E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit nga katastrofa në Japoni, rindërtimi pas cunamit

Sot shënohet një vit nga tërmeti dhe cunami shkatërrues, që më 11 mars të 2011-s goditi brigjet verilindore të Japonisë, duke vrarë mbi 19,000 persona dhe duke shkaktuar krizën më të rëndë bërthamore në botë në një çerek shekulli.
 

Vendi ka mbajtur një moment heshtje për të shënuar kohën e saktë të katastrofës. Ceremonia kryesore do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Tokios dhe do të ndiqet nga Perandori i Japonisë, Akihito, dhe kryeministri Joshihiko Noda.
 

Tërmeti me magnitudë 9.0, më i fuqishmi që kur kanë nisur matjet, ka shkaktuar aksident të rëndë bërthamor në reaktorin Fukushima Daiçi. Rreth 325,000 njerëz përreth zonës kanë mbetur në strehime të përkohshme.

Katastrofa shkaktoi rrjedhje radio-aktive në tre reaktorë të energjisë bërthamore në Fukushima. Rrezatimi mbërtheu tokën më të vlefshme bujqësore të Japonisë, ku fermerët vazhdojnë të luftojnë pasojat. Autoritetet japoneze thonë se 81,000 hektarë tokë janë të kontaminuar në nivele më të larta se 5,000 bekuerel për kilogram. Ky është limiti që ndalon Japoninë nga mbjellja e orizit. Të prekura janë edhe perimet, frutat dhe fermat e qumështit.


Këtë javë, megjithatë, në Fukushima kanë arritur disa udhëzime për të shpëtuar industrinë bujqësore. Qeveria japoneze ka ftuar shkencëtarë nga jashtë, me përvojë në dekontaminimin e tokës bujqësore. Ata kanë zhvilluar takime me homologët e tyre japonezë dhe zyrtarët lokalë, në një simpozium në Korijama.
 

Drejtori i Institutit Kërkimor të Radiologjisë në Bjellorusi, Viktar Averin, thotë se dëshiron të ndajë njohuritë e fituara nga incidenti bërthamor i Çernobilit, në vitin 1986, në ish-Bashkimin Sovjetik.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›