Japonia përkujton tërmetin shkatërrimtar

Një prej lëkundjeve më të fuqishme të njohura, me fuqi 9.0 sipas shkallës Rihter, tërmeti u pasua nga dallgë deri 15 metra të larta, të cilat shkatërruan shumë shtëpi dhe dëmtuan rëndë qendrën bërthamore të Fukushimës, duke krijuar një emergjencë bërthamore.
U deshën disa javë për të vendosur nën kontroll rrezatimet, ndërsa zona 20 kilometra përreth Fukushimës vazhdon edhe sot të jetë e ndaluar për civilët.
Ndërsa një minutë heshtje u mbajt në momentin ekzakt kur ndodhën lëkundjet, ceremoni të shumta përkujtimore u mbajtën në të gjithë vendin. Ceremonia kryesore ishte ajo në Teatrit Kombëtar të Tokios, ku i pranishëm ishte edhe Perandori Akihito, pavarësisht gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore.
78-vjeçari kreu një operacion në zemër vetëm dy javë më parë. Ai u shoqërua në ceremoni nga Perandoresha Michiko dhe kryeministi Yoshihiko Noda.
Megjithatë, 11 marsi është shndërruar edhe në një teatër të manifestimeve masive nga ana e grupeve anti-bërthamore, të cilat edhe një herë kanë dashur të ndërgjegjësojnë për rrezikshmërinë që vjen nga përdorimi i kësaj forme të energjisë.