E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaroslava Novotna emërohet në krye të Prokurorisë së EULEX

PRISHTINË- EULEX-i ka emëruar çeken Jaroslava Novotnan si kryeprokurore të re të tij. Lajmi konfirmohet nga zyra e EULEX në Kosovë, bëjnë me dije mediat Kosovare.

Sipas një komunikate të EULEX-it, Novotna ka një përvojë të specializuar në trajtimin e rasteve të ndërlidhura me trafikimin e lëndëve narkotike dhe me krimin e organizuar. Po ashtu, ajo është specialiste në bashkëpunimin ligjor për çështje penale.

Novotna ka qenë përfaqësuese e Republikës së Çekisë për Misionin Eurojust në Tribunalin e Hagës, ku është marrë kryesisht me bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet Republikës së Çekisë dhe autoriteteve tjera kompetente të vendeve anëtare të BE-së.

Novotna ka punuar si prokurore për më shumë se tridhjetë vjet, kurse kohëve të fundit ka punuar në Prokurorinë Supreme të Republikës së Çekisë.

Kryeprokurorja e sapoemëruar e EULEX-it do ta fillojë detyrën e saj menjëherë, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›