Në depresion, ushtari i NATO-s qëllon turmën

Një ushtar amerikan ka qëlluar mbi një turmë civilësh në Afganistan duke vrarë tre persona. Ngjarja ndodhi në afërsi të një baze ushtarake në Kandahar, jashtë të cilës ushtari vrasës ishte duke shëtitur. Sipas mediave sulmi ishte i motivuar nga një moment depresioni ndërsa më pas ushtari u dorëzua vetë tek autoritetet ushtarake amerikane.
Në një deklaratë, NATO deklaroi se është duke hetuar këtë “incident thellësisht për të ardhur keq”. Sipas raportimit të disa mediave vendase, një grua, një fëmijë dhe një burrë ishin viktimat e sulmit të çmendur, por bilanci i qartë nuk është konfirmuar ende.
”Ky është një incident për të cilin shprehim keqardhjen tonë më të thellë. I paraqesim familjeve të prekura të gjithë ngushëllimet tona, ndërsa do të hetojmë së bashku me kolegët tanë afganë për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarje të tmerrshme”, shkruhej në deklaratën e NATO-s.
Sipas disa ushtarëve të tjerë të bazës së Kandaharit, të cituar nga mediat amerikane, ushtari vrasës, emri i të cilit nuk është bërë ende publik, pati një moment krize nervore, përpara se të dilte nga baza së bashku me armën e tij. Incidenti vjen në momentin kur klima midis Uashingtonit dhe Kabulit është ashpërsuar, si rrjedhojë e djegjes së disa kopieve të Kuranit në një bazë amerikane, muajin e shkuar, ngjarje që ka sjellë protesta masive dhe sulme të talebanëve në vend.