Jashari: Grevistët janë nxitur

Drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, i kanë akuzuar ish-bashkëluftëtarët, që gjenden tash e 26 ditë në grevë, se janë të nxitur nga dikush që të mbajnë grevën.
Ndërsa asnjë nga zyrtarët qeveritar nuk ka dalë që t’i takojë grevistët, apo t’i ftojë në një takim, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka parë të arsyeshme që t’i takojë ata që e kanë “mirë” me Qeverinë e vendit.
Kuçi i ka pritur të premten drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, të cilët i ka informuar rreth përgatitjes së Ligjit për vlerat e luftës dhe procedimit të tij në fillim të javës së ardhshme në qeveri dhe pastaj në Kuvend.
Gjatë konferencës të mbajtur pas takimit, kishte shumë pyetje nga gazetarët për zëvendëskryeministrin Kuçi, si dhe kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari. Por si duket disa anëtarëve të organizatës, nuk u pëlqenin pyetjet e gazetarëve, që i vlerësonin si provokuese.
Nga ana tjetër zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka proceduar Ligjin për vlerat e luftës, ligji i cili përfshin edhe familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, viktimat civile dhe personave të pagjetur.
Sipas tij, ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës në parim apo në lexim të parë, por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit është kthyer prapë në qeveri. Duke shtuar se ky ligj ka qenë edhe në strategjinë legjislative dhe është punuar me kujdes dhe në koordinim me shoqatat e dala nga lufta.
Kuçi ka shtuar se është arritur marrëveshje edhe me drejtuesit e këtyre shoqatave, që në fillim të javës së ardhshme të procedohet ligji në Qeveri dhe pastaj në Kuvendin e Kosovës për miratim.
“Kemi arritur gjitha marrëveshjet, gjitha sugjerimet dhe unë besoj që pas procedimit në fillim të javës, të kemi procedim dhe mirëkuptim edhe në Kuvendin e Kosovës për miratim sa më të shpejt dhe implementim të tij”, ka thënë Kuçi.
I pyetur nga mediat përse asnjë nga zyrtarët qeveritar nuk ka takuar ish-lugëtarët që janë në grevë, Kuçi sërish ka përsëritur deklaratën e dhënë ditë më parë, se ata i ka takuar kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe për të ka qenë e mjaftueshme. Ndërsa ka theksuar se asnjë kërkesë nga grevist nuk ka shkuar në ekzekutivin e vendit për ndonjë takim.
“Unë e kam thënë njëherë përgjigjen, zotëri Krasniqi ka takuar njëherë. Zotëri Krasniqi i ka ftuar edhe pardje, besoj edhe ju të jeni të informuar. Zotëri Krasniqi kryetar i Republikës së Kosovës është njeriu i dytë, është sekretar i PDK-së dhe çdo marrëveshje që udhëheq ne do të respektonim. Në anën tjetër po e them publikisht, asnjëherë nuk kanë kërkuar takim zyrtar në Qeverinë e Kosovës. Ne kemi mirëkuptim të organizimit të protestës për reagime, por duhet të them se ky ligj është rezultat i vullnetit tonë, i bashkëpunimit me shoqatat dhe shoqatat e kanë organizimin e brendshëm kush zgjidhet kryetar”, ka deklaruar ai.
Zëvendëskryeministri ka mohuar që ky ligj po përgatitet nga presioni, duke thënë se ky ligj ka qenë në agjendën legjislative qysh më parë.
Nga ana tjetër, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka thënë se ata të cilët nxitin këta persona që të mbajnë grevën, e kanë mundësin që të japin kontributin e tyre në Parlamentin e vendit, por nuk theksoi se kush janë ata.
“Presim procedimin në Parlamentin e Kosovës dhe mbetet çështje e Parlamentit, sidomos atyre të cilët në një formë nxitnin ata, të cilët janë futur në grevë pa dashur të merrem me ta, sepse ata nuk përfaqësojnë askënd, vetëm vetveten e tyre. Mirëpo edhe ata do të kenë, edhe ata deputetë, edhe njerëz të politikës, të cilët ju qëndrojnë prapa tyre, do të kenë mundësin që të japin kontributin e tyre në Parlamentin e Kosovës”, ka theksuar Jashari.
Ndërsa në lidhje me atë që disa nga grevistët kanë akuzuar drejtuesit e këtyre shoqatave, se kanë përfituar në emër të luftës, Jashari është përgjigjur duke thënë se këta që janë në grevë i kanë punët më mirë se ata të cilët janë në hierarkinë e organizatave të luftës.
“Faktikisht në asnjë moment nuk kemi përfituar dhe shumica prej tyre që janë aty, i kanë punët më mirë se sa ne. Ne e dimë të cilët kanë qenë luftëtar të vërtetë”, ka potencuar Jashari.
Madje ai ka thënë se nuk do të shkojë të informojë grevistët për procedimin e ligjit që do të bëhet, ndërsa informimin për procedimin e ligjit ata do të marrin vetëm përmes medieve, duke thënë se ata kanë hyrë në grevë pa i pyetur organizatat e luftës.
Ndryshe më shumë se 100 ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në ditën e 26 të grevës, duke kërkuar miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.
Derisa gjendja shëndetësore e veteranëve të luftës është rënduar dukshëm, zyrtarët qeveritar dhe ata nga Kuvendi nuk po marrin ndonjë vendim për aprovimin e ligjit për vlerat e luftës. (KosovaPress)