Emigrantët shqiptarë me dokumente, vendet ku mund të shkojnë për pushime
TIRANË - Ndryshe nga italianët, që programojnë se ku do t’i kalojnë pushimet, emigrantët në Itali nuk duhet të shohin vetëm ku u pëlqen të shkojnë dhe sa ditë plazh, në mal apo pranë familjes, mund t’i lejojnë vetes në bazë të parave që kanë në xhep; por, mbi të gjitha, të kontrollojnë situatën e lejes së qëndrimit dhe, në bazë të saj, të vendosin sa larg mund të shkojnë. Kush e ka lejen e qëndrimit të vlefshme mund të shkojë ku të dojë (nëpër Itali, të kthehet në atdhe, apo në ndonjë vend tjetër), mjaft të marrë më vete lejen e qëndrimit dhe pasaportën. Mund të shkohet për turizëm pa qenë nevoja për vizë në të gjitha vendet e zonës “Shengen”: Belgjikë, Francë, Gjermani, Luksemburg, Holandë, Portugali, Spanjë, Austri, Greqi, Danimarkë, Finlandë, Suedi, Islandë, Norvegji, Slloveni, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Republikën Çeke, Sllovaki, Hungari, Maltë, Zvicër. Ndërsa, nëse zgjidhet një vend që nuk është në zonën “Shengen”, duhet verifikuar nëse në bazë të marrëveshjeve me vendlindjen është apo jo e nevojshme të merret vizë. Kështu, shqiptarët me leje-qëndrim të vlefshëm mund të shkojnë pa vizë në Turqi, apo Kroaci, për shembull, e të kthehen pa probleme në Itali.
Ata që presin lejen e re
Ndërsa ndryshe (por tashmë jemi mësuar) qëndron puna për ata që janë në pritje të përtëritjes së lejes së qëndrimit. Ai/ajo mund të shkojë në atdhe, por udhëtimi vajtje-ardhje nuk duhet të parashikojë ndalesa apo kalime përmes një shteti tjetër të zonës “Shengen”. Duhet të marrë me vete pasaportën, lejen e skaduar të qëndrimit dhe kuponin e përtëritjes që duhet t’ia tregojë policisë së kufirit. Prej disa kohësh është hequr kufizimi i kalimit të kufirit italian në të njëjtën pikë në dalje dhe në hyrje, duke u lejuar kështu të huajve të gjejnë mënyrën më të leverdishme për ta qoftë në vajtje e qoftë në kthim.
Dokumentet
Një risi tjetër e rëndësishme e kohëve të fundit është ajo që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes edhe të atyre që janë në pritje të lejes së parë të qëndrimit për motive pune apo bashkimi familjar: të gjithë ata që kanë ende të vlefshme vizën afatgjatë “Shengen”, pra mbi tre muaj, si ato që u lëshohen shtetasve të huaj që vijnë në Itali me dekretet e flukseve apo për bashkim familjar, mund të lëvizin edhe në zonën “Shengen”. Por, nëse viza e hyrjes u ka skaduar dhe ende nuk janë pajisur me leje qëndrimi, ata mund të udhëtojnë vetëm për në atdhe pa bërë ndalesa në vende të zonës “Shengen”. Sidoqoftë, duhet të kenë me vete, përveç kuponit postar që dëshmon paraqitjen e kërkesës së leje-qëndrimit, pasaportën me vizën e lëshuar nga konsullata që specifikon motivin e qëndrimit në Itali. Ndërsa bashkëpunëtoret shtëpiake që presin të legalizohen duhet ta kalojnë verën në Itali, sepse kuponi i tyre i kërkesës nuk është dokument i vlefshëm për të kaluar kufirin. As pasi të kenë nënshkruar kontratën e të kenë paraqitur kërkesën për lejen e qëndrimit nuk do të mund të nisen me pushime.
Humbja e valixheve në udhëtimet me avion, ku të drejtoheni e si të veproni
Nuk janë të pakta rastet kur udhëtimi të kthehet në makth, pasi i gjithë bagazhi që kishe marrë me vete humbet. Nëse gjatë një udhëtimi ju ndodh që valixhet të humbasin, atëherë duhet të shkoni menjëherë në zyrën Lost and Found (Zyra e Bagazheve të Humbura) të aeroportit, për të denoncuar humbjen ose dëmtimin e bagazhit. Me vete duhet të keni biletën e fluturimit, kuponin e bagazhit dhe përpilimin e modulit PIR (Passenger Irregularity Report), ku duhet të shënohen karakteristikat fizike të bagazhit (përmasat, ngjyra, modeli, marka). Paditja në Zyrën e Bagazheve të Humbura u hap rrugën kërkimeve për bagazhin. Bagazhi konsiderohet zyrtarisht i humbur nëse nuk dorëzohet brenda tri javëve (21 ditë) nga data e mbërritjes së avionit, por shoqëria ajrore mund të njohë edhe në një kohë më të shkurtër humbjen e bagazhit. Në këtë pikë pasagjeri mund të bëjë reklamimin me shkrim (këshillohet gjithnjë me postë rekomande, me lajmërim marrjeje). Në reklamim duhet specifikuar dëmi i pësuar, duke dhënë provat (listën e detajuar të sendeve/rrobave që përmbante çdo bagazh që nuk është dorëzuar, kopjen e biletës, kuponin e bagazhit të humbur, kopjen e formularit PIR të përpiluar në aeroport. Kompania ajrore është përgjegjëse edhe kur nuk ka faj, me përjashtim të rastit kur arrin të demonstrojë që përgjegjësia e dëmit është e pasagjerit ose që ky ka kontribuuar me neglizhencë, fshehje apo akte të paligjshme. Në rast dëmtimi të bagazhit, brenda 7 ditëve nga mbërritja juaj mund t'i paraqisni reklamim me shkrim (këshillohet gjithnjë me postë rekomande, me lajmërim marrjeje) kompanisë ajrore, duke bashkangjitur kopjen e PIR-it të përpiluar në aeroport.
