Rrëmbimi i biznesmenit, Policia italiane, pranga italianit dhe shqiptarit
VENECIA - Një italian dhe një shqiptar janë vënë në prangat e policisë në momentin që ishin duke rrëmbyer një biznesmen. Arrestimet janë bërë mbrëmjen e djeshme në Rivierën e Brentas, Itali. Karabinierët kanë bërë të ditur se dy personat e dyshuar që do të bënin rrëmbimin janë: Xhani Moreti, 30 vjeç, italian, i biri i Ulliam Moretit, i njohur nga policia si autor i disa prej rrëmbimeve më të mëdha dhe gjobave të vëna ndaj biznesmenëve, dhe shqiptari Eduart Keta, 26 vjeç. Ata po bashkëpunonim me grupin e tyre kriminal, të gjithë italianë. E cituar nga “Corriere dela Sera”, policia ka bërë të ditur se ata të dy kishin bërë gati rrëmbimin e një biznesmeni që jeton në Veneziano, përgjatë Rivierës së Brenta-s në Venecia. Plani ishte gati. Dy të arrestuarit e kishin ndjekur dhe dinin të gjitha oraret e biznesmenit dhe lëvizjet e tij. “Rrëmbimi i biznesmenit do të bëhej këto ditë” - ka shpjeguar komisari i karabinierëve, Enriko Rizotino.
Arrestimet
Dy ditë më parë, në mbrëmje, Policia italiane ka marrë vendimin për të organizuar aksionin me qëllim arrestimin e dy të dyshuarve. Në mbrëmje karabinierët kanë mundur të bëjnë ndalimin e dy të dyshuarve. Policia tha se, nëse nuk do të arrestohej shqiptari dhe italiani, biznesmeni mund të ishte marrë peng dhe do të lirohej më pas kundrejt pagesës së një shume parash. Sipas medias italiane, policia i mbante nën vëzhgim prej kohësh ata të dy, pasi besohet se janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura në supermarkete në zonat e Spinea, Scorzè e Noale. Gjithashtu policia ka zbuluar se dy të arrestuarit ishin përgjegjës dhe për një grabitje të ndodhur në Padova në datën 5 dhjetor të vitit 2009. Ata kishin grabitur një dyqan. Prokurori kishte lëshuar një urdhër-arresti ndaj dy të dyshuarve. Dhe për Moretin dhe Eduard Ketën janë bërë gati prangat, të cilat iu vunë dy ditë më parë. Shefi i karabinierisë tha se me arrestimin e tyre janë shuar dhe planet për disa rrëmbime dhe grabitje që do të bëheshin në ditët e mëvonshme, aksione që ishin studiuar deri në detaje nga Moreti e Keta.
Kush janë
Xhani Moreti, pavarësisht moshës së re, është një “peshë e rëndë” në “Moretti Spa”, siç e quan media italiane organizatën kriminale të specializuar në rrëmbime. Policia ka bërë të ditur se është e vështirë që të ndërtohet e gjithë historia e dinastisë kriminale “Moreti”. Karabinierët kanë bërë të mundur që të identifikojnë disa. Prindër, fëmijë, vëllezër, kushërinj, xhaxhallarë, nipër. Të gjithë, sipas karabinierëve, edukohen që të vegjël që të kryejnë vjedhje dhe rrëmbime. Baza e tyre historike është një fushë nomadësh në Guiza. Arrestimi është bërë pas tetë muajsh hetime dhe kontrolle.
