nuk ka më siguri. Abuzime dhe shkelje janë konstatuar me ujin e ambalazhuar që disa subjekte në Tiranë, ku nga analizat e bëra u verifikua se uji ishte jashtë parametrave për t’u konsumuar. Për pasojë inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit së bashku me Inspektoratin Ushqimor të Tiranës kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin e 5 subjekte të ambalazhimit dhe tregtimit të ujit të pijshëm me bidonë 6 litra. Kjo masë është ndërmarrë pas disa inspektimeve në këto subjekte të cilave u janë lënë detyra për të përmirësuar situatën. Në Tiranë ka me dhjetëra subjekte që tregtojnë ujin e pijshëm me bidonë 6 litërsh dhe shumica e tyre punojnë krejt jashtë standardeve. Sipas AKU-së, në qarkun e Tiranës ushtrojnë aktivitetin 11 subjekte të ligjshme që etiketojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë ujë. 7 nga këto subjekte janë plotësisht të mekanizuara, por vetëm dy prej tyre janë të certifikuara me certifikatat e cilësisë dhe sigurisë ISO dhe HACAP.
Banorët e ish-kënetës në Durrës pa ujë të pijshëm
Qindra banorë të kënetës në Durrës që mbushnin ujë me karroca tek një tubacion i hapur në rrugën e re të kësaj zone, tashmë kanë mbetur pa ujë. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve ka shkëputur nga lidhja tubacionin që qëndronte paralel me urën tek rruga e re e Kënetës, duke bërë të ditur se tashmë uji do të shkojë në të gjitha shtëpitë e banorëve të zonës. Shumë banorë kanë qenë të pranishëm gjatë punës që mjetet e ujësjellësit kanë kryer ndërhyrje, e cila është mbikëqyrur edhe nga efektiva të policisë së Durrësit. Banorët shprehen se ky veprim nuk e zgjidh problemin e tyre, furnizimin me ujë të pijshëm. Zona e ish-kënetës në Durrës ka një shtrirje mjaft të madhe, e populluar ndjeshëm me banorë të ardhur pothuajse nga të gjitha rrethet e vendit pas vitit 1990. Me gjithë investimet e konsiderueshme në infrastrukturë, ende në këtë zonë ka shumë probleme me rrugë të pashtruara dhe kryesore, mungesën e ujit të pijshëm.
Vlorë, furnizimi me ujë të pijshëm problem shqetësues
Mungesa e ujit të pijshëm është një nga problemet më shqetësuese në qytetin e Vlorës, sidomos në stinën e verës. Sezoni turistik dhe temperaturat e larta, janë ndër faktorët të cilët e rrisin kërkesën për ujë të pijshëm. Situata paraqitet emergjente, në shumë lagje të qytetit ku uji mungon dhe ankesat e qytetarëve kanë mbërritur në institucionin e prefekturës. Sipas prefektit, Hasan Halili, bashkia nuk ka mbajtur premtimin për të siguruar ujin e pijshëm në qytet. Ai tha se kjo situatë është pasojë e mosrealizimit të plotë të projektit të ujësjellësit te ri. "Nga informacionet që vijnë në prefekturë, një pjesë e mirë e lagjeve të qytetit vihet re mungesë e ujit të pijshëm. Shkak i vonesave, nga 15 maji që ishte detyra e mbarimit të projektit, është shtyrja deri në fund të muajit korrik. Justifikimi ishte se nuk na kanë lejuar pronarët e tokave, të bëjmë ndërtimin e depos",- thotë Prefekt i Vlorës. Ujësjellësi i ri i Vlorës është një investim i përbashkët i qeverisë Holandeze dhe asaj Shqiptare me një vlerë të përgjithshme prej 26 milionë eurosah.
Remonte në linjat elektrike, mbeten pa energji disa qytete
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes informon se nga e hëna deri të premten do të ketë ndërprerje të energjisë për disa orë në disa zona të kryeqytetit dhe në disa qytete. Shkak janë remonte me qëllim mirëmbajtjen e linjave, të cilat për shkak të amortizimit të paktën një herë në vit duhen stakuar për t'u riparuar. OSSH-ë informon se remontet, do të zhvillohen në datën 9-13 gusht. Ato po kryhen me qëllim mirëmbajtjen e linjave, të cilat për shkak të amortizimit të paktën një herë në vit duhen stakuar për t'u riparuar. Në remont do të përfshihet linja 35 kv Tiranë-Kinostudio-Lanabregas dhe Nënstacioni Kinostudio, ku do të jenë pa energji elektrike nga ora 09:00-16 :00 Kinostudio, zonat përreth saj, Komuna Dajt, Qesaraka. Gjithashtu mungesë të energjisë do të ketë edhe në Krujë, Kukës, Shishtavec, Hysgjokaj dhe Mërtish në Lushnjë, në Përmet, në disa fshatra të Gramshit dhe në disa fshatra të Beratit.
Hungaria në krizë ekonomike, por nuk pranon politikat e FMN
Hungaria e zhytur thellë në borxhe, nuk pranon t'i lejojë asnjë ndikim në politikën e saj ekonomike Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në sfondin e polemikave aktuale me FMN-në dhe BE-në, sekretari i shtetit Mihaly Varga tha se qeveria e tij dëshiron t'i japë fund politikës së kursimeve. FMN-ja nuk ka qenë deri tani e aftë të propozojë një terapi efektive për rimëkëmbjen e buxhetit. Pak kohë më parë Hungaria vendosi një taksë për bankat, vendim i cili shkaktoi shqetësim në tregjet financiare ndërkombëtare. Edhe Banka Qendrore Evropiane shprehu shqetësim. Bisedimet për ndihma të tjera në kredi në shumë prej 20 miliardë eurosh, janë ndërprerë pasi qeveria në Budapest nuk pranon kërkesat e FMN-së dhe BE-së.
9 Gusht 2010