Dëmshpërblimi
1. Për shoqëritë ajrore europiane dhe të tjera që kanë nënshkruar Konventën e Montrealit, përgjegjësia e shoqërisë për dëmin e shkaktuar nga humbja, vjedhja, dëmtimi, dorëzimi me vonesë i bagazhit është e kufizuar; maksimumi rreth 1167 euro për çdo bagazh të transportuar dhe dëmshpërblimi që ato japin është sipas dëmit efektiv të pësuar (gjithnjë pa kapërcyer 1167 eurot).
2. Për kompanitë ajrore që nuk kanë nënshkruar Konventën e Montrealit, përgjegjësia e kompanisë është 20 dollarë (rreth 15 euro) për kg të bagazhit të transportuar.
Është gjithnjë e mundshme që të rritet niveli i dëmshpërblimit përmes së ashtuquajturës "deklaratë të vlerës", që bëhet në momentin e check-in-it, që mundëson rritjen e përgjegjësisë së kompanisë, por kundrejt pagesës së një tarife shtesë nga pasagjeri: deklarimi i vlerës së bagazhit bëhet me përpilimin e formularëve të posaçëm që kërkohen në check-in.
Vonesat e avionëve, dëmshpërblimet që duhet të kërkoni
Vonesat që mund të keni për shkak të avionëve mund të konvertohen në para që duhet t’ju dëmshpërblejnë kompanitë ajrore. Rregullorja e KE-së Nr. 261/04 parashikon që, në rast të vonesave mbi dy orë, shoqëria ajrore duhet t'u japë pasagjerëve ushqim dhe vend fjetjeje, përveç mundësisë për të kryer falas dy telefonata, ose fakse, ose e-mail me disa kushte. Në veçanti, kur vonesa është: 2 orë apo më shumë për udhëtime deri në 1500 km; 3 apo më shumë për udhëtime brenda BE-së mbi 1500 km dhe për të gjitha udhëtimet e tjera nga 1500 deri në 3500; 4 apo më shumë për udhëtimet jashtë BE-së mbi 3500 km. Nëse vonesa kapërcen 5 orët, pasagjeri që heq dorë nga udhëtimi ajror mund të kërkojë rimbursimin e biletës. Gjykata e Drejtësisë së Komunitetit Europian, me sentencën e 19 nëntorit 2009 (C402/07), ka vendosur që dëmet e pësuara nga pasagjerët në rast të anulimit apo të vonesës së zgjatur të udhëtimit ajror janë të ngjashme dhe që nuk është e pranueshme të trajtohen në mënyrë të diferencuar. Kështu, pasagjerët e udhëtimeve me vonesë kanë të drejtën e kompensimit në para të parashikuar nga rregullorja europiane kur vonesa është të paktën tri orë, apo kur udhëtarët arrijnë në destinacionin final me të paktën tri orë vonesë mbi orarin e parashikuar fillimisht. Me një fjalë, edhe në rastin e vonesave prej të paktën tri orësh udhëtari ka të drejtën e kompensimit në para të parashikuar për anulimin e fluturimit.
Kompensimi në para
Përveç asistencës, shoqëria ajrore duhet të japë këto dëmshpërblime për mohimin e fluturimit: 250 euro për udhëtime deri në 1500 km, 400 euro për udhëtime brenda BE-së nga 1500 deri në 3500 km, 600 euro për fluturime jashtë BE-së mbi 3500 km. Nëse pasagjeri zgjedh të marrë një fluturim alternativ, kompensimi në para mund të reduktohet.
Të njëjtat të drejta u takojnë pasagjerëve nëse fluturimi është anuluar.
Dëmshpërblimi nuk duhet dhënë nëse:
1) shoqëria ajrore arrin të tregojë që përgjegjësia e anulimit nuk është e saja, por ka ndodhur për shkak rrethanash të jashtëzakonshme (gjë që duhet të vërtetohet nga vetë shoqëria ajrore);
2) pasagjeri është informuar për anulimin e fluturimit të paktën dy javë para nisjes;
3) pasagjerit i është ofruar mundësia e imbarkimit në një avion tjetër në një orar afër fluturimit origjinal.
Në rastin e sistemimit në një fluturim alternativ, nëse posti është i një klase më të lartë se ai i parashikuar nga bileta e prerë, pasagjeri nuk duhet të paguajë asnjë shtesë; nëse posti është i një klase inferiore, pasagjerit i rimbursohet brenda 7 ditëve një përqindje e biletës, që ndryshon sipas gjatësisë së udhëtimit: 30% për udhëtime deri në 1500 km, 50% për fluturime brenda BE-së mbi 1500 km dhe për të gjitha udhëtimet e tjera nga 1500 deri në 3500 km, 75% për fluturimet jashtë BE-së mbi 3500 km.
9 Gusht 2010