Drogë shqiptare për në Zvicër, arrestohen tre persona me 135 kg marijuanë
SHKUP - Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase tha dje se, në orët e para të mëngjesit, ndërpreu një kanal ndërkombëtar për kontrabandën e drogave narkotike nga Maqedonia përmes Shqipërisë dhe që duhej të përfundonte në Zvicër. Policia tha se janë sekuestruar 135 kilogramë marijuanë të kualitetit të lartë, e cila në narko-tregun zviceran ka mundur të arrijë çmimin prej gjysmë milioni eurosh. "Rreth 40 minuta pas mesnatës, në autostradën Veles-Negotinë, afër taksapagesës rrugore në Gradskos, nëpunësit policorë kanë ndalur një automjet ngarkues pik-ap, marka ‘Peugot’, i drejtuar nga dy persona të moshës prej 42 dhe 43-vjeçarë. Gjatë kontrollimit të kryer, pas të dhënave operative të marra paraprakisht, janë zbuluar 136 pako kartoni të mbështjella në qese celofani, të mbushura me marijuanë", - deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski. Automjetin e ka drejtuar Muhamer Maksuti nga fshati gostivaras Forinë, ndërsa me të ka qenë Xhevad Ademi, gjithashtu nga rrethinat e Gostivarit. Drogën nga Shqipëria në Maqedoni e kishte dërguar Sabedin Ristemi. "Krahas këtyre dy personave është ndalur edhe një automjet ‘Opel Vektra’ me targa kroate, i drejtuar nga një person 45-vjeçar, i cili ka pasur rolin e udhërheqësit dhe që ka lëvizur para pik-apit që po transportonte marijuanën. Pikërisht ky person, para një muaji e ka porositur nga Shqipëria drogën nga tre persona, tani për tani të panjohur, të cilët ia kanë sjellë në qese najloni në Gostivar. Ai pastaj ka kontaktuar me dy personat e tjerë të arrestuar që të gjejnë blerës dhe të organizojnë transportin në Zvicër", - informoi Kotevski. Maksuti, Ademi dhe Ristemi janë arrestuar. Pas dokumentimit të tërësishëm të rastit dhe përfundimit të ekspertizës, me padi penale për tregti të palejuar me narkotike, do të nxirren para gjyqit kompetent në Shkup.
Ardhja e emigrantëve, radhë të gjata në kufirin shqiptaro-grek
TIRANË - Fluks emigrantësh në pritje dhe radhë e gjatë në pikat doganore të Kapshticës dhe Kakavijës. Largimi i menjëhershëm i emigrantëve pasi kanë mbyllur pushimet në vendin e tyre dhe mbërritja e shumë të tjerëve ka bërë që radha e automjeteve të mbërrijë deri në 4 kilometra në tokën greke. Më shumë se 5 mijë udhëtarë shqiptarë janë vënë në radhë si në anën greke, dhe në atë shqiptare. Pavarësisht numrit të sporteleve në të dyja anët e kufirit, dyndja për të lëvizur për hyrje dhe dalje drejt shtetit fqinj dhe anasjelltas nuk kanë shmangur këtë situatë tejet të vështirë. Madje autoritetet shqiptare në vendkalimin kufitar të Kapshticës kanë zhvilluar dhe takime me homologët grekë gjatë së shtunës për të bashkërenduar punën, por dhe për të shmangur pritjen e pafundme të mijëra shtetasve shqiptarë në kufi. Duke iu referuar burimeve zyrtare të gazetës, nga vendkalimi kufitar i Kapshticës mësohet se nga mesnata e së shtunës deri në orën 16:00 të kësaj dite kanë hyrë në Shqipëri rreth 8 mijë emigrantë shqiptare me 3 mijë automjete. Ndërkaq, nga mesnata e po kësaj dite deri në orën 16:00 kanë lënë Shqipërinë për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës 2500 udhëtarë me 1500 automjete. Dyndja në kufi ka qenë e pazakontë, teksa radha në tokën greke i ka kaluar 4 kilometrat. Pritja nuk është shmangur bashkë me një radhë më shumë se 2 kilometra të gjatë edhe për të hyrë në Greqi, në tokën shqiptare. Fluksi i jashtëzakonshëm ka vënë në vështirësi punonjësit e pikës greke të kalimit, të cilët, megjithëse kanë shtuar dhe numrin e efektivave të tyre, nuk kanë mundur të shmangin orët e gjata të pritjes që kalonin deri 10 orë. Pala shqiptare, bëjnë të ditur burimet, punon me kapacitet të plotë me 4 sportele për hyrje dhe 4 të tjera për dalje. Pavarësisht nga kjo, problemi nuk qëndron në sportelet shqiptare, por në ato greke. Madje autoritetet greke thonë se i gjithë shqetësimi vjen për arsye se kapaciteti përpunues i kësaj pike kalimi është i vogël dhe maksimumi i saj është 5 mijë udhëtarë në ditë, ndërkohë që në ditë fluksi numri i emigrantëve shqiptarë shkon deri dhe 15 mijë veta. Në pikën kufitare të Kakavijës, gjatë paradites së djeshme kanë hyrë mbi 4600 emigrantë dhe 1400 mjete. Në këtë pikë kufitare ka fluks, por jo radhë problematike. Nga pala shqiptare po punohet me 9 sportele në hyrje, ndërsa pala greke po punon me 3 sportele në dalje
9 Gusht 2010