Kultura e kampingut, e preferuar por shume pak e përhapur në Shqipëri
Ervin KOÇI
Po të përmendësh fjalën “kamping” sot në Shqipëri, shumëkujt do t’i shkonte ndërmend kampingu i kohëve të fundit i organizuar nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Po të përmendësh nocionin “kamping veror”, sot për shumë shqiptarë do të dukej më tepër si një aventurë, se sa si një zgjedhje për të pushuar në gjirin e natyrës me kushte jo dhe aq komode sa ato të hoteleve dhe risorteve luksoze. Pjesa më e madhe e brezave që janë rritur gjatë sistemit 50 vjeçar komunist, kujtojnë duke qeshur aventurat në kampingjet ushtarake të zboreve dhe stërvitjeve gjatë shërbimeve ushtarake, apo ata të ngritur për aksione të ndryshme. Gjatë 20 viteve të fundit, të vetmit që kanë zhvilluar kulturën e kampingut në vend kanë qenë shoqatat ambientaliste ose fetare, kryesisht të sponsorizuara nga të huajt, si dhe skautistët, të cilët janë të vetmit që kampingun e kanë pjesë të stilit të jetesës. Por vitet e fundit kampingjet janë bërë një dëfrim që më shumë se prej domosdoshmërisë duket si i modës. Grupe shoqërore, shoqata, subjekte private, si dhe kryesisht shtetas ose turistë të huaj të mësuar me eksperiencën e kampingjeve, janë ata që kanë nisur ta përhapin këtë përvojë në zonat turistike të vendit. Por mungesa e eksperiencës në shumicën e rasteve i ka kthyer kampingjet verore më tepër në prishës se sa në ruajtës të natyrës.
Kampingu
Nga vetë emri, kampingu nënkupton një strukturë stacionare e bazuar jo mbi godina të instaluara përgjithmonë, por mbi objekte portative, kryesisht çadra. Këto të fundit janë kthyer prej shekujsh në simbolin e vërtetë të kampingjeve. Fillimisht me një traditë militare, tani kampingjet në shumë vende të botës janë bërë një destinacion i vërtetë pushimi mjaftë ekonomik për shumë individë, familje ose grupe dhe shtresa shoqërore. Në të gjitha vendet e rajonit kampingjet, si dhe kampet lëvizëse ose portative janë mjaftë të përhapur, e madje ka edhe vende të posaçme për ngritjen e tyre. Por në Shqipëri, ato kanë nisur të ngrihen ku të mundin, mjafton të jenë pranë bregdetit ose një zone turistike, por pa respektuar rregullat dhe pa ndjekur një lloj sistemi, madje në disa raste janë kthyer edhe në ndotës të vërtetë të plazheve apo pyjeve. Për më tepër në vendin tonë, edhe pse frekuentimi i kampingjeve për pushime verore mund të jetë një iniciativë me mjaftë leverdi, për ata që nuk kërkojnë të shpenzojnë shumë, prej mungesës së informacionit shqiptarët u qëndrojnë akoma larg.
Vendet ideale
Kampingu, sidomos ai i ngritur nga çadrat, mund t’i përshtatet çdo lloj tereni dhe zone, mjafton që ajo të ketë vendin optimal për ngritjen e tij. Bregdeti shqiptar nga skaji verior e deri në kufi me Greqinë ofron mundësi turistike për ngritjen e kampingjeve të pafundme. Plazhet janë të të gjitha kategorive dhe hapësirat për akomodim janë të shumta. Po ashtu edhe zonat më në brendësi të vendit, e sidomos ato malore kanë kushte ideale për ngritjen e kampingjeve të shumta. Ngritja e tyre nuk kërkon komoditete, teknologji dhe infrastrukturë të madhe, pasi çdo gjë bëhet vetëm me duar dhe me pak mjete manuale. Kjo alternativë ka veçoritë e saj dhe mbi të gjitha qëndron socializimi dhe kjo duket që tek stolat dhe tek tavolinat e mëdha dhe të përbashkëta, ku dhe ushqimi gatuhet i përbashkët. Nëse vendosni të shkoni në kamping mbi të gjitha përgatituni të hiqni dorë nga disa komoditete të vogla prej jetesës sedentare, si një vaskë e ngrohtë për shembull. Aktivitetet në këtë vend mund të jenë të pafundme, sidomos nëse keni fantazi. Kuptohet që shumica është e lidhur me plazhin ose natyrën përreth, sidomos kur ajo është e larmishme siç janë disa vende të Shqipërisë.
9 Gusht 